E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njoftim i Drejtorisë së Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës

11 mars 2011

Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës, dëshiron të sqarojë opinionin publik se Kreu i Shtetit shqiptar ka marrë pjesë ditën e enjte, më datë 10 mars 2011 në ceremoninë e përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit” në Shkup për hebrenjtë e Maqedonisë, i ftuar nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti Topi, përveç takimeve me homologun maqedonas Gjorgje Ivanov, me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski si dhe me personalitetet e tjera të ftuara në këtë aktivitet, ka zhvilluar dy takime të programuara, të cilat janë bërë publike: me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Çështjeve Strategjike të Shtetit të Izraelit, Moshe Jalon dhe me Ambasadorin e Ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni, zotin Filip T. Riker.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti Topi, nuk ka pasur asnjë takim të programuar me drejtues të partive politike shqiptare në Maqedoni. Takimi me zotin Ali Ahmeti, i cili ka ngjallur ndjeshmërinë e partive të tjera shqiptare në Maqedoni, ka qenë një takim rastësor i bërë në mjediset ku po zhvillohej ceremonia e përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit”. Gjithashtu me këtë rast, Presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike duke u përshëndetur edhe me Kryetarin e PDSH-së, zotin Menduh Thaçi, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi gjithmonë ka inkurajuar e mbështetur bashkëpunimin e harmoninë mes forcave politike shqiptare në Maqedoni si faktorë stabiliteti e paqeje, edhe në rajon. Këtë qëndrim të njohur të tij, Presidenti Topi e përsëriti në të gjitha takimet zyrtare që pati gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Çdo interpretim tjetër i takimit të rastësishëm me Kryetarin e PDI-së, Ali Ahmeti, është i pasaktë dhe nuk i kontribuon aspak frymës së vazhdueshme që Kryetari i Shtetit shqiptar ka përçuar për unitetin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si kontribues i rëndësishëm i aspiratave integruese të vendit.

Me këtë rast Presidenti Topi rithekson se vetëm bashkëpunimi, uniteti dhe angazhimi institucional i faktorit shqiptar në Maqedoni, janë rruga e duhur për të realizuar aspiratat e tyre në kuadrin e integrimit euroatlantik të këtij vendi mik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›