E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa për ribashkimin e Qipros

Liderët e Qipros greke dhe asaj turke ranë dakord të rifillojnë bisedimet për ribashkimin e ishullit dhe të shembin barrikadën që ndan mes përmes kryeqytetin Nikozia. Ai i djeshmi ishte takimi i parë mes liderit greko-qipriot Demetris Kristofias dhe atij turko-qipriot Mehmed Ali Talat, që pasi Kristofias u zgjodh President i Qipros, muajin e shkuar dhe rindezi shpresat për rijetësimin e bisedimeve, që janë thelbësore edhe për ambicien e Turqisë për anëtarësim në BE. "Liderët kanë rënë dakord të takohen pas tre muajsh", tha Majkëll Moller, përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara në Qipro, që ishte i pranishëm në takimin mes dy liderëve në territorin e kontrolluar nga OKB-ja dhe që ndan Nikozian. "Liderët kanë rënë dakord edhe që rruga Ledra, sa më shpejt që të jetë e mundur, të rihapet", shtoi ai. Greko-qipriotët dhe turko-qipriotët kanë jetuar të ndarë që pas pushtimit të Turqisë në 1974-ën, si përgjigje ndaj një grushti shteti të inspiruar nga Greqia. Përpjekjet për arritjen e paqes dështuan në vitin 2004, kur greko-qipriotët refuzuan një plan të Kombeve të Bashkuara për ribashkimin, që u pranua nga turko-qipriotët dhe menjëherë më pas u anëtarësuan të vetëm në Bashkimin Evropian. Analistët thonë se ky mund të jetë shansi i fundit për t‘i dhënë fund ndarjes dhe diplomatët druajnë se një status quo e zgjatur do ta thellonte ndarjen, duke dëmtuar edhe shpresat e Turqisë për t‘u anëtarësuar në BE e duke acaruar marrëdhëniet e saj me partneren e NATO-s, Greqinë. Moller tha se të dyja palët kanë rënë dakord të ngrenë një komitet, që do të diskutojë çështjet e veçanta dhe të dy liderët më pas do të takoheshin brenda tre muajsh për të riekzaminuar progresin dhe më pas do të fillojnë edhe negociatat e plota. "Ky është rezultati më i mirë i mundshëm për momentin", tha analisti politik Janis Papadakis. "Ata kanë rënë dakord për procesin. Hapja e rrugës Ledra, që ka qenë një telash i madh për shumë vite, është shumë simbolike". Ledra është rruga kryesore tregtare në zemër të Nikozias mesjetare dhe ka qenë e ndarë me barrikada prej një gjysmë shekulli. Muri është rrëzuar vitet e fundit, por rruga mbetet e bllokuar, për shkak të kundërshtive në lidhje me patrullimet ushtarake në zonë. Ndërtesat e rrënuara në zonën e mbrojtur duhet të zhduken tani, ndërkohë që duhet pastruar edhe terreni nga minat para se të hapet për publikun, një proces që Kombet e Bashkuara thonë se do të zgjasë 10 apo 15 ditë. Dy liderët ishin të ekzaltuar, ndërsa dilnin nga zyrat e Mollerit, në terrenin e braktisur të aeroportit të Nikozias. "Unë pres që në harkun kohor të tre muajve të arrijmë rezultate pozitive, të cilat do të na ndihmojnë më pas të nisim dialogun e drejtpërdrejtë nën ombrellën e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së", tha Kristofias për gazetarët. "Ne duhet të jemi gjithsesi optimistë dhe kemi rënë dakord se duhet të punojmë së bashku me dëshirën e mirë për t‘i zgjidhur problemet". Ish-presidenti Tasos Papadopulos, i mundur në zgjedhjet e muajit të shkuar, kishte shënuar fare pak progres në bisedimet për ribashkimin me homologun e tij, Talat Kristofias, ndërkohë ka pasur lidhje më të ngushta me turko-qipriotët dhe ashtu si Talati ka një të shkuar në aktivitetet majtiste të politikës. "Kjo është një erë e re, një fillim i ri për zgjidhjen e problemit të Qipros. Objektivi ynë është që të gjejmë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët, sa më shpejt", tha Talat para gazetarëve. Greko-qipriotët në jug përfaqësojnë Qipron në Bashkimin Evropian dhe kanë të drejtën e ndalimit të anëtarësimit të Turqisë në bllok.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›