E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tërmeti e dëmtoi maternitetin “Mbretëresha Geraldinë“, Rama: Do rindërtohet ekzaktësisht siç ka qenë!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se materniteti “Mbretëresha Geraldinë” i goditur nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit ishte dëmtuar në strukturë dhe nevojitej të rikuperohej.

Sipas kryeministrit, ka raport të Institutit të Ndërtimit dhe gjithë ajo pjesë aty nga pikëpamja strukturore ishte DS5, domethënë e parikuperueshme.

Duke folur të enjten për projektin e ri që do të zbatohet, kryeministri u shpreh se është ekzaktësisht përsëritja e fotografisë së objektit në vitet 1940.

“Projekti është bërë me kohë, pasi doli që godina ishte e parestaurueshme, por duhej rikuperuar. Është konsultuar nga Marco Casamonti dhe është hapur garë për atë projekt dhe pasi ka mbaruar gara është lidhur kontrata dhe ka nisur puna”, u shpreh kryeministri.

Nëse shikon projektin e ri dhe godinën ekzistuese, deklaroi Rama, është përsëritje e strukturës së tullave me shtesën tjetër me xham, që është një shtesë për arsye utilitare që bëhet rëndom. “Dhe sigurisht ligji e lejon”, tha ai.

Sipas kryeministrit, gjurma e monumentit në variantin e ri rikthehet, materiali i tullës rivendoset si në rastin e Bankës së Shqipëris dhe shtohet një tjetër komponent që nuk është i asaj kohe, por është e nevojshme për ta bërë maternitetin funksional për këtë kohë dhe këto nevoja dhe që kombinon bashkë të shkuarën me të ardhmen

“Materniteti në fjalë është goditur nga tërmeti dhe jo nga qeveria“, u shpreh Rama në një nga studio televizive në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›