Si të rifillosh nga e para
Pas peripecive të shumta që kanë hequr, ka persona që vendosin t’ia nisin edhe një herë nga e para. Kështu ka bërë edhe një zotëri, i lodhur nga jeta dhe njerëzit që e rrethonin. “Jam ngopur me këtë jetë. Nuk e dua më, por mund ta merrni ju nëse dëshironi. Unë dua një fillim të ri”. Ian Usher, një anglez që jeton në Australi, jeta e të cilit është e mbushur me suksese e dështime, përfshi këtu edhe martesën, ka gjetur mënyrën më të mirë për të vënë në vend gjithçka, falë ankandit të parë të një ekzistence të plotë. Fillimisht ka vendosur të revolucionojë jetën e tij (të parë), duke filluar me shtëpinë dhe gjithçka tjetër që zotëron, makinën, motorin, veshjet, madje edhe fotografitë e vjetra. Ai ka vendosur të hapë një ankand për të shitur të gjitha sendet që dikur ishin pjesë e jetës së tij. “Kur gjithçka të ketë përfunduar do të dal nga dera, do të marr portofolin, pasaportën dhe do të filloj një jetë tjetër”, ka thënë ai.
Gjithçka do të rifillojë nga një ëndërr e parealizuar, nga një projekt i paarritur, nga një institucion që meriton përballjen. Një prej tyre është edhe Arianna Huffington, profesionistja numër një e blogjeve të rrjetit. Ajo ka krijuar dy blogje politike: “pre-Huffington” dhe “post-Huffington”. Edhe në jetën e saj private ka një “para dhe pas”, pasi për vite me radhë ka qenë bashkëshortja e një deputeti republikan. Arianna ka tentuar ta provojë vetë aventurën politike. Por, në fakt, vetëm tre vjet më parë mendoi se ideja për të eksploruar internetin ishte vërtet interesante.
Stella Rimington, gruaja e parë drejtuese e Shërbimit Sekret Britanik, ka bërë rolin e spiunes për 27 vjet, duke drejtuar njerëz dhe misione të pamundura nga Bejruti në Stamboll, nga Havana në Shangai. Për shumë çështje ajo ka zgjedhur heshtjen, ashtu siç i ka hije profesionit të saj, por në fakt preferoi të shkruante një triller, duke fituar edhe një dorë të mirë parash. Nuk ka aspak lidhje me Patricia Cornwell, e cila nga analiste informatike në një zyrë mjekësore të Virxhinias u shndërrua në një autore bestseller ndërkombëtare.
E ka shndërruar jetën e saj prej 50-vjeçareje në një përrallë, duke u përfshirë në klasifikimin e super të pasurve të revistës “Forbes”. Mac Ladreit de Lacharrière, ish-themeluesi i revistës “Mademoiselle”, punonjës në kompaninë “L’Oreal”, thotë: “Rreziku është pjesë e ADN-së sime. E kam njoftuar agjencinë time për diçka të re deri në një farë pike, sepse aq kam pasur mundësi”.
Ata që vendosin të vazhdojnë gjithçka nga e para nuk janë vetëm njerëz të famshëm e me pushtet. Një personazh i njohur që i bashkëngjitet listës së gjatë të personazheve të famshëm është Bill Gates, i cili tani e tutje do të merret vetëm me filantropi. Të gjithë meshkujt dhe femrat, pa dallim shtrese, krahine, ideje, pohojnë se kur njeriu arrin të 50-at i duhet të bëjë zgjedhje shumë të rëndësishme në jetë, madje në këtë moshë jeta mund të marrë një drejtim krejt ndryshe nga ai që ka pasur deri në ato momente. Në këtë pikë janë dakord 36 për qind e të intervistuarve.
“është një tërheqje drejt së ardhmes. Edhe kundrejt qëllimeve profesionale ende të papërmbushura ka ekzistuar një lloj besimi i papërfytyrueshëm deri para pak vitesh, kur ishte mit të bëje karrierë deri në moshën 35-vjeçare. Nëse nuk kishe arritur të përfundoje gjithçka brenda kësaj moshe duhej patjetër të hiqje dorë. 31 për qind e të anketuarve pohojnë se mosha 50-vjeçare është periudha më e mirë ku njeriu mund të afirmohet në çdo drejtim. Të gjithë janë të bindur se nuk është momenti i duhur për t’u tërhequr si profesionalisht ashtu edhe në jetën private”, thotë një psikolog. Këtë e konfirmojnë edhe pjesë të tjera të studimit: shumë njerëz, pasi kanë mbushur të 50-at, kanë pasur një zhvillim mjaft domethënës në punë. “Pas pohimit që mosha 50-vjeçare është një moment i rëndësishëm për zgjedhjet vendimtare, fshihen dy përbërës: nga njëra anë janë idealet, të cilat nuk kanë arritur të realizohen, ndërsa, nga ana tjetër, dëshira për të rifituar gjërat e humbura në jetën private. Të bësh një ndryshim rrënjësor në jetë do të thotë t’i riparosh këto aspekte private”, pohon psikologu.
Mosha 50-vjeçare është momenti i ndryshimeve magjike: mjekë që lënë gjithçka për t’u bërë shefa, avokatë që për një ditë hapin bare në Karaibe, shtëpiake pasive që drejtojnë botën e biznesit. “Në moshën 50-vjeçare jemi ballë për ballë me limitet tona. Kemi ëndrra të çuditshme që lidhen ngushtë me mundësitë tona. Mosha e duhur për të ndryshuar është ajo 45 vjeçe. Përballë kemi një jetë të dytë”, shton ai. Një mundësi mund të të japë shumë, edhe pse “jeta e dytë” cilësohet shpesh si më e kënaqshme se e para. Meshkujt ndryshojnë më shumë. Gratë janë gati për aventura të reja, vetëm nëse në mes janë pasionet dhe interesa vërtet të forta.
#