Njerëzit e Irakut. Ku janë sot?
Disa mbijetuan, ka nga ata që humbën gjithçka. Disa bënë emër, të tjerë humbën reputacion në mënyrë të pakthyeshme. 5 vjet nga fillimi i luftës më të diskutueshme të kohëve moderne, pjesa më e madhe e atyre që dikur mbushnin faqet e para të gazetave janë zhdukur prej tyre në një mënyrë ose në një tjetër. Po ku ndodhen tani?
KOFI ANNAN
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, 5 vjet më parë e dinte se duhet ta mbante gojën kyçur për krizën në Irak, ndërkohë që fuqitë e mëdha po përplaseshin me njëra-tjetrën në Këshillin e Sigurimit. Por, pas heshtjes fillestare në intervistën e parë që dha pak muaj pas sulmit amerikan, e cilësoi luftën "të paligjshme", pasi ajo nuk ishte autorizuar nga Këshilli i Sigurimit. Që kur është larguar nga OKB, në dhjetor të vitit 2006, është vendosur në Gjenevë, ku ka hapur një fondacion, "Forumi Global Humanitar".
HANS BLIX
Në kohën para luftës ishte një ndër emrat më të rrahur në diplomacinë botërore. Kishte pozicionin e shefit të inspektorëve të OKB-së për armët. Nuk është treguar kurrë shumë i ashpër me Sadam Huseinin dhe neokonservatorët e administratës së Bushit i bënë shumë presion që të pranonte në raportin e tij se para luftës në Irak kishte "armë të shkatërrimit të masë". Menjëherë pas fillimit të luftës e la detyrën në Kombet e Bashkuar, për të themeluar dhe kryesuar Komisionin e Armëve të Shkatërrimit në Masë me bazë në Stokholm të Suedisë, një organizatë kjo e pavarur.
DONALD RUMSFELD
Së bashku me mikun e tij të vjetër dhe mbrojtësin e dikurshëm, Dik Çeni, Rumsfeld ishte personi që i udhëhoqi "skifterët" drejt betejës për të fituar zemrën e Presidentit Bush. Si Sekretar i Mbrojtjes ai ishte për një sulm të menjëhershëm ndaj Irakut që pas tragjedisë së 11 shtatorit, duke paralajmëruar në atë kohë për kërcënimin që paraqiste Sadam Huseini dhe armët e dëmtimit në masë që ai kishte. Sulmin ndaj Irakut e konsideronte si një test të besimit të tij të patundur se luftërat moderne nuk kishin nevojë për ushtri të mëdha e shpenzime, por për një ushtri të vogël e të mirëpajisur me teknologji të lartë dhe sigurisht shumë të kualifikuar. Por bashkë me bindjen dhe dështimin e eksperimentit, dështoi edhe vetë Sekretari i Mbrojtjes, i cili mban në kurriz gjithë katrahurën e sulmit, si dhe turpin e burgut famëkeq të Bagdadit, Abu Ghraib. Arrogant dhe përçmues, më shumë një nacionalist se një neokonservator, ai do të konsiderohet si shefi më i kundërshtuar që ka pasur ndonjëherë në krye Pentagoni. U bë dy herë rresht shkak i revoltave të gjeneralëve. Një herë në verë të vitit 2001 dhe një herë tjetër në fillim të vitit 2006. U detyrua të largohej nga detyra me turp, pas marrjes së Kongresit nga demokratët.
PAUL WOLFOWITZ
Paul Wolfowitz ishte arkitekti i parë i luftës, i cili doli pro saj që në fillim të viteve ‘90. Ka qenë një mbështetës i përjetshëm i Izraelit dhe besonte në teorinë e "sulmit paraprak". Si edhe shumë neokonservatorë të tjerë, ndryshimet në Lindjen e Mesme, të bëra nga bisturia e Washingtonit, i shihte si lëvizje në të mirë të sigurisë së Izraelit. Por, për fat të keq të pozicionit në të cilin ndodhej, atij i mungonin si aftësia menaxhuese, ashtu edhe ajo e gjykimit të mirë. Si zëvendës i Rumsfeldit ai ndante me shefin e tij idenë e efikasitetit të një force të vogël ushtarake, por të mirëpajisur dhe besonte se rindërtimi i vendit do të kryhej nga të ardhurat që Iraku do të nxirrte nga shitja e naftës. Wolfowitz u largua nga administrata në vitin 2005, për të marrë postin e presidentit të Bankës Botërore, post që u detyrua ta linte me turp në vitin 2007, pas akuzave se kishte favorizuar financiarisht të dashurën e tij. Tani merret me studime në një think-thank neokonservatorësh, "American Enterprise Institute".
COLIN POWELL
Dëmi që shkaktoi lufta në Irak i dëmtoi shumë reputacionin Powell-it. Në mandatin e parë të Presidentit Bush ai kishte postin e Sekretarit të Shtetit dhe të gjithë prisnin që të ishte një zë i moderuar dhe i arsyeshëm në administratë, por doli që u manovrua nga çifti Rumsfeld/Çeni. Muajt e parë të luftës ishin turp pas turpi për një person me sedrën e Powellit. Bush i kishte injoruar këshillat e tij para lufte për t‘u menduar mirë para një sulmi që mund t‘u kushtonte shtrenjtë të gjithëve. Pika më e ulët e karrierës së Powell ishte kur në prezantimin e shkaqeve të sulmit që u bë në shkurt nga ana e amerikanëve në Kombet e Bashkuara, Powell mbrojti idenë se në Irak kishte armë të dëmtimit në masë, çka i dha shkak sulmit, por që në fund doli se ishte e pavërtetë. Sikurse është shprehur edhe vetë Powell, ai ishte një gabim i cili do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Ai ndërkohë mund t‘i bëjë vetes një pyetje: Përse me gjithë hezitimet dhe rezervat që pati për luftën nuk dha dorëheqjen në momentin e duhur? Kjo është edhe pyetja që i kanë bërë njerëzit që dikur e admironin dhe e çmonin për cilësitë e rralla që ishte. Ku ndodhet tani? Që kur la qeverinë, si edhe shumë ushtarakë të tjerë të vjetër, thjesht ka dalë nga skena.
CONDOLEEZZA RICE
Ka mbajtur postin e Këshilltares Presidenciale të Sigurisë Kombëtare gjatë periudhës së sulmit. U injorua që në fillim si autoritet nga tresha e fuqishme që kishte realisht pushtetin në Shtëpinë e Bardhë: Çeni, Rumsfeld dhe Powell. Pas zgjedhjeve të vitit 2004, zëvendësoi Powell-in në postin e Sekretarit të Shtetit. Pati një fillim premtues, duke planifikuar përmirësimin dhe shërimin e marrëdhënieve të plagosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e tjera të botës, për shkak të sulmit në Irak. Por rezultoi një zhgënjim. Reputacioni i saj nuk u përmirësua kurrë më, pas përshkrimit që i bëri sulmit të Izraelit në Liban në vitin 2006 me fjalinë: Kjo luftë përfaqëson dhimbjet e lindjes së një Lindjeje të Mesme të re". Përpjekjet e saj për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes palestinezëve dhe izraelitëve në fund të këtij viti duken të mjera. Dikur kishte nga ana që e mendonin si një kandidate të mundshme presidenciale në zgjedhjet e këtij viti, por e vetmja gjë që mund të bëjë Kondi, pasi të lërë pushtetin, do të jetë vazhdimi i jetës universitare në një pozicion drejtues në Universitetin Stanford.
DICK CHENEY
"Dik Çeni, unë nuk të njoh më", i ka thënë vitet e fundit një ish-kolegu i tij i vjetër në lidhje me shndërrimin nga një Sekretar i Mbrojtjes i moderuar në Luftën e Parë të Gjirit, në një drejtues të ashpër dhe arrogant e luftarak të sulmit në dytë ndaj Sadam Huseinit. Konsiderohet si zëvendëspresidenti amerikan më i fuqishëm e i pushtetshëm i të gjitha kohërave dhe në këtë pozicion ai ishte nga mbështetësit më të zellshëm të luftës, duke paralajmëruar që në fillim se Sadami mbante të fshehura armë të dëmtimit në masë. Sikurse edhe Rumsfeld, ai nuk është një neokonservator i mirëfilltë. Më tepër i përket bindjes nacionaliste se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë çfarë të duan kur është fjala për mbrojtjen e vendit të tyre. Nga ky besim rrjedhin të gjitha politikat e tij, duke nisur që nga injorimi i autoritetit të OKB-së, te vlerësimi për torturën dhe bindja që Amerikës i duhet një presidencë e fortë. Pavarësisht mungesës së popullaritetit, Çeni vazhdon të mbajë postin e tij dhe të jetë një person shumë i fuqishëm. Ai është edhe një nga mbrojtësit dhe nxitësit më të mëdhenj të sulmit kundër Iranit.
GEORGE W. BUSH
Është personi kryesor që fajësohet për disfatën më të madhe të provuar ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në politikën e jashtme. Bush e ndau mendjen për sulmin në Irak që në mesin e vitit 2002. Arsyet për këtë ende nuk janë të qarta. Të kenë qenë armët e dëmtimit në masë, që mendohej se kishte Sadami? Naftë? Bindja e neokonservatorëve se demokracia duhet të vendoset me forcë? Apo një dëshirë për të provuar se i ati e kishte pasur gabim kur nuk e përmbysi Sadamin që në sulmin e vitit 1991? Ndoshta arsyet janë të gjitha sa u tha më sipër, të bëra bashkë. Që nga viti 2003, popullariteti i Presidentit ka pësuar rënie pas rënieje. Pavarësisht përpjekjeve të ndryshme për të qetësuar Irakun e përgjakur, paqja është shumë larg nga ai vend. Ai me kokëfortësinë e tij nuk e pranon kurrë një gjë të tillë, madje deklaroi së fundmi se situata ishte një fitore e vërtetë. Ai nuk do të pranojë edhe faktin se fituesi më i madh i luftës në Irak ishte armiku i madh dhe i vjetër i Amerikës, Irani. Është e sigurt që Bush do të konsiderohet si një nga presidentët më të këqij që kanë pasur Shtetet e Bashkuara, në mos më i keqi në historinë e tyre.
SADDAM HUSSEIN
Pas dy dhjetëvjeçarësh sundimi gjakatar, regjimi i Sadamit u shkërmoq në javën e tretë të sulmit. Vetë Raisi u fsheh derisa u gjet në një vend të fshehtë, në një fermë në afërsi të vendlindjes. Kur e zbuluan në një qilar të vogël, diktatori ishte shndërruar krejtësisht fizikisht. Mjekra dhe flokët i ishin zbardhur. Pas kapjes nga trupat amerikane, iu dërgua autoriteteve vendase në qershor të vitit 2004 dhe menjëherë pas kësaj nisi gjykimi. Vetë Sadami ishte kundër gjykatës, legjitimitetin e së cilës nuk e njohu deri në fund, më 30 dhjetor 2006, kur u var në një ndërtesë që, ashtu si regjimi i tij, përdorej për të ekzekutuar armiqtë.
TONY BLAIR
Konsiderohet si lideri më i suksesshëm i laburistëve britanikë, pasi solli ndryshime thelbësore në politikën britanike. Pavarësisht sukseseve brenda vendit, vendimi që mori për t‘iu bashkuar amerikanëve në luftën në Irak do të dominojë vendin që do të zërë ai në librat e historisë. Në 18 mars të vitit 2003 mbajti një fjalim në Dhomën e Komunave, në mbrojtje të sulmit kundër Irakut dhe të faktit se Sadami kishte armë të dëmtimit në masë. Pavarësisht se si shkoi puna e luftës, Blair e mbrojti deri në fund qëndrimin e mbajtur ndaj saj fillimisht, por kjo i dëmtoi shumë reputacionin. Dha dorëheqjen si Kryeministër i vendit në qershor dhe aktualisht është i dërguari zyrtar për paqen në Lindjen e Mesme. Ka pranuar gjithashtu edhe një post konsulenti në bankën JP, organ me qendër në Zyrih.
AYATOLLAH ALI AL-SISTANI
Si lideri suprem i shumicës shiite në Irak, lufta e katapultoi dhe e shndërroi në një nga figurat më të rëndësishme, por edhe më enigmatike të vendit. Nuk kontakton drejtpërsëdrejti me amerikanët, por ka bashkëpunuar me forcat e reja politike dhe qeverinë e Irakut. Pa fjalën e tij nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje që ka të bëjë me të ardhmen e Irakut. Të gjitha institucionet që kanë shumicë shiite nuk bëjnë asnjë lëvizje pa marrë udhëzime prej tij. Del gjithnjë e më rrallë në publik, ndoshta për shkak të gjendjes shëndetësore, e cila ka nisur të shqetësojë shumë mbështetësit e tij nga frika e lënies së një vakumi pas vdekjes. Ditët i kalon në një apartament në Najaf, që është edhe qendra shpirtërore e myslimanëve shiitë irakianë.
ROBIN COOK
Dorëheqja e tij nga kabineti qeveritar, në prag të votës parlamentare që do të autorizonte luftën, e shndërroi ish-ministrin e Jashtëm britanik në një hero të lëvizjes anti-luftë. Fjalimi i dorëheqjes ishte elektrizues dhe u shoqërua nga një duartrokitje e parlamentarëve që, jashtë çdo tradite të mëparshme, zgjati plot 12 minuta. Në fjalën e tij, ndër të tjera ai tha: "Iraku, sipas të gjitha shanseve, nuk ka armë të dëmtimit në masë". Vdiq pak kohë më pas, gjatë një shëtitjeje në Skoci.
GJENERAL MIKE JACKSON
Jackson u bë një figurë e njohur publike gjatë drejtimit të trupave të NATO-s në Kosovë. Ai gjithashtu refuzoi urdhrin e famshëm të Wesley Clark, shefit të tij në NATO, që të përballej me trupat ruse që ndodheshin në aeroportin e Prishtinës, duke thënë se nuk kishte ndërmend që të niste një luftë të tretë botërore. Por suksesi në Kosovë iu errësua nga Iraku. Pas tërheqjes nga kreu i ushtrisë, ai i kritikoi amerikanët për mospasjen e një plani post-sulm. Për sa i takon grupit të neokonservatorëve në administratën amerikane, ai i përshkroi ata si një grup njerëzisht të dështuar intelektualisht. Ai e ndjeu veten përgjegjës për abuzimet e ushtarëve amerikanë ndaj irakianëve, si dhe për vuajtjet e tyre dhe civilëve të këtij vendi për shkak të luftës.
ALI ABBAS
Është një nga figurat më tragjike të luftës, të një lufte që ka nxjerrë shumë pamje shkatërrimesh e dëshpërimi. Por një nga fotot më goditëse që do të mbahet mend gjatë është ajo e një djali 12-vjeçar, i cili pas goditjes që pësoi shtëpia e tij nga një raketë amerikane, humbi të dy krahët dhe pësoi djegie në 60% të trupit të tij, ndërkohë që gjithë familjarët e tjerë iu vranë. Shumë gazeta dhe revista e vunë në faqen e parë djalin fatkeq, që u pagëzua si "Aliu tragjik" dhe shërben edhe sot e kësaj dite si një dëshmitar tragjik i çmimit të lartë që paguan njerëzit e thjeshtë në luftën kundër Sadamit.
TARIQ AZIZ
Pas Sadamit ishte lideri më i njohur në Perëndim. Shquhej si pirës cigaresh dhe si diplomat i zoti. Ishte ministër i Jashtëm gjatë Luftës së Parë të Gjirit. U përdor nga Sadami duke qenë se ishte një figurë shumë e moderuar dhe fliste një anglishte perfekte. Gjatë kohës së sulmit të vitit 2003, ai u ngri në detyrë në pozicionin e zëvendëskryeministrit, pavarësisht se ishte i vetmi i krishterë në një regjim të dominuar nga sunitët. Pas pushtimit të vendit u kap nga amerikanët dhe doli edhe si dëshmitar në gjyqin e famshëm të Sadam Huseinit. Ndodhet ende në burg dhe pritet të gjykohet së shpejti, ndërkohë që ndodhet në një gjendje të keqe shëndetësore.
LYNNDIE ENGLAND dhe CHARLES
England është një roje burgu dhe së bashku me të dashurin e saj, Garner, dolën në fotot famëkeqe të burgut bagdadas të Abu Ghraib, ndërsa po keqtrajtonin e vëzhgonin të burgosurit e poshtëruar, foto të cilat bënë xhiron e botës dhe njollosën reputacionin e ushtrisë amerikane. Çifti u dënua në një gjyq ushtarak. Garner mori 10 vjet burg, ndërsa England 3. Të dy deklaruan se ishin nxitur në veprimet e tyre nga shefat e lartë.
JACQUES CHIRAC
Zgjedhja e Chirac për herë të dytë në krye të Francës në vitin 2003 ishte shumë kontradiktore, pasi në raundin e dytë zgjedhësve u duhej të zgjidhnin mes tij dhe ekstremistit të djathtë, Jean-Marie Le Pen. Por popullariteti i Presidentit pësoi ngritje me kundërshtinë që i bëri sulmit amerikan në Irak. Që nga ai moment, Chirac u bë një aktivist më i zellshëm anti-luftë. Një vit më parë i mbaroi mandati i dytë presidencial dhe tani ndodhet në prag të përballjes ligjore me akuza kriminale për shmangie e përvetësim fondesh publike gjatë kohës që ishte në pushtet.