Reagon MPPTT: Edi Rama, urrejtje patologjike për rrugën që bashkon shqiptarët

Opozita dhe mediat e kontrolluara fort prej saj, kanë filluar përsëri mësymjen vrastare ndaj projektit gjigant, rrugës së shqiptarëve, autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Gjatë dy ditëve me radhë, megafonat e opozitës, kumtojnë në llomotitje rrugëve të Tiranës, me pretendime se po abuzohet me disa segmente të autostradës.
Nuk ka vonuar reagimi i Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, e cila ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që bëhen nga opozita dhe hispanikët mediatikë të saj. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ministria hedh poshtë të gjitha akuzat dhe pretendimet e ngritura nga pala opozitare, duke i konsideruar ato si spekulime dhe gënjeshtra të paprincipta. “Nën dirigjimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, mediat e kontrolluara prej tij rifilluan bombardimin me gënjeshtra mbi rrugën Durrës-Kukës. Në respekt të transparencës ndaj publikut, sqarojmë se çdo pretendim i ngritur në shkrimet që shpërndan Edi Rama nëpër mediat e kontrolluara nga lejet e ndërtimit është spekulativ, i gënjeshtërt dhe i pacipë. Pretendimi se ka një oponencë që nuk e justifikon ndërtimin e rrugës është mashtrim”, thuhet në komunikatën për shtyp të ministrisë. Sipas ministrisë, në dokumentin që citohet në shtyp, dhe që është në fakt oponenca e projekt idesë dhe jo e projekt zbatimit, thuhet se “varianti A1 + B paraqitet më i mirë, si nga ana planimetrike, kostoja e ndërtimit dhe, sidomos, ajo e shfrytëzimit”.
Sugjerimet që kanë të bëjnë me zgjidhjen planimetrike që nuk prek rrugën ekzistuese Rrëshen - Rreps dhe për tipin e traut që do të përdorej për urat, janë marrë parasysh tërësisht gjatë projektit”. Ndërsa në oponencën e projekt zbatimit, konkludohet se “projektuesi ka treguar kujdes në përzgjedhjen e aksit planimetrik dhe altimetrik të rrugës, për të dhënë një zgjidhje efecientë, në teknikë dhe ekonomike”.
“Tipizimi që i ka bërë urave dhe tombinove lehtëson jashtë mase ndërtimin e tyre, duke sjellë ekonomi në ndërtim dhe përfitim në kohë. Projekti ia ka arritur qëllimit në dhënien e një zgjidhje teknike të kënaqshme, ekonomike dhe të lehtë për zbatim”.
Përsa i përket mashtrimeve në lidhje me kostot e rrugës, Ministria sqaron se kosto për kilometër, më së shumti përcaktohet nga terreni ku kalon rruga.
“Për të ilustruar më mirë, se deri ku mund të mbërrijnë kostot për kilometër në rrugë që kalojnë në terrene gjeografike të vështira, mjafton të përmendim se,
në Kroaci, segmenti Krapina – Macelj, pati një kosto prej 15 milion Euro për kilometër, në Slloveni, rruga Sentiv – Koseze kushtoi 240 milionë Euro për 4.5 kilometra, pra 55 milionë Euro për kilometër. Po në Slloveni, seksioni Tojanë kushtoi 450 milionë Euro për 16 km, pra 30 mln Euro për km. Në Sllovaki rruga Sverepec – Vrtizer kushtoi 300 milionë Euro për 9.5 kilometra, pra 31 milionë Euro për km. Në Poloni seksioni autostrada S8 kushtoi 1 miliardë, ose 100 milionë dollarë për km. Në Suedi autostrada Sodra, 6 km, kushtoi 850 milionë Euro, ose 140 milionë Euro për km. Në Holandë, rruga Delft – Rotterdam, 7 km e gjatë ka kushtuar 700 milionë Euro pra 100 milion Euro për kilometër. Përsëri në Suedi, bypass-i perëndimor i Stockholm-it kushtoi 2.6 miliardë Euro, ose 110 milionë Euro për km. Në Spanjë, 5.5 km në Seville, kushtojnë 590 milionë Euro, ose 107 milionë Euro për km. Në Greqinë fqinje, seksioni i rrugës Egnatia Panagra – Polymos, 31 km, kushton 659 milionë Euro, rreth 21 milionë Euro për km. Kaq mjafton për të kuptuar se sa dashakeq është spekulimi që bëhet me kostot e rrugës Rrëshen-Kalimash, pas të cilave, në të vërtetë fshihet vetëm një gjë: urrejtja patologjike që ka zoti Rama për rrugën që lidh Shqiptarët”, përfundon reagimi zyrtar i MPPTT.
...