E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Zëvendëskryeministrin e Shtetit të Izraelit, Moshe Jalon

10 mars 2011
Shkup, Maqedoni

Një takim të veçantë në kuadër të përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit” në Shkup, Presidenti Topi e zhvilloi me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Çështjeve Strategjike të Shtetit të Izraelit, Moshe Jalon.

Në këtë takim Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit duke u shprehur se “Dy vendet tona dhe popujt tanë, me një histori të gjatë marrëdhëniesh miqësore, ofrojnë mundësi edhe më të mëdha për thellimin dhe forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh”. Në këtë pikë, Presidenti Topi nënvizoi nevojën për intensifikimin e vizitave të ndërsjella dypalëshe të nivelit të lartë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Presidenti i Republikës nënvizoi se është me rëndësi nxitja e investitorëve izraelitë për ta shtrirë veprimtarinë e tyre në Shqipëri, në Kosovë dhe në mbarë rajonin përmes projekteve konkrete në fusha të ndryshme kyçe dhe strategjike si energjetika, infrastruktura, turizmi, teknologjia, industria.

Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të shkurtër të zhvillimeve më të fundit dhe arritjeve të Shqipërisë në kuadër të aspiratave të shtetit dhe popullit shqiptar për integrimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje “gjithë angazhimin dhe vullnetin e duhur për të përballuar sfidat dhe detyrimet në rrugën tonë drejt familjes së madhe evropiane”.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Çështjeve Strategjike izraelit, Moshe Jalon vlerësoi lart marrëdhëniet shumë të mira të bazuara mbi historinë dhe miqësinë tradicionale mes dy popujve, duke vënë në dukje se “qëndrimi i pashembullt i shqiptarëve për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së errët historike të Holokaustit kanë mbetur të rrënjosura e të pashlyera në ndërgjegjjen e kombit hebre dhe në kujtesën e Shtetit të Izraelit”.

Zoti Jalon vuri në dukej dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm, moderator e konstruktiv që Shqipëria dhe faktori shqiptar luajnë në rajonin e Ballkanit e më tej në interes të paqes dhe të qëndrueshmërisë afatgjatë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›