Njeriu që i dhuroi botës Çe Guevarën
Fotografia që i bëri çe Guevares u shndërrua në një ikonë të vërtetë për revolucionarët në të gjitha cepat e planetit. Kur Alberto Korda vendosi aparatin e tij “Leica” para luftëtarit latin, ai nuk ishte i ndërgjegjshëm që po krijonte një fotografi, e cila do të shndërrohej në një nga imazhet më të famshme të shekullit të kaluar. Tani, pas vdekjes së tij në Paris të premten e kaluar në moshën 72-vjeçare, ka nisur beteja për mbrojtjen e fotos së jashtëzakonshme nga shfrytëzimi komercialist. Ka njerëz, të cilët po përpiqen që trashëgimia e vyer të mos shndërrohet në një betejë të ulët për përfitime parash.
Për më se 30 vjet, Korda e bëri një sy qorr kur e pa foton e tij të përdorej e stampuar nëpër bluzat, kapelet, apo gotat në mbarë botën, një biznes ky që bëri të pasur shumë tregtarë, por ngulmoi deri në fund, edhe kundër ofertave më të majme për ta “shitur” foton dhe të drejtat e autorit. Kjo, sepse për të ajo ishte më shumë se një foto, ishte një send i shenjtë dhe i tillë mbeti deri sa vdiq. Vitin e kaluar ai fitoi gjyqin ndaj një agjencie reklamash britanike dhe një agjencie fotografish, të cilat e kishin përdorur imazhin e tij në reklamën e vodkës “Smirnof”. Në këtë përpjekje të tij ai u ndihmua edhe nga organizata dhe njerëz të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe antikomercialistë. “Nëse çe do të ishte gjallë edhe sot, do të kishte bërë të njëjtën gjë”, deklaroi fotografi pas përfundimit të gjyqit që i dha një shumë të madhe parash për ta dëmshpërblyer. “Të përdorësh imazhin e çe Guevares për të shitur vodka është një gjë shumë e ndyrë dhe një përbaltje e emrit dhe figurës së revolucionarit. çe nuk pinte e nuk ishte bërë kurrë tapë dhe pijanecëria nuk duhet që t’i bashkëngjitet moralit të tij të pastër”, vazhdoi fotografi.
Por tani që babai i fotografisë ka vdekur fotoja ka mbetur “jetime” dhe rrezikon të keqpërdoret në mënyrën më të ulët nga fushata që reklamojnë mallra, të cilat nuk i shkojnë aspak për shtat të madhit çe. Përfitimet që do të nxirrnin nga reklamimi i figurës së tij kompanitë e mëdha do të ishte shumë i madh, sepse çe tashmë është një simbol i patjetërsueshëm. Familja e fotografit i ka kërkuar një grupi të mbrojtësve të të drejtave të njeriut që të marrë në dorë fatin e mbrojtjes së imazhit dhe përdorimit të fotos. Dhe kjo, sepse hienat e reklamave që nuhasin fitime të mëdha janë të gatshëm të sulmojnë pa mëshirë dhe të ndyjnë keqas një imazh.
Fotoja e famshme u mor më 5 mars të vitit 1960 në një shërbim memorial për 100 personat e ekuipazhit të një anije belge, e cila transportonte armë, të mbetur të vrarë në një sulm për të cilin Kuba fajësonte forcat kundërrevolucionare të ndihmuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fotografi Korda kishte marrë një detyrë nga revista “Revolucion” që të nxirrte foto të ceremonisë, në të cilën, veç të tjerëve, merrnin pjesë edhe të famshmit e ekzistencializmit francez, Simone de Beauvoir dhe Jean-Paul Sartre. “çe ndodhej në rreshtin e dytë pas Fidel Kastros në tribunë. Në fakt ishte në një pozicion që nuk binte në sy menjëherë dhe për ta parë duhej që të spostoheshe pak. Unë lëviza dhe më në fund ma zunë sytë, sepse çe duket që bëri një hap përpara. Ishte një moment i shkurtër, nga i cili mendova të përfitoja nga rasti dhe të bëja dy shkrepje. Dhe bëra mirë, sepse më pas nuk m’u dha më mundësia ta kisha aq pranë dhe aq përballë”, rrëfente vite më pas për atë moment të paharruar fotografi Korda. Më pas ai i bëri edhe Kastros shumë foto. Revista për të cilën ai punonte ishte në fakt shumë më e interesuar për fotot e Kastros, që ishte edhe lideri i revolucionit, por vetë fotografi kishte rënë në dashuri me foton e shpejtë të çe dhe e vari atë në një mur të studios së tij në Havanë. 7 vjet më pas, e zverdhur nga tymi i duhanit, ndërsa qëndronte ende e varur në mur, në studion e fotografit hyri një botues italian, i famshmi Feltrineli, i cili pasi e pa foton mori një letër rekomandimi nga një instancë e lartë e pushtetit kuban dhe i kërkoi me mirësjellje Kordës një kopje të fotos. Korda i dha Feltrinelit dy kopje falas. Pas disa muajsh çe u vra dhe u konsiderua menjëherë si martir i revolucionit. Deri më sot kanë qarkulluar shumë histori dhe gojëdhëna në lidhje me famën e madhe dhe të beftë që mori fotoja menjëherë pas vrasjes së çe. Përmasat e kësaj fame ishin të jashtëzakonshme dhe ajo u shndërrua menjëherë në një ikonë ndërkombëtare dhe në mishërim të një revolucioni dhe rebelimi njerëzor tashmë. Ajo u bë imazhi i revoltës studentore në Paris në vitin 1968 dhe Feltrineli nxitoi që të kapitalizonte vlerën e madhe të saj. Miliona posterat që u printuan dhe u përhapën në të gjithë botën mbanin të shkruar “Copyright Feltrineli”. E megjithatë vetë Korda, në atë kohë, nuk ushqente ndonjë ndjenjë negative ndaj Feltrinelit. “Arrita që ta fal, sepse në fund të fundit ishte ai që po e bënte atë foto të famshme”, tha Korda në një intervistë. Trashëgimia e çe Guevarës është aq e fuqishme sa këtë vit së bashku me publikimin e një edicioni të ri të ditarëve personalë të çe, Mick Jagger dhe Robert Redford janë duke prodhuar një film të ri për jetën e revolucionarit. Jagger, i cili kur ishte në konvikt kishte një poster të madh të çe në dhomën e tij, shpreson që në këtë film të marrë pjesë si aktori kryesor Antonio Banderas, ndërkohë që Redford do të preferonte Benicio del Toro. Guevara, një argjentinas, u bë një hero shumë popullor në Kubë pasi ndihmoi liderin e revolucionit kuban, Fidel Kasro, që të fitonte kundër diktaturës së Fulgencio Batistas në vitin 1959. Por statusi i tij është ai i një miti që i ka kaluar prej kohësh përmasat e një heroi dhe pushteti i madh i fotos së famshme të Kordës u konsolidua dhe u çelikos menjëherë pas vrasjes së tij në vitin 1967 gjatë një sulmi të dështuar në Bolivi. Për shumë vite me radhë Korda nuk pati asnjë përfitim financiar nga fotoja e tij, kjo kryesisht sepse Kuba nuk ishte pjesë e Konventës së Bernës në lidhje me pronën intelektuale deri në fillim të viteve ’90 dhe kësisoj Korda nuk mundi të ndërmerrte asnjë lloj veprimi ligjor për të marrë atë që i takonte. Ai kishte bërë një riprodhim të fotos dhe e kishte vënë në një medaljon rreth qafës, të cilin e mbajti me vete për sa kohë që ishte gjallë. Korda, emri i vërtetë i të cilit është Alberto Diaz Gutierrez, lindi më 14 shtator të vitit 1928 në Havanë të Kubës. Dëshirën e parë për t’u marrë me fotografi e ndjeu i ati, i cili i bleu një aparat “Kodak” 35, me të cilin nisi të nxirrte në fotografi të dashurën e tij të parë. Më pas nga fotograf amator ai nisi ta shndërronte pasionin në profesion dhe fillimisht u bë reporter mode. I pëlqente të fotografonte bukurinë femërore. Por drejtimi i punës së tij ndryshoi kryekëput me ardhjen e Fidel Kastros në pushtet. Në atë periudhë shumë gjëra ndryshuan edhe në Kubë dhe sigurisht që moda dhe gjëra të tjera që kishin të bënin me një jetë liberale u quajtën “jo të moralshme”. Në këto rrethana edhe objektivi i fotografive të Kordës ndryshoi. Kështu, për 10 vjet rresht, duke qenë se ishte vërtet i zoti dhe me përvojë në punën që bënte, shërbeu si fotografi zyrtar i Fidel Kastros. Ai e shoqëronte liderin e revolucionit në udhëtimet e tij kudo që shkonte për çështje zyrtare e private, si dhe në të gjitha takimet që ai bënte me personalitetet ndërkombëtare. Në foto të tjera më pak të njohura të Kordës është Kastro që po vështron një tigër në kopshtin zoologjik të Nju Jorkut, duke luajtur golf dhe duke peshkuar me çe Guevaren apo duke dalë për gjah në Rusi. Ndër fotot e famshme të tijat është edhe një tjetër, ajo e Fidel Kastros me Ernest Heminguejin, shkrimtarin e famshëm që jetoi për një kohë të gjatë në ishullin komunist, duke gëzuar shumë privilegje dhe një miqësi të veçantë me liderin e revolucionit. Korda gjithashtu ka edhe disa foto të rralla të Fidel Kastros në Havanën e sapomarrë nga revolucionarët dhe atë në të cilën ka dalë me një kapele kashte pranë një qengji në një takim me popullin.
Për kubanët vdekja e tij është konsideruar një humbje e madhe për sa i përket kulturës, por është një vdekje që ka shumë të ngjarë të hapë një betejë mes atyre që duan ta shfrytëzojnë dhe atyre që duan ta mbrojnë njërën prej fotove më të famshme të shekullit të kaluar, atë të heroit çe Guevara. Dhe lufta sapo ka filluar.
#