Njësia administrative Lukovë, investime në sektorin e turizmit

Falë masave që po merren dhe falë vaksinimit që ka filluar të bëhet në vende të ndryshëm të botës si edhe në vendin tonë, në bashkinë e Himarës këtë vit pritet një sezon i mbarë turistik. Sezoni i vitit të kaluar, pati mjaft vështirësi në këto zona por edhe pse në kushte të vështira, sërish u zhvillua me sukses. Sipas administratorit të njësisë administrative Lukovë Andrea Boci, e cila përmbledh 9 fshatra, në këto zona këtë vit, orientimi është drejt hapjes së bujtinave familjare për të mikpritur jo vetëm vizitorët e huaj por edhe ata vendas.
“Sezoni që kaloi kishte probleme ngaqë ishte covidi. Gjithë bizneset patën një frikë se mos dështonte sezoni por koha tregoi që edhe ky sezon pavarësisht që ishte me pushue vendas dhe tursitët e Serbisë, qe i mirë, sado që ishin në një vit të vështirë. Ky sezon, pritet një sezon më i mbarë edhe falë masave që po merren me vaksinimin e popullsisë si në europë edhe në shqipëri, presim që në këtë drejtim të ketë ndikim të mirë. Nga viti në vit po bëhen investime në rrugë që të çojnë në det, ujësjellësa dhe shikojmë që edhe pushteti vendor e qendror po fokusohet në drejtim të turizmit. Orientimi vitet e fundit është që në çdo fshat të bregdetit njerëzit t’i kthejnë shtëpitë në bujtina, gjë që ka patur shumë impakt tek banorët”, shprehet administratori Andrea Boci.
Sezoni i vitit të kaluar në bashkinë e Himarës, kishte më tepër turistë vendas ndërsa ata të huaj nuk munguan por ishin më të paktë në numër. Këtë vit, pritet që ky fenomen të ndryshojë dhe turizmi të arrijë përsëri jo vetëm në shifrat e mëparshme por edhe më mirë.