Provimet e lirimit, rreth 53 mijë nxënës sot në provim
Plot 53 mijë nxënës të klasave të nënta do të zhvillojnë sot një nga provimet e lirimit, atë të gjuhës shqipe dhe të leximit. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit, provimet e lirimit do të jenë të organizuara sipas një formule krejtësisht të re. Një nga risitë që ia vlen të theksohet është sidomos procesi i zhvillimit, por edhe ai i vlerësimit, i cili ngjason me atë Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka parashikuar që sistemi nëntëvjeçar të organizohet në një mënyrë sa më të kualifikuar dhe transparente. Këtë e vërteton më së miri procesi i korrigjimit të provimeve. Nëse gjatë viteve të kaluara vlerësimi i provimeve të lirimit është bërë nga mësuesit e shkollave, këtë vit Drejtoria e Arsimit Parauniversitar dhe Ministria e Shkencës ka vendosur që korrigjimi i tyre të bëhet nga specialistët e përzgjedhur nga Drejtoritë Arsimore. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, ky vendim është marrë në mënyrë që të mos ketë keqinterpretime për mënyrën se si do të vlerësohen nxënësit. Fakti që këtë vit vlerësuesit do të jenë të jashtëm, shmang abuzimet që mund të bëheshin nga mësuesit e brendshëm, që mund të ndikohen nga nxënës të veçantë. çdo provim do t’u nënshtrohet dy vlerësimeve. Kjo do të thotë që secila tezë do të korrigjohet nga 2 specialistë, të cilët janë të kualifikuar në këtë fushë. I pari do të vlerësojë me kujdes testin, duke mos pasur të drejtën për të vendosur notë. Ai do të bëjë shënime te të gjitha ato përgjigje ku do konstatojë gabime apo parregullsi. Specialisti i dytë do të bëjë rivlerësimin e tezës, duke bërë shënime me një ngjyrë tjetër të dallueshme nga e para. Pra procesi i korrigjimit do të jetë i dyfishtë. E megjithatë nuk do të përjashtohen edhe rastet e një vlerësimi të tretë, që do të bëhet nga një specialist edhe më i kualifikuar. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i korrigjuesve të lëndës do të caktojë një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit do të jetë përfundimtar.
Përmbajtja dhe shpërndarjaTeza e Leximit dhe Gjuhës Shqipe përmban 25 pyetje, nga të cilat 12 prej tyre janë me alternativa, ndërsa pjesa tjetër kërkon përgjigje të argumentuara. Përqindja më e madhe e pyetjeve do t’i përkasë lëndës së gjuhës shqipe. Testi do të zhvillohet në orën 10:00 të paradites së sotme dhe do të përfundojë në 12:30, duke shënuar një kohëzgjatje prej 2 orësh e gjysmë. Shpërndarja e tezave të Gjuhës Shqipe dhe të Leximit ka nisur paraditen e djeshme në të gjitha shkollat nëntëvjeçare dhe ka përfunduar në orët e para të drekës. Tezat, lista e plotë e emrave të komisionerëve, administratorëve të provimit dhe të sekretimit, si edhe numri i nxënësve që kanë pasur nën vëzhgim, do të dorëzohen në AVA 3-5 ditë pas përfundimit të provimit. Kjo parashikohet në rregulloren e arsimit parauniversitar. Në të thuhet se procesi i vlerësimit të tezave do të zgjasë maksimalisht 10 ditë, dhe minimalisht 7 ditë. Teza e provimit të matematikës pritet të zhvillohet në datën 19 qershor.
#