E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një zyrtar si risi për ligjin

Ardit Rada

Ekrem Spahia, i njohur si personi që pasi i zbriti tankut në tentativën për grusht shteti më 1998 pushtoi Televizionin Publik Shqiptar, më në fund pas bredhjes post më post të administratës gjeti një hapësirë për të ridalë në skenë. A e shfrytëzoi një deklaratë të komunitetit homoseksual e cila dhe kjo e fundit u deformua, apo e bëri padashje kjo pak rëndësi ka. I rëndë është fakti para shqiptarëve se baza e një shoqërie demokratike është e drejta e njeriut. Por çështja është ende më e rëndë kur marrim parasysh se askush nuk e pengon Spahinë që të mendojë ndryshe kështu që e kuptueshme duhet të jetë dhe fakti se askush sduhet ti pengojë homoseksualët të ndjehen ndryshe nga Spahia. Megjithëse tek kjo edhe mund të dyshojmë sepse shpesh fjalimet e urrejtjes lindin nga kompleksi personal i lidhur jo detyrimisht me përvojën.

Akoma më të rëndë ngjarjen e përfolur këto ditë e bën dhe fakti i pamohueshëm që deklaratat vijnë nga zv.ministri i mbrojtjes, institucion ky që për nga rëndësia strategjike është ministria e dytë më e madhe dhe që ka të bëjë drejtpërdrejtë me NATO-n ku aderojnë vende që ne pretendojmë ti marrim si shembuj pozitivë. Nëse deklaratat që ngjallin urrejtje dhe që dënohen me ligj nga Kodi Penal vazhdojnë të tolerohen, askush nuk na jep garancinë se homoseksualët nuk do rrihen barbarisht sikundër të verbrit pak vite më parë në derën e kryeministrisë gjatë një proteste. Ato tri fjalë që zëvendësministri artikuloi janë një test për legjislacionin shqiptar në radhë të parë i cili gjendet përballë një vështirësie tjetër. Janë të paktat raste kur zyrtarët kryejnë vepra penale pa viktima dhe pa vjedhje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›