E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njësia legjendare

Konsiderohen si njësi elite, luftojnë që gati 200 vjet në radhët e ushtrisë së Britanisë, shenja e tyre dalluese është thika e shtrembëruar, e quajtur Kukri. Tani, për shkak të shpenzimeve, brigada e fundit e Gurkave do të reduktohet dukshëm, një goditje kjo e re për nostalgjikët e perandorisë britanike.

Burmë, Gjermani, Ishujt Falkland, Irak, Afganistan-sa herë që britanikët kanë hyrë në luftë gjatë 200 viteve të fundit, Gurkat gjithmonë kanë marshuar në vijën e parë të frontit.

Me mijëra mercenarë nepalezë kanë sakrifikuar jetët e tyre në shërbim të mbretërisë, duke filluar që nga viti 1815. Aq shumë që respektohet fuqia luftarake dhe besnikëria e tyre, sa që një batalion i Gurkave u angazhua për ta ruajtur Princin Harry, gjatë shërbimit të tij në Afganistan, në vitin 2010.

Por duket se ditët e brigadës së fundit të Gurkave në radhët e ushtrisë britanike janë të numëruara. Në fund të janarit, ministria britanike e mbrojtjes njoftoi se do ta reduktojë njësinë nga 3400 në 2800 pjesëtarë. Reduktime tjera priten gjatë muajve dhe viteve në vijim.

Kjo masë po ndërmirret në kuadër të reformes së madhe ushtarake, si pasojë e së cilës numri i ushtarëve britanikë deri në vitin 2020 do të reduktohet nga 100 mijë, në 82 mijë.

Gurkat nuk janë njësia e vetme e cila po vuan nga programi i kursimeve, por këta luftëtarë, me thikën e tyre dalluese, Kukri, zënë një vend të veçantë në opinionin britanik. Ata konsiderohen si mbetje të kohërave të lavdishme të perandorisë dhe zgjojnë ndjenja të veçanta, sidomos në radhët e konservatorëve.

Për këtë arsye, plani për reduktimin e kësaj brigade po ngjallë protesta. Për vandalizëm ushtarak foli Peter Caroll, themelues i Fushatës Drejtësi për Gurkat, organizatë kjo e cila lufton për trajtimin si të barabartë të mercenarëve nepalezë. Edhe shoqatat e veteranëve të Gurkave vendimin e cilësuan si një padrejtësi të madhe.

Përfaqësuesit e Gurkave mund të llogarisin në simpatinë e popullatës. Para tri viteve, në Britani u zhvillua një debat i madh për barazimin e mercenarëve nepalezë me kolegët e tyre britanik. Pas një fushate të madhe publike, të kryesuar nga aktorja Joanna Lumley, qeveria britanike ja njohu të drejtën e qëndrimit në Britani të gjithë veteranëve Gurka.

Më herët, Gurkat janë cilësuar vetëm si fuqi e lirë punëtore. Trimëria e tyre është lavdëruar gjithmonë, por ata ishin një mall i lirë për tatimpaguesit britanikë: ata fitonin më pak se kolegët e tyre britanikë, ju ndahej vetëm një mini-pension dhe pas shërbimit të tyre 15 vjeçar, ata ktheheshin normalisht në Nepal.

Në ndërkohë, ata edhe më tutje janë ushtarë të klasës së dytë, me pagë dhe pensione më të vogla, por tani mund të shërbejnë deri në 22 vjet dhe pasi të kenë shërbyer katër vjet, marrin lejen e qëndrimit së bashku me familjet e tyre. Prandaj komuniteti i Gurkave në Britani po bëhet gjithnjë e më i madh.

Ky zhvillim ka bërë që mercenarët të bëhen më të shtrenjtë, duke u vendosur kështu gjithnjë e më tepër në qendër të vëmendjes të komisarëve të qeverisë për kursime.

Megjithatë, shërbimet e tyre mbetën të kërkuara: për këtë flet edhe fakti se nga të gjitha njësitë e ushtrisë, vetëm Gurkat ishin të përfaqësuar në çdo brigadë të ushtrisë britanike në Afganistan që nga viti 2006. Gjithashtu vazhdon edhe më tutje tradita që për çdo vit të rekrutohen nga 176 meshkuj të ri në Nepal për brigadën e Gurkave.

Por numri i mercenarëve ka tashmë disa dekada që po shënon rënie dhe sipas mendimit të kryesisë së ushtrisë, kjo brigadë është ende më e madhe se sa duhet. Të gjithë Gurkat, të cilët janë në shërbim mbi gjashtë vjet, tani kërcënohet nga largimi prej ushtrisë. Vullnetarisht deri me tani asnjë Gurka nuk është larguar nga ushtria, prandaj ata vetëm mund të shkarkohen.

Ky eksodus mund të jetë fillimi i fundit i brigadës së Gurkave. Ngase tani kanë filluar të forcohen edhe zërat në Nepal, të cilët dëshirojnë ti japin fund kësaj tradite.

Megjithatë, ende nuk dihet se a do të miratojë parlamenti i Nepalit ligjin, me të cilin do të ndalohet eksporti i ushtarëve, pasi që dihet se Gurkat kanë shërbyer edhe si një faktor i fuqishëm ekonomik, pasi që i kanë dërguar para familjeve të tyre në atdhe. Edhe edukimi në radhët e ushtrisë britanike është ende një gjë tejet e kërkuar nga të rinjtë nepalezë.

Por marrëveshja nga koha e kolonializmit duket anakronike. Duket se as në Britani nuk do të mbijetojë më shoqëria me dy klasa në radhët e ushtrisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›