Njerëzit kanë sy të shikojnë, kanë veshë të dëgjojnë, kanë edhe tru të gjykojnë
Po debatohet shumë kohët e fundit për të majtën e për të djathtën politike në Shqipëri. Ca thonë nuk ekziston as njëra, as tjetra. Ca flasin për të majtë ose të djathtë të vërtetë ose jo të vërtetë. Dikush tjetër, me të drejtë mendon se në disa pika të programeve të tyre, partitë e majta ose të djathta të Shqipërisë i kanë hyrë në pjesë njëra-tjetrës, si të thuash, kanë huazuar prej programeve përkatëse. Mirë apo keq? Për mua, përgjigjja varet nga këndvështrimi. Gjithsesi, mirë ose keq, ndërfutje të tilla programore në arenën demokratike të politikës moderne sot janë më se të pranueshme prej politologëve. Sipas tyre, kjo ndodh me qëllimin e tërheqjes së elektoratit. Në fund të fundit, huazimet programore janë në të mirën e përgjithshme, pasi edhe përfitimi është i shumëdimensional.
Një gjë është e vërtetë si drita e diellit. Sot, ne kemi forca politike të mirëfillta, të majta dhe të djathta, tashmë me historinë e tyre njëzet-e- ca-vjeçare dhe në një stad pjekurie pak a shumë të pranueshëm. Disa syresh janë pranuar nga grupimet ndërkombëtare të së majtës ose të së djathtës, qoftë nga Internacionalja Socialiste (e majtë), qoftë nga Grupimi i Partive Popullore Europiane (qendra e djathtë). Ky fakt i pamohueshëm, i rrëzon të gjitha vlerësimet e tjera, sidomos të atyre që thonë se s’ka në aksin e politikës shqiptare as parti të majta, as të djathta, por vetëm parti derivate të ish-PPSH-së. Synimi qëllimkeq i tyre është lehtësisht i lexueshëm.
Opozicioni politik “e majtë - e djathtë” nuk është gjetje e politikës shqiptare. Ai është i kahershëm, i takon periudhës së Asamblesë Kushtetuese Franceze (1789), kur anëtarët e saj u grupuan majtas ose djathtas Kryetarit të Asamblesë, sipas interesave të elektoratit (shtresave të popullsisë) që përfaqësonin në situatën e asohershme revolucionare. E thënë ndryshe, u rreshtuan sipas afinitetit të tyre politik. Në historinë e vet dyqind-e-ca-vjeçare, opozicioni “e majtë - e djathtë”, ka mundësuar alternimin e ardhjes në pushtet të njërës a të tjetrës palë, në funksion të kërkesave reale të kohës dhe të mundësive potenciale për plotësimin e tyre, falë programeve përkatëse.
Politologë të ndryshëm mendojnë se, përpos individëve të pavarur, çdo tentativë për t’u rreshtuar jashtë kësaj hapësire lineare (as majtas, as djathtas), ngjan e nxitur nga pakënaqësia e një pjese të elektoratit. Ekzistojnë përherë disa kërkesa të atypëratyshme, që lidhen me kategori të caktuara të popullsisë dhe që nuk gjejnë përgjigje të kënaqshme në zbatimin praktik të programeve të partive përkatëse. Falë kësaj së vërtete, përftohet përshtypja sikur një parti e re, as e majtë, as e djathtë, do të kënaqte kërkesat e atyre kategorive, të cilat, verbuar nga padurimi, kujtojnë se ato kërkesa i kënaq jorealja. Mirëpo klasifikimet politike shumëkriterëshe kanë ngritur probleme logjike të vështira për t’u zgjidhur. Një parti jashtë hapësirës politike në fjalë, është e paracaktuar të vdesë përpara se të lindë, të vdesë qysh në embrion. Do të ishte normale, pra, që votuesi i zakonshëm të gjendej përballë dy alternativave: ose t’i bashkëngjitej njërës prej palëve opozitare (e logjikshme), ose ta digjte të drejtën e votës së vet në të mirë të palës që bie ndesh me prejardhjen shoqërore ose me prirjen e vet politike (e palogjikshme).
Bash në këtë pikë të zhvillimeve të sotme politike, merr jetë debati në fjalë. Është detyrë e mjeteve të informimit ta mbajnë gjallë atë, në mënyrë që elektorati të gjejë vetveten në njërën prej alternativave të mundshme, ani se në debat, përveç njerëzve me informim të mjaftueshëm, përfshihen edhe të tjerë që ose nuk dinë të kërkojnë burime informimi, ose nuk ia hyjnë atij telashi, pasi puna ua do të përhapin dezinformim. Gjithsesi, - sepse e mira s’ka fund - në debat e sipër, votuesit të zakonshëm i ofrohen mjetet e nevojshme për të vlerësuar prirjet e veta politike dhe për të mos e djegur të drejtën e votës, të garantuar nga Kushtetuta.
Në këto kushte, duhen vlerësuar dy momente kryesore: momenti teorik dhe ai praktik i shtrimit të problemit. Ta zëmë se teorikisht e shtruam drejt problemin dhe, duke qenë aktivë në debat, arritëm të sqarojmë çka është opozicioni “e majtë – e djathtë”. Vështirësia nis kur problemi fillon e shtrohet praktikisht.
Sot, të ngresh pyetjen se në cilën pikë të aksit politik do të vendoset partia e re, e lakuar gjithnjë e më shpesh në shtyp dhe në opinion dhe e etiketuar rëndom si partia e Presidentit, të gjykojnë si t’u vijë. Aq më tepër sikur të shtosh se aksi, sado i gjatë pambarimisht nga e majta a nga djathta, vështirë të ketë segment të lira. Në një rast të tillë, goditjet mund t’i presësh ngado: nga Kina buzë brigjeve të Paqësorit, nga brigjet lindore të Atlantikut, nga Petrela e lashtë, nga njerëz që ngushëllohen ende me daulle e thirrje të tipit “dum babën”, nga zana e shtojzovalle mali, nga kreshnikë të vetëshpallur, të papromovuar në bëma kreshnikësh e ç’ nuk tjetër. Nga ana tjetër, problemi duhet gjykuar me gjak të ftohtë, pa mllefe dhe pa u ngutur, ngase edhe të panjohurat janë disa.
Rreshtimi i partisë ende pa emër në të djathtë të qendrës politike, është padyshim tentativë për të përçarë të djathtën. Një parti e re, e sapodalë nga shpërgënjtë e lindjes, nuk ka asnjë shans të fitojë minimumin e votave të kërkuara nga ligji, për të hyrë në Parlament. Me lindjen e një partie të tillë në periudhën e një harku kohor jo më të gjatë se 10 muaj nga dita e zgjedhjeve, do të rritej së tepërmi numri i votave të djegura që shkojnë në të mirë të palës opozitare, në rastin tonë, të Edi Ramës. Le të kujtojmë partinë D-Destra (E djathta) të Françesko Storaçes në Itali. Ish-anëtar i Aleancës Nacionale, Storaçe u nda prej Xhanfranko Finit në vitin 2007, për të formuar një parti të ekstremit të djathtë. Në zgjedhjet e qershorit 2009, së bashku me Daniela Santanke, udhëheqëse e Lëvizjes Sociale dhe kandidate për Kryeministre (!), nuk fituan më shumë se 2,2% të votave. Në shtjellën e humbjeve të njëpasnjëshme, Storaçe – Santanke iu përgjigjën thirrjes për t’iu bashkëngjitur partisë së qendrës së djathtë Populli i Lirisë (Popolo della Liberta) të Berluskonit, në shkurt 2011, pas shkëputjes së Xhanfranko Finit dhe daljes së tij në opozitë. I nderuar lexues, a e kemi ne këtë luks, të humbim kohë e të krijojmë të djathtë mbi të djathtë për ambicie personale, sikurse janë ato të Presidentit Topi?
Të djathtën në Shqipëri nuk e përçajnë opinionet politike si, fjala vjen, këto të miat ose të kujtdo qoftë tjetër. Atë e përçajnë veprimet praktike të individëve të veçantë si Topi e Spahiu, të cilët, duke e ndier veten jashtë partisë që i rriti politikisht, me veprimet që kanë ndërmarrë, po i ngrenë kurthe së djathtës shqiptare, tashmë të njohur botërisht.
Personalisht, kam qenë në anën e atyre ish-të përndjekurve politikë të cilët e mbështetën Bamir Topin në rrugëtimin e tij drejt Presidencës. Mbështetjen time modeste e kam shprehur publikisht si në shtyp, ashtu edhe në rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, pas një takimi që patën shoqatat e ish-të përndjekurve politikë me kandidatin për President në mjediset e Hotel Rogner-it. Për fat të keq, jo shumë kohë pas ngjitjes së tij në nivelin më të lartë të administratës shtetërore të Republikës, u ndjeva i penduar që isha shprehur aq me ngut. Fudullëku në shfaqjet publike, buzëqeshjet e shpëlara dhe puthjet (simbolike) me ish-kundërshtarin e vet politik të disa muajve përpara, neglizhencat ndaj ligjeve të votuara nga shumica parlamentare, mosmirënjohja ndaj ish-të përndjekurve politikë që e mbështetën, duke dekoruar xhelatët tyre etj. folën mjaft, qysh në hapat e tij të parë si President, madje më tepër sesa mendohej. E djathta në pushtet i kishte të gjitha shanset që punët në Shqipëri të shkonin së mbari. Presidenti i sabotoi ato. Sabotimi kulmoi me 21 janarin e vitit të shkuar, i cili vulosi në mënyrë të pashlyeshme një të vërtetë që s’mund të fshihet. Ka të drejtë Kryeministri Berisha kur, lidhur me Presidentin ende në detyrë, thotë: “Ka disa probleme të thella etike. Nuk ka ndodhur kurrë që një president në detyrë të krijojë një parti politike. Këtë e bën vetëm ai që është primitiv në politikë ose ai që është i detyruar dhe jo i lirë. Kur nuk je i lirë, bën çdo gjë pastaj”.
Koha do të vërtetojë njërën prej të dyjave: ose primitivizmin e Topit si politikan (rasti më i mirë) ose obligimin e tij ndaj ndonjë force të padukshme, së cilës nuk i shpëton dot (rasti më i keq). Alternativa e kthimit të pronave pronarëve, është tymnajë. Njerëzit kanë sy të shikojnë, kanë veshë të dëgjojnë, kanë edhe tru të gjykojnë.