Njeriu i Ina Ramës, Arian Ndoja jep dorëheqjen pas skandalit të dhjetëfishimit të pasurisë për dy muaj

Prokurori i I Rrethit të Durrësit Arian Ndoja, dha dje dorëheqjen pas regjistrimit të çështjes penale ndaj tij nga prokuroria e rrethit gjyqësor të Tiranës mbi kallëzimin që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP). Arian Ndoja ishte emëruar në këtë detyrë 10 muaj më parë. Në një konferencë për shtyp, prokurori Arian Ndoja bëri të ditur dje se i ka drejtuar një kërkesë Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, për dorëheqjen nga detyra e prokurorit të Rrethit të Durrësit. Ndoja e cilësoi hetimin që ka nisur ndaj tij lidhur me deklarimin e pasurisë, si të pabazuar në ligj, ndërkohë që ka shtuar se "është absurde të mendosh se një jurist nuk di të plotësojë formularin e deklarimit të pasurisë". Ai shtoi se dorëheqja është një veprim qytetar, i cili nuk ka ardhur për shkak se deklarimi i tij i pasurisë ka probleme, ndërsa shprehu gatishmërinë që të përballet me drejtësinë cilido qoftë vendimi i saj. Në formularin e deklarimit të pasurisë Arian Ndoja ka bërë të ditur se disponon në formë prone dhe gjendje llogarish bankare një pasuri që kap shumën e 743 mijë euro në total. Kjo pasuri është siguruar gjatë kohës që ai ka qenë avokat në Tiranë dhe Durrës. Ndërkohë, ILDKP-ja para disa ditësh njoftoi se ka bërë kallëzim penal në lidhje me deklarimin e pasurisë së prokurorit të Durrësit Arian Ndoja, një pjesë e së cilës duket se nuk është gjetur si e justifikuar nga Inspektorati. Kryeprokurori i rrethit të Durrësit, Arian Ndoja, është kallëzuar penalisht nën akuzën “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Pas këtij kallëzimi, mësohet se Prokuroria e Rrethit të Tiranës ka nisur hetimet lidhur me padinë penale të bërë ndaj kryeprokurorit të Durrësit, Arian Ndoja. Mësohet se prokurorët e kryeqytetit do të bëjnë hetime dhe në terren ku do të verifikojnë deklarimet që do të japë kryeprokurori i Durrësit. Sipas kallëzimit penal të ILDKP-së, mësohet se nga llogaritja e të dhënave të deklarimit të pasurisë nga Arian Ndoja, rezulton se ai për periudhën qershor 2004 - janar 2008, ka përfituar të ardhura nga puna e tij si avokat i Dhomës së Avokatisë Tiranë, në shumën prej 743 mijë euro. Sipas deklaratave të pasurisë së kryeprokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, mësohet se, në deklaratën e tij të pasurisë, të dorëzuar në 5 mars të këtij viti, ai kishte të regjistruar një pasuri, të tundshme e të patundshme, që arrinte në rreth 743 mijë euro. Kjo deklaratë, mësohet se është bërë vetëm 2 muaj pasi ai kishte marrë detyrën e prokurorit të Rrethit të Durrësit. Në krye të kësaj prokurorie, mësohet se ai kishte hipur jo më larg se data 28 janar e këtij viti. Pasuria e kryeprokurorit të Durrësit, duke ju referuar vetëdeklarimit të tij, mësohet se është rritur prej më se dhjetëfish, që kur ai ka marrë detyrën e re zyrtare. Në një tjetër deklaratë pasurie të Arian Ndojës, të dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në 3 qershor 2005, mësohet se pasuria e tij nuk shkonte më shumë se 60 mijë euro, nga të cilat, vetëm 20 mijë euro, llogariten CASH, ndërsa pjesa tjetër, janë vlera e një automjeti dhe të ardhurat nga puna e tij si avokat. Ndërkohë, mësohet se prokurori Arian Ndoja nuk ka asnjë dokument që të provojë këtë pasurim të shpejtë. Ndërkohë, duke ju referuar burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mësohet se në tatime, Arian Ndoja, ishte regjistruar gjatë kohës që bënte punën e avokatit, si dhe kishte paguar detyrimet financiare vetëm për një periudhë 3-mujore. Mësohet se Arian Ndoja, ka punuar si avokat për një periudhë rreth 4-vjeçare, që nga viti 2004, vit në të cilin ai u shkarkua si prokuror për abuzime me detyrën ...