E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në ceremoninë inauguruese të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit” për hebrenjtë nga Maqedonia

10 mars 2011
Shkup, Maqedoni

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi në krye të një delegacioni shqiptar, mori pjesë sot paradite në përurimin e “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit” për hebrenjtë nga Maqedonia, që është ndërtuar në lagjen e vjetër të hebrenjve në Shkup në bashkëpunim me “Fondacionin e Holokaustit” maqedonas.

Ceremonia nisi me procesionin e ushtarëve, të cilët vendosën me nderime hinóret në altarin e “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit” dhe pas ekzekutimit të himnit kombëtar maqedonas nga kori i bashkësisë hebreje, përshëndetën Kryetarja e Fondacionit të Holokaustit, Liljana Mizrahi, Kryetarja e Bashkësisë Hebreje të Maqedonisë, Bjanka Subotik, Rabini Endrju Bejker, Zëvendëskryeministri izraelit, Moshe Jalon dhe Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski. Në përfundim, pas ndezjes së flakadanit të përjetshëm, u zhvillua një shërbesë fetare me lutje të përshpirtshme hebreje.

Presidenti Topi u takua dhe shkëmbeu përshëndetje të ngrohta e miqësore me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, me Kryeministrin Nikola Gruevski, me homologun malazez, Filip Vujanoviç, me Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, si dhe me mjaft personalitete të tjera pjesëmarrëse në këtë aktivitet.

Në takimin e përbashkët mes tre presidentëve të vendeve fqinje, u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve politike si dhe u theksua rëndësia e rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat me synim përmbushjen e aspiratave të përbashkëta të popujve tanë për integrim në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe në strukturat euro-atlantike.

* * *

Gjithashtu, Presidenti Topi zhvilloi një takim me Ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni, zotin Filip T. Riker. Temë e bisedimeve ishte situata në Shqipëri, zgjedhjet e 8 majit 2011, pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe stabiliteti në rajon. Kreu i shtetit shqiptar dhe Ambasadori amerikan përshëndetën nisjen e bisedimeve Kosovë - Serbi, si një hap në drejtimin e duhur, si dhe nënvizuan se pavarësia e Kosovës është një realitet i paprekshëm e i pandryshueshëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›