Pagat e reja për nëpunësit e administratës së prefekturave
Eljona Ballhysa
Duke filluar nga data një korrik e këtij viti nëpunësit e administratës së prefekturave kanë përfituar një pagë të re. Vendimi i miratuar pak kohë më parë nga Këshilli i Ministrave zbardhet tashmë nga gazeta “Albania”. Ky vendim paraqet ndryshimet që i janë bërë vendimit të vitit 2006 të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për nëpunësit e administratës së prefektit. Vendimi i ri parashikon nivelin e pagave për të gjithë prefektët e vendit të diferencuar në bazë të vendndodhjes së prefekturës.
Pagat për prefektët
Kështu, prefekti i qarkut të Tiranës në bazë të vendimit të qeverisë nga data një korrik do të marrë një pagë mujore prej 114 000 lekësh. Ndërsa prefektët e qarqeve të tjera do të përfitojnë 106 000 lekë në muaj. Ndërkaq në vendim është parashikuar që individët që mbajnë postin e nënprefektit të nënprefekturave të Kavajës, Lushnjës dhe Sarandës të kenë një pagë mujore prej 90 500 lekësh. Kurse nënprefektët e nënprefekturave të Krujës, Pogradecit, Librazhdit, Tepelenës, Përmetit, Matit, Pukës, Tropojës dhe të Skraparit do të kenë një pagë mujore prej 84 000 lekësh. Në vendim është parashikuar që nënprefektët e nënprefekturave të Malësisë së Madhe, Bulqizës, Peqinit, Gramshit, Devollit, Mallakastrës, Hasit, Kuçovës, Mirditës, Delvinës, Kurbinit dhe Kolonjës të marrin një pagë mujore prej 78 500 lekësh. Për postin e këshilltarit të prefektit të Tiranës Këshilli i Ministrave ka miratuar një pagë mujore prej 61 000 lekësh, ndërsa për zëdhënësin e prefektit të Tiranës një pagë prej 51 000 lekësh.
Kualifikimet
Në bazë të vendimit të qeverisë, prefektët dhe të gjithë nëpunësit e administratës së prefekturave do të përfitojnë shtesë mbi pagë për të gjitha gradat dhe kualifikimet shkencore që kanë marrë. Kështu, prefekti me gradën “Profesor” do të përfitojë 30 000 lekë shtesë mbi pagë, ndërsa për titullin “Profesor i asociuar” 25 000 lekë shtesë mbi pagë. Nënprefekti me gradën “Doktor i shkencave” do të përfitojë 20 000 lekë shtesë mbi pagë, ndërsa sekretar i Përgjithshëm me titullin “Doktor i shkencave” do të përfitojë 25 000 lekë shtesë mbi pagë. Ndërsa postet si: përgjegjës sektori në prefekturë dhe nënprefekturë, përgjegjës zyre në prefekturë dhe nënprefekturë, inspektor, specialist në prefekturë dhe nënprefekturë, që kanë kryer studime të thelluara pasuniversitare apo “Master” të nivelit të dytë do të përfitojnë një shtesë mbi pagë prej 20 000 lekësh. Shtesa jepet kur kualifikimi, grada apo titulli shkencor është në përputhje më përshkrimin e punës së nëpunësit, pas miratimit, rast pas rasti, nga Departamenti i Administratës Publike. Sipas vendimit të qeverisë kur nëpunësi ka kualifikim, gradë apo titull më të lartë, se ai i përcaktuar për pozicionin e tij të punës, përfiton vetëm shtesën e përcaktuar për këtë pozicion. Në rastet kur nëpunësi ka kualifikim, gradë apo titull më të ulët, se ai i përcaktuar për pozicionin e tij të punës, e përfiton shtesën në përputhje me kualifikimin, gradën apo titullin shkencor.
Ndërsa specialistët, përgjegjësit e zyrës apo përgjegjësit e sektorit, në prefektura dhe nënprefektura, që janë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së administratës publike dhe që kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, punonjës me arsim të lartë, në degët Inxhinieri elektronike apo Informatikë, përfitojnë një shtesë për kushte pune, prej 10 000 lekësh mbi pagën mujore të kategorisë përkatëse.
Paga mujore e prefektëve sipas prefekturave
a) Prefekti i qarkut të Tiranës 114 000 lekë;
b) Prefektët e qarqeve të tjera 106 000 lekë;
c) Nënprefekt i nënprefekturave Kavajë,
Lushnjë dhe Sarandë 90 500 lekë;
ç) Nënprefektët e nënprefekturave Krujë,
Pogradec, Librazhd, Tepelenë, Përmet,
Mat, Pukë, Tropojë dhe Skrapar 84 000 lekë;
d) Nënprefektët e nënprefekturave
Malësi e Madhe, Bulqizë, Peqin, Gramsh,
Devoll, Mallakastër, Has, Kuçovë,
Mirditë, Delvinë, Kurbin dhe Kolonjë 78 500 lekë;
dh) Këshilltar i prefektit të Tiranës 61 000 lekë;
e) Zëdhënës i prefektit të Tiranës 51 000 lekë.
13 Gusht 2008