Kryeministri Berisha takon një përfaqësi të banorëve të Gërdecit
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me një përfaqësi të komunitetit të banorëve të Gërdecit, të bashkisë Vorë. Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili.
Duke i përshëndetur përzemërsisht, Kryeministri Berisha u shpreh se ishte kënaqësi dhe dëshirë që të merrte kontakt të drejtpërdrejtë me ta dhe të njihej me shkallën e plotësimit të nevojave, si dhe për t’i garantuar se qeveria shqiptare nuk do të heqë dorë për asnjë çast nga vëmendja ndaj tyre dhe plotësimin e të gjitha kushteve për një jetë sa më normale.
Pasi u njoh me kërkesat, Kryeministri u shpreh se kërkesat e tyre janë të arsyeshme dhe i siguroi se qeveria do t’i plotësojë ato. “Unë dua t’ju siguroj se kjo qeveri nuk do të heqë kurrë nga vëmendja mbështetjen tuaj, me të gjitha mundësitë që ka dhe këtë do t’ia transmetoni gjithsecilit banor dhe qytetar të asaj zone. Ne do të qëndrojmë pas secilit prej jush dhe do t’ju mbështesim gjer në zgjidhjet më përfundimtare. Sigurisht që ne do të marrim përsipër pa asnjë mëdyshje qiratë dhe ndihma të tjera. Kryetari juaj i bashkisë i ka sjellë kërkesat dhe unë dëshiroja dhe i kërkova t’ju takoja që t’ju siguroj se në çdo problematikë me të cilën ju përballeni, qeveria do t’ju mbështesë pa asnjë hezitim. Ju falënderoj shumë dhe ju kërkoj të përshëndesni të gjithë banorët e të jeni të sigurt se unë jam i vendosur që qeveria të bëjë gjithçka, për t’jua lehtësuar e përmirësuar jetën”, u shpreh Kryeministri.
Gjatë bisedës, Kryeministri u ndal edhe në ecurinë e procesit të gjykimit dhe u shpreh se ndjehej i hidhëruar nga zvarritja e këtij procesi. “Ju garantoj se ka qenë jashtëzakonisht e hidhur për mua zvarritja e gjykimit. Të jeni të sigurt se jam shumë i prekur dhe i revoltuar nga kjo zvarritje. Ne e kemi ndjekur dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që të bëhet drejtësia. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që drejtësia të bëhet”, tha Kryeministri.
11/03/2011