E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit: Ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë parimet e shtetit ligjor.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka njohur sot gazetarët me fazën përmbyllëse të procesit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit theksoi se:
Deri tani e kanë mbyllur këtë ratifikim 23 vende anëtare të NATO-s dhe pritet që ditën e martë këtë ratifikim ta bëjë seanti i Hollandës dhe të martën pasdite kam informacion se do ta votojë edhe Greqia. Ditën e premte ky ratifikim do të bëhet edhe nga  Portugalia. Dhe kështu, Shqipëria mbyll këtë ratifikim në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.
Natyrisht si Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë jam jashtëzakonisht krenare dhe kam një sadisfaksion të jashtëzakonshëm që Kryetarët e Parlamenteve, të Senateve, kolegë deputetë të këtyre vendeve e kanë vendosur në axhendën nacionale këtë ratifikim bashkë me prioritetet e tjera nacionale që ato kanë. Padyshim, mbështjetja e Sheteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë shumë e rëndësishme ashtu si edhe e vendeve të tjera anëtare të Aleancës.  Besoj se javën e ardhshme do të fusim në procedurë nënshkrimin e kësaj marrëveshje midis Shqipërisë dhe Aleancës, sepse më parë duhet të përmbylleshin votimet në senatet dhe parlamentet e 26 vendeve anëtare. Parlamenti i  Shqipërisë javën e ardhshme fillon vetë procedurën për të votuar këtë protokoll të anëtarësimit në NATO dhe kjo do të jetë një ditë shumë e madhe për të gjithë shqiptarët.   Pyetjes së gazetarëve lidhur me ligjin e lustracionit, Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj:   Fakti që shqetësimi është për ligjin e lustracionit tregon se ne fakt, realisht Shqipëria ka ndryshuar dhe ka pasur një progres të jashtëzakonshëm. Pra, të gjitha problemet e tjera që ne i kemi patur në vite, i kemi lënë. Shqipëria nuk është në krizë, Shqipëria ka një rritje ekonomike si asnjë vend tjetër në skenën botërore, Shqipëria po mbyll procesin e ratifikimeve dhe në  prill të jemi në Strasburg, Shqipëria po ndryshon.
Dhe fakti që vëmendja është te ky ligj i veçantë që lidhet me një kufizm për një periudhe të shkurtër të së drejtës për punësim, për disa persona që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë. Axhenda parlamentare është axhendë parlamentare. Me sa di unë nga parlamenti po pergatit edhe një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një fakt shumë të rëndësishëm që ne të respektojmë një princip shumë të madh,  që e respektojnë të gjitha gjykatat e botës, principin për shmangien e konfliktit të interesit. Domethënë ai gjykatës që është në konflikt interesi nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një  shtet ligjor, ne respektojmë parimet e  shtetit ligjor."

 

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›