Rrugorja e Tiranës: 13 522 masa administrative, 32 procedime penale gjatë javës së fundit

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës informon se gjatë monitorimit 24/7 në javën e fundit janë proceduar penalisht 32 shtetas, u bllokuan 48 mjete dhe u vendosën 13 522 masa administrative.
Sipas njoftimit, nga masat e vendosura, 8818 ishin për ndalim dhe qëndrim të gabuar, 1243 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, 602 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 487 për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, 66 për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit dhe 26 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Policia Rrugore ka vijuar edhe verifikimet dhe kontrollet e përditshme ndaj mjeteve të transportit publik dhe atyre që transportojnë nxënës, me qëllim parandalimin dhe evidentimin në kohë të shkeljeve që mund të cenojnë sigurinë e pasagjerëve.
Në kuadër të monitorimit në terren dhe në hapësirën digjitale, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale që shfaqte bllokimin e lëvizjes në autostradën “Tiranë-Durrës”, Policia Rrugore mori masa ndaj autorëve.
“Tre prej shtetasve të shfaqur në pamje u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, ndërsa automjetet që drejtonin u sekuestruan dhe ndaj tyre u vendosën masat administrative përkatëse. Policia bën të ditur se veprimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë autorëve”, thuhet në njoftim.
Kontrollet dhe monitorimet do të vijojnë në të gjitha akset urbane dhe interurbane të Tiranës, si dhe kontrollet e përditshme ndaj mjeteve që transportojnë nxënës dhe autobusëve urbanë.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit.
/e.i/a.f/r.e/