“Të impresionuar nga ecuria e shpejtë e ekonomisë shqiptare”
Kryeministri Berisha takon përfaqësues të kompanisë së njohur gjermane BOSCH
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim një grup të kompanisë shumë të njohur gjermane BOSCH, të kryesuar nga zoti Heinrich-Herman Schulte, përfaqësues i përgjithshëm, si dhe zotërinjtë Pavlos Konstantinidis, menaxher i përgjithshëm dhe Volker Hoschele. Gjatë këtij takimi Schulte shprehu përgëzimet e tij, për progresin e arritur nga ekonomia shqiptare.
“Nga qëndrimi ynë i shkurtër këtu jemi të impresionuar për ecurinë dhe ritmet e shpejta të zhvillimit të ekonomisë shqiptare. është pikërisht ky progres i ekonomisë shqiptare dhe stabiliteti i saj, u shpreh Schulte që tërhoqi vëmendjen e kompanisë sonë për tu shtrirë me investime ne Shqipëri”, tha Schulte.
Gjithashtu Schulte theksoi se prezenca e kompanive të tjera të suksesshme gjermane është një tregues i rëndësishëm i faktit që Shqipëria është vendi më tërheqës në rajon për investime. Përfaqësuesi i përgjithshëm i kompanisë BOSCH u shpreh se qëllimi i kësaj vizite është konkretizimi i projekteve, në fushën e energjisë së erës, në ngrohje dhe në prodhim fotovoltaikësh.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi Schulte për interesin e treguar, për të investuar në Shqipëri dhe siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë fuqimisht projektet e tyre, për ti kthyer ato në një histori suksesi.
Kryeministri u shpreh se sektorët e përcaktuar si prioritet nga kompania BOSCH janë gjithashtu sektorë prioritare edhe për qeverinë shqiptare. Kryeministri theksoi se klima e biznesit e realizuar në sajë të reformave të qeverisë kanë bërë që ritmi i rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri edhe në kohë krize të jetë i lartë.
“Për ne është vërtetë shpërblyes, interesi dhe qëllimet e kompanive të mëdha si BOSCH për të investuar në Shqipëri”, deklaroi kryeministri Berisha.