Zgjedhje apo zgjidhje të parakohshme?
Ilir Yzeiri
Kohëve të fundit ligjërimi politik është përqendruar në dy argumente thelbësore ose thënë më shkoqur në dy strumbullarë që janë : lindje apo perëndim. Më shkoqur akoma, në reliev ka dalë një qëllim i kryeministrit shqiptar që dëshiron të braktisë standartet perëndimore dhe të përqafojë apo ta drejtojë vendin drejt standarteve postperëndimore siç i quajti ai ose të llojit apo të modelit të Kinës, Rusisë apo vendeve të tjera me zhvillim ekonomik të vrullshëm, por me demokraci të cunguar. Si me gjysmë zëri edhe ai ka filluar të artikulojë se Perëndimi është në krizë, se mirëqenia ekonomike mund të arrihet edhe duke mos përmendur vlerat e demokracisë. Në anën tjetër, Perëndimi dhe veçanërisht SHBA ka drejtuar vështrimin te opozita shqiptare dhe posaçërisht te Edi Rama dhe ajo që duket apo që nënkuptohet është se SHBA, por edhe Europa po shohin gjithmonë e me më shumë interes programin e partisë socialiste dhe performancën e liderit të saj Edi Rama, si një mundësi e dallueshme për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo skena politike shqiptare ka prodhuar në këto kohët e fundit edhe disa dukuri të tjera të shënueshme.
Partia Aleanca Kuqezi është një realitet, Presidenti Bamir Topi pritet që të jetë në krye të një formacioni politik menjëherë sapo të mbarojë mandatin e tij në fund të pranverës. Përballë këtij rrethimi demokratik Sali Berisha ka zgjedhur që të krijojë alibinë e mirëqenies ekonomike dhe ta manipulojë opinionin me idenë se politika në Shqipëri nuk është më një përplasje për vlerat e lirisë, por një ngulmim për të arritur mirëqenie ekonomike. Berisha, duke spekuluar me dinamizmin e pashembullt që kanë treguar shqiptarët në këta vjet, po përpiqet që të nxisë te bashkëkombësit e tij jo idenë e jetës me liri e me vlera, por idenë e jetës me abuzim e me vjedhje, me korrupsion e me vrasje. Duke e konceptuar Shqipërinë si një sh.a.(shoqëri anonime) ku aksionet 100% kontrollohen nga kryeministri, ai po përpiqet të nxisë në këtë vend moralin e vjetër antiperëndimor se e rëndësishme është të fitosh pavarësisht nga mjetet që përdor. E rëndësishme është të pasurohesh pavarësisht nëse vjedh apo vret, e rëndësishme është të rrëmbesh pavarësisht nëse kjo të takon ty apo bashkëkombësit tënd. Në një shoqëri të tillë kaotike e pa rregulla, në një anarshi të tillë totale dëshiron ta projektojë atdheun tonë në të ardhmen Sali Berisha. Ngjarjet e fundit na kanë treguar se izolimi që Perëndimi po i bën Sali Berishës do të ketë pasoja mbi ne të gjithë. Tashmë Shqipëria nuk është vend që administrohet me rregulla. Këtu, në këtë vend, shqiptarët nuk janë të barabartë para ligjit. Zyrtarët e lartë të këtij vendi mund të vjedhin e të bëjnë njëmijë e një poshtërsira dhe askush nuk i penalizon. Kultura e mosndëshkimit është deviza themelore e filozofiisë së Sali Berishës.
Gjykatat në Shqipëri po kthehen në një kalvar të mundimshëm për ata që nuk kanë para për të paguar dhe miq në qeveri për tu mbrojtur. Ndërrimi i pushtetit nuk ndodh më sepse sistemi i votimit demokratik është asgjësuar përfundimisht. Sali Berisha është kthyer në një sundimtar të pashpallur apo në një Putin banal dhe nuk ikën nga kolltuku i kryeministrit derisa të mos e nxjerrin me protesta popullore. Në qoftë se në vend zotëron klima e ngrirë e mosndryshimit, në qoftë se në këtë vend apatia, mungesa e dëshirës, mpirja totale po bëhen shenja të klimës shoqërore e politike, kjo vjen se ne jetojmë në një shtet që nuk ka më asnjë institucion të ligjshëm. Është asgjësuar institucioni i Presidentit. Që të gjitha institucionet e tjera e projektojnë veten si ndihmëse të kryeministrit. Policia është në shërbim të kryeministrit, sistemi fiskal është në shërbim po ashtu të klientëve të kryeministrit, gjykatat tashmë po japin prova bindëse se janë tërësisht nën këmbët e kryeministrit. Vetëm prokuroria po reziston, por edhe ajo nuk po reziston si institucion. Jo. Aty ka disa prokurorë guximtarë e të devotshëm, ndërsa një pjesë dërrmuese janë ingranazhe të sistemit që ruan dhe mbron vetëm interesat e kryeministrit shqiptar dhe të familjes së tij. Kaq shumë është bindur Sali Berisha se do të qëndrojë si sundimtar në krye të këtij vendi, sa tani ka nisur të shfaqet në publik si njeriu numër një i shtetit.
Asnjë protokoll zyrtar dhe moral apo etik nuk e përmban që bashkëshortja e tij të shfaqet bashkë me të në publik. Vetëm bashkëshortja e presidentit ka të drejtën të shpallet dhe të sillet si Zonja e Parë e këtij vendi. Mirëpo institucioni i presidentit nuk ekziston më në këtë vend. Berisha shtyhet më tej. Ai ka marrë tani nipër e mbesa e shfaqet në publik jo si një kryeministër që është zgjedhur nga më pak se gjysma e shqiptarëve dhe që nuk pëlqehet apo në rastin më të skajshëm që urrehet nga pjesa tjetër, por si një mbret apo sundimtar që shtiret sikur përfaqëson unitetin e tyre. Ky spektakël banal me shfaqjet familjare në publik e ka bërë edhe më të papranueshme sjelljen e tij dhe po forcon përherë e më shumë idenë se ai nuk largohet nga pushteti me votë. Në ligjërimin politik të këtyre kohëve është përfshirë edhe një argument tjetër. Shumë opinionistë e komentatorë dëshirojnë të projektojnë në një të ardhme të afërt zgjedhje të parakohshme në Shqipëri. Dhe për këtë ata janë përqendruar te zgjedhja e presidentit në fund të pranverës. Po a i duhen Shqipërisë zgjedhje të parakohshme apo i duhet më parë një zgjidhje e shpejtë? Mundësia për zgjedhje të parakohshme është shumë e kufizuar, sepse koalicioni Berisha-Meta nuk shkërmoqet. A mund të ketë ndonjë deputet të PD-së që pret të kalojë me partinë e Bamir Topit në korrik? Vështirë të ketë të tillë. Por vetëm nëse ka disa të tillë, ata mund të diktojnë rregullat e lojës dhe mund ta rrëzojnë qeverinë. Meta kurrë. Nëse nuk ndodh kjo, atëhere të gjithë do të duhet të presim vitin 2013, pra zgjedhjet e radhës për të parë se çfarë do të ndodhë. Personalisht sa herë që jam marrë me këtë argument kam këmbëngulur dhe po këmbëngul përsëri se Sali Berisha nuk largohet nga pushteti me votë. Ai përsëri do ti vjedhë votat. Mirëpo le të supozojmë të kundërtën, pra që Aleanca Kuqezi dhe partia e Bamir Topit do ti marrin koalicionit Berisha Meta aq vota sa ata edhe me manipulimet e mundshme të mos kenë mundësi të qëndrojnë më në pushtet. Kjo mund të jetë një dëshirë e mirë dhe një rast për të na bindur se rotacioni më në fund do të ndodhë. Mirëpo nuk duhet të harrojmë një gjë. Ai që bën zgjedhjet në vendin tonë është gjithmonë qeveria në kuptimin që ajo i ka në dorë të gjitha instrumentet për tiu imponuar sistemit të zgjedhjeve.
Duke qenë kështu, Berisha dhe Meta bashkë si dy kampionët e manipulimeve të zgjedhjeve sa herë që i kanë pasur mundësitë do të bëjnë të pamundurën që marzhin e manipulimeve ta çojnë deri aty sa të marrin qoftë edhe një deputet më shumë. Dhe për këtë befasia nuk mungon. Le të kujtojmë atë që ndodhi me Bashkinë e Tiranës. Pikërisht atëherë kur rezultati u shpall, pra jo vetëm u shpall por edhe u verifikua drejtpërdrejt Berisha shpiku një truk që i mahniti të gjithë. Ai shpiku votat e hedhura gabim. Cili mund të më thotë mua se Berisha nuk do të shpikë edhe në vitin 2013 një truk tjetër vetëm e vetëm që të rrijë në pushtet ? Ndaj ajo që do të ndodhë është shumë e thjeshtë. Ai do të zgjedhë në pranverë presidentin që do pa përfillur askënd. Pas kësaj do të zgjojë edhe pak më shumë zemërimin amerikan e evropian, por do të nxitojë tu thotë atyre se qetësia do të ruhet se ne jemi një vend i NATO-s se jemi gati si qeveri të bëjmë çdo gjë, shkurt do ti manipulojë përsëri. Pas kësaj opozita, Bamir Topi dhe Aleanca Kuqezi kanë vetëm një rrugë të nisin protesta popullore dhe të gjejnë një zgjidhje të parakohshme për sundimtarin që rrezikon të na shtrenjtojë koston e jetës në Shqipëri. Këto forca politike duhet të mendojnë më shumë për zgjidhje të parakohshme sesa për zgjedhje të parakohshme.