Unë nuk kam motër, dhe shyqyr që nuk kam
Unë nuk kam motër, dhe shyqyr që nuk kam. Nëse do të kisha, jam i sigurt se duke folur lart e poshtë kundër qeverisë, kushedi sa herë do ma kishin zënë në gojë. Jo për gjë, por e shkreta do të mbante mbi shpatulla peshën e zullumeve të mia. Si një element i ri i foltoreve politike dhe i kolltukëve analitikë, ia vlen që të merresh sado pak me motrat, aq më tepër kur me to merret një punonjës i rëndësishëm i Ministrisë së Kulturës dhe madje shprehet edhe vetë hirësia e tij, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi. Spektakli i paparë që ndodhi në një emision televiziv, ku një analist i njohur (Frrok Çupi) akuzoi për moral të dyshimtë motrën e analistit tjetër (Eduard Zaloshnja), ka krijuar një ngjarje shumë të përfolur në vend. Klikimet e panumërta në You Tube tregojnë se sporti më i zhvilluar në Shqipëri, ai i sharjeve dhe sherreve, po krijon dimensione të reja në strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të atdheut tonë. Kjo strategji e projektuar me shumë dashuri prej Kryeministrit dhe pasuesve të tij po e bën me vetëtimtare të ardhmen tonë. Edhe shfaqja në fjalë, me adrenalinën që prodhoi te publiku, na tregon se viti i pavarësisë do të shfaqë në sytë tanë mrekulli të tjera, të pashijuara deri më sot. Në fakt, ajo që ka nxitur më shumë kureshtjen është elementi MOTËR, i përdorur për herë të parë në përballjen e analistëve të djathtë me të majtë. Ka pasur një precedent me motër, është e vërtetë, por ka qenë një precedent me pronësi kryeministrore, përkundër një deputeti që kishte motër (Taulant Balla). Ndërsa rasti në fjalë ka të bëjë me një emision televiziv (“Fakt” në UTV), ku Frrok Çupi, drejtor në Ministrinë e Kulturës dhe analist i pavarur djathtas, iu drejtua Eduard Zaloshnjës, analist i pavarur me tepër majtas, me pretendimin se ky e ka pasur motrën ku.vë. S’e përmenda të plotë fjalën pasi nuk do të doja ta ngacmoja sado pak sedrën familjare të “viktimës”. Kjo është ngjarja, ky është lajmi: një gazetar shan me motër pa iu dridhur qerpiku një gazetar tjetër. Këtë javë është folur shumë, është komentuar shumë rreth këtij evenimenti. Por personalisht më ka bërë përshtypje një debat mbi debat, në po të njëjtin televizion, ku politikanë dhe analistë merrnin nëpër gojë rastin në fjalë dhe të tjera të ngjashme me të, duke analizuar etikën publike të njerëzve të politikës dhe të mediave. Aty ishte i ftuar dhe ministri i Kulturës, i madhi Aldo Bumçi. Ky, përfaqësuesi më i lartë i institucionit që menaxhon kulturën dhe artin e këtij vendi, më pataksi pa masë me një argument “plot kulturë” që përdori në arsyetimin që ndërtoi për ngjarjen “motra”. Sipas tij, këto ndeshje publike janë normale sepse përfaqësojnë një klithmë agresive përkundër 45 vjetëve diktaturë. Sipas tij, liria “shqeu” (shqeu e them unë) gojët e mbyllura e të dhunuara nga diktatura, e duhet parë (gjithmonë sipas tij), si një element progresiv në demokraci E bukur kjo! Vetëm Aldos mund t’i shkonte në mendje ky arsyetim brilant. Me thënë të drejtën, është një shpjegim ky i ministrit. Bumçit i duket si një spektakël bashkëkohor sharja nga motra, madje i justifikuar, sepse mbart në vetvete mllefin ndaj xhelatëve; e sipas tij, siç u shpreh më pas, një përballje e tillë orale, në fund të fundit, shmang dhunën fizike. Fiiiifiu! (fërshëllej). Në fakt, po ta mendosh hollë, në 100-vjetorin e pavarësisë, fryma luftarake (gojore në këtë rast) në hapësirën shqiptare, është afër Unë nuk kam motër, dhe shyqyr që nuk kam mendjes një detaj brilant regjisorial për të arritur drejt kulminacionit artistik në nëntor. Ministria e Kulturës, që kuptohet, për këtë mbahet ende në këmbë nga Saliu, duhet të krijojë përmasën e duhur të konfliktit, në mënyrë që kur të mbërrijnë ditët finale të përvjetorit të madh, të na duket se përballë Partisë së lavdishme Demokratike që ka Festën e Pavarësisë, nuk kemi opozitën e mjerë pa të drejtë festash, por kemi turqit, që i shajmë para e prapa nga motra. Në të vërtetë, po të dëgjosh dhe besosh Saliun, duket se armiku nuk është pushtuesi, por opozita, e cila është më e urryer dhe më mëkatare se otomanët, dhe Edi Rama më zemërzi se Ballaban Pasha. Ndaj ngatërrohem pak kur përpiqem të kuptoj se kush do jetë armiku në 100-vjetor. Nejse, kemi kohe ta kuptojmë më mirë në të ardhmen, sidomos nga strategjitë e Aldos. Niveli i zotit Bumçi, i ministrit tonë të Kulturës, është, as më pak dhe as më shumë, niveli që u imponon për vite e vite Sali bollëku shqiptarëve. Por ajo që e bën më madhështor Bumçin në argumentin e tij, është se analisti që shau nga motra është njëri prej punonjësve të sapoemëruar si drejtor në njërën prej drejtorive më të rëndësishme në MTKRS. Duke mbrojtur vartësin, Bumçi më në fund, publikisht, na paraqet dhe strategjinë e Ministrisë së tij, politikat kulturore të institucionit që drejton, ku më e spikatura, me sa duket, qenka ajo e promovimit të sharjeve të reja, mundësisht nga motra. Po zoti Bumçi, a ka motër? Jam kureshtar ta di një detaj të tillë, për të kuptuar nivelin e transparencës së ministrit. Po qe se ka, bravo i qoftë, sepse e ka marrë parasysh kundërpërgjigjen dhe i del përballë kundërshtarit pa iu dhimbsur gjëja e tij. Po nuk pati, krijon një problem besueshmërie për strategjinë e re. Duke pasur parasysh që nën udhëheqjen e Aldos kultura dhe arti po ndriçojnë jetën tonë të lumtur, them se kjo strategji e fundit, ku motra zë vendin kryesor, do të jetë frymëzimi i prag -100-vjetorit të pavarësisë. Meqë Aldo as kujtohet të dalë dhe të thotë ndonjë gjë për punën që paguhet, të paktën në një farë mënyre lë të kuptohet se ka një plan konkret për zhvillimet afatgjata dhe afatshkurtra të artit. Jam i bindur se së bashku me statujën e 100-vjetorit të pavarësisë (tashmë të vendosur nëpër kulisat e dallkaukëve të pushtetit që nga njëra anë hapin konkurs për skulptorët e nga krahu tjetër e kanë vendosur një bocet me dy gishta lart ende pa u mbledhur komisioni), së bashku me fjalimin e tij të famshëm në Parlament, ku edhe vetë Jozefina u gajas me mrekullitë që ministri nxirrte nga goja, rasti “motra” do ta bëjë të paharrueshëm Aldon në zemrat dhe në mendjen e publikut dhe të komunitetit artistik. Askush nuk e mendonte, por ja që ndodh edhe kështu, që një ministër të ketë merak të madh me motrat e botës e ta quajë si nder bashkëpunimin me specien e rrallë të kabinetit ministror, që pasi leh e leh si vetë mbiemri i tij, i ofron një strategji të re artistike-kulturore ministrit, një strategji të denjë për brezat që vijnë. Sa për veten time, strategjia e re “motra” nuk më përfshin, sepse nuk kam motër, dhe shyqyr që nuk kam!.
