Njerëz që kërkojnë diktaturën e një mozaiku!
Restaurimi i Mozaikut "Shqipëria" në sheshin Skënderbej ka ngjallur debate ditët e fundit, pas përfundimit dhe inagurimit të tij. Shkak është bërë heqja e yllit nga flamuri kuqezi dhe për këtë shkruan dhe artisti Eljan Tanini
Nga Eljan Tanini
- 1. Si ka mundësi që këta njerëz indinjohen nga mungesa e një ylli, libri të kuq, ylli tjetër më të vogël etj, kur më në fund Mozaiku Shqipëria u shpëtua?
- 2. Vetë ndryshimet në këtë mozaik të bëra që në vitin 1993 me Vendim Qeverie nga njëri prej autorëve (Agim Nebiu) tregojnë një tjetër qasje historike. Pra vetë ndryshimi i mozaikut përbën histori. Kjo gjë mund të tregohet fare kollaj me një tabelë poshtë mozaikut. Ne prapë kemi frikë të ruajmë, ose konservojmë ndryshimet.
- 3. Të kërkosh ndryshime me dhe pa yje, me dhe pa simbole të tjera, është si të kesh ringritur Tempullin e Apollonisë me kolona granili ashtu siç e kanë bërë, të ribësh Parthenonin ashtu siç e kanë bërë, të ringresh muret arkeologjike më shumë se një metër si Bullgarët, të rizhvillosh Mozaikun e Tiranës, të vësh relievët e munguar sot te Pallati i Kulturës në Tiranë osr te Banka e Shqipërisë etj...
- 4. Mozaiku jonë është 42 vjeçar. Për disa mbase nuk ka lidhje me pjesët e historisë që përmenda më sipër. Për mua historia është njësoj, si para 6 ditësh, ashti dhe para 6000 vjetësh. Nëse objekti ka histori, krahasimet janë njësoj.
- 5. Në këtë vend unë i mirëkuptoj ata që janë të shqetësuar nga simbolet e diktaturës. Ata kanë të drejtë të shohin në histori më shumë se të tjerët. Por ata nuk mund të kenë të drejtë të marrin vendime sidomos për vepra arti dhe historike. Sidomos për vepra që janë krijuar në presion e që tregon jetën e vendit tonë.
Njerëz që indinjohen infantilisht për gjëra që nuk i takojnë kohës sonë.
- 6. Imagjino çfarë do të ndodhte nëse në mozaik do të viheshin libri i kuq te punëtori dhe yjet e hequra? Do të akuzoheshin shtetarët si bij komunistash, madje edhe europianët që dhanë paratë e restaurimit.
- 7. Si ka mundësi që shqetësohemi kaq shumë për yjet e një mozaiku, kur ne na ka i ka marrë eteri yjet e gjallë, e sa i kishim pranë nuk i kemi vlerësuar, ose i kemi vlerësuar keq. Është e thjeshtë. Ne i duam yjet vetëm kur ikin, vetëm kur ata kanë lënë gjurmë. Ne si popull adhurojmë gjurmët, formën e lënë, jo yjet.
(Në foto: Mozaiku me yll para vitit 1993, më poshtë mozaiku sot)


Sondazh
A e mbështesni protestën siç është zhvilluar dy ditët e fundit nën emrin e studentëve?
-
Po-
Jo-
Nuk e di
-
-
Lexo gjithashtu
