E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, i hiqet imuniteti kryegjyqtares së Bandës së Lushnjes



Këshilli i Lartë i Drejtësisë i heq imunitetin kryegjyqtares së Bandës së Lushnjes, pasi nga organi i akuzës në Durrës kanë nisur hetimet ndaj saj për veprën penale të korrupsionit. Kjo ka qenë masa e parë dhe e vetme e dhënë në mbledhjen e djeshme nga Këshilli, i cili rendin e ditës e nisi me kërkesën e prokurorisë së Durrësit për heqjen e imunitetit të gjyqtares Marsela Balili, gjyqtare e Shkallës së Parë. KLD miratoi dje dhënien e autorizimit për procedim penal ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë për krime të rënda Marsela Balili, duke passjellë si vendim lejimin për kryerjen e hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila ka regjistruar emrin e gjyqtares në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar asaj veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Dyshohet se procedimi ndaj gjyqtares ka lidhje edhe me procedimin që ka nisur ndaj bashkëshortit të saj Aleksandër Plepi, i akuzuar dhe nën hetim tashmë për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek personat që ushtrojnë funksione publike”. Sipas hetimeve, dyshohet se prokurori ka ndikuar në çështjet që ka pasur nën gjykim bashkëshortja për t’i ulur masën e dënimit, kundrejt shumave të konsiderueshme euro-sh. Bëhet fjalë për çështjen e Besnik Brakës, për të cilin dyshohet se prokurori do të përfitonte 50 mijë euro në këmbim të uljes së dënimit. Një ndër pikat e rendit të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i disa masave disiplinore të propozuara nga Ministria e Drejtësisë për gjashtë gjyqtarë. Sipas burimeve nga KLD, Këshilli hodhi poshtë propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të Manjola Bejlerit ndaj së cilës ishte konstatuar një shkelje e rëndë, për shkak të refuzimit të saj për të shqyrtuar një çështje gjyqësore prej 9 muajsh. Vetë KLD kishte konstatuar këtë shkelje dhe i kishte kërkuar Ministrit të Drejtësisë përmes një shkrese zyrtare, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares. Ndërkohë që, dje gjatë shqyrtimit të propozimit të Ministrit, nënkryetari i KLD-së dhe disa anëtarë të tjerë votuan kundër në shumicë për marrjen e masës disiplinore ndaj kësaj gjyqtareje megjithëse inspektimi ishte kryer nga KLD-ja. Gjithashtu, Këshilli rrëzoi edhe kërkesën për masë disiplinore ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arian Aliaj. Ndërkohë që u shtynë për shkaqe të justifikuara katër procedime të tjera disiplinore ndaj katër gjyqtarëve të Gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan.

KLD shpall 22 vende vakante në gjyqësor

Një tjetër pikë e rendit të ditës ka qenë plotësimi i vendeve vakante në disa Gjykata të Shkallëve të Para në vend, pas daljes së dekretit nr. 6265, datë 16.09.2009 të Presidentit të Republikës “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit”. Në përfundim të këtij diskutimi, i cili ka qenë objekt trajtimi edhe në një mbledhje të mëparshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke konsideruar edhe mendimet e dhëna nga gjyqtarët, shoqatat e gjyqtarëve, si dhe mendimet e misioneve ndërkombëtare që asistojnë në fushën e drejtësisë, vendosi të lejojë procedurën e kandidimit në pesë gjykata të shkallës së parë, në të cilat është rritur numri i gjyqtarëve në organikë, duke shpallur dje 22 vende vakante për gjyqtarë. Por, ky rend dite nuk ka kaluar pa diskutime. Burime brenda KLD-së bënë të ditur se Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani kundërshtoi dje procedurën e transferimit të gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre. Sipas ministrit, kjo procedurë është cilësuar si e pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën, si cënon parimin e patundshmërisë së gjyqtarit. Pas debatit, KLD pranoi këtë propozim të ministrit si dhe vendosi të mos ketë transferim pa pëlqimin e gjyqtarëve, ndërkohë që vendosi të shpallë edhe 22 vendet vakante në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore. Ky vendim i Këshillit, sipas burimeve zyrtare, u mundëson shprehjen e pëlqimit për t’u transferuar gjyqtarëve në sistem, dhe shprehjen e pëlqimit për t’u emëruar, personave që duan të kandidojnë për gjyqtarë Tiranë, Durrës, Lushnje, Përmet dhe Sarandë.

Vendet vakante

9 vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë

7 vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës

1 vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë

4 vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet

1 vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›