E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njoftim për shtyp i zyrës Noka

Nga Antena brenda familjes

Dje në mediet e shkruara dhe elektronike janë shpërndarë kopje të printuara të regjistrit elektronik kombëtar, në të cilat dy vëllezërit e mi, unë dhe motra ime figuronim nga dy herë si votues.

Këto publikime kanë shqetësuar seriozisht familjen time, e cila po vuan pasojat e të qenit tim njeri publik dhe udhëheqës i rëndësishëm i Partisë Demokratike në pushtet. Unë i siguroj familjarët e mi dhe gjithë njerëzit e fisit tim, të shqetësuar nga ky publikim, se prania e tyre dy herë në listat e votimit hedh poshtë njëherë e mirë paragjykimet e opozitës se ne kemi përjashtuar shtetas nga votimi. Fakti që ka njerëz nga dy herë në listat e votimit dëshmon se ne nuk kemi përjashtuar askënd, përkundrazi jemi të hapur që njerëzit të zgjedhin ku duan të votojnë.

Konkretisht, që sot në mëngjes unë i telefonova Drejtorisë së Gjendjes Civile dhe vendosa që nga dy qendrat e votimit që më kishin lënë si opsion të zgjidhja njërën prej tyre, zgjodha atë të Pazarit të Ri për të qenë më afër vendalinjve në Tiranë.

Të njëjtën gjë do t’u rekomandoj dhe vëllezërve dhe motrës që janë nga dy herë në listat e votimit.

Epërsia e dytë që dëshmon rregullsinë e listës së votimit është shpejtësia me të cilën hiqet ose shtohet një emër, nëse duhet. Edhe pse nuk është përgatitur ligji për regjistrin e gjendjes civile, unë ua demonstrova shqiptarëve se me një telefon, pa shkuar fare pranë gjendjes civile, emri mund të fshihet nga regjistri kombëtar. Kjo tregon fleksibilitetin e madh që ka ky regjistër dhe mundësinë që gjithkush mund të shtojë apo heqë emra deri më 28 qershor. Edhe vëllai im, që ka dy ditëlindje, e ka këtë të drejtë dhe me një telefon ai mund të zgjedhë kë ditëlindje të dojë, ose vitin 1965, ose vitin 1968. Kjo është në dorë të tij, në varësi të dëshirës për të dalë në pension. Ne, si familje punëtore, preferojmë të punojmë më shumë dhe unë do t’i rekomandoja të mbante vitin 1968.

Në fund dua të qetësoj dhe drejtuesit e lartë të pushtetit, kryeministrin, kryetaren e parlamentit dhe këshilltarin për NATO-n në qeverinë tonë, zotin Glori Husi, si një nga tri autoritetet më të rëndësishme pas hyrjes në NATO. Unë ju siguroj se fakti që familja ime ka qenë dy herë në lista, nuk ka prapamendim të keq. Duke qenë një familje që jeton me shqetësimet e mia, dhe unë flas vazhdimisht për zgjedhje dhe lista zgjedhësish, ata janë përkushtuar për këtë çështje dhe për efekt sigurie janë regjistruar nga dy herë në lista. Ju siguroj se kjo gjë nuk është bërë për të sabotuar regjistrin kombëtar dhe nuk mund të përdoret nga opozita si shkak për të mos hyrë në zgjedhje, veprim që do të dëmtonte shumë interesat kombëtare të Shqipërisë dhe do shënonte hap mbrapa pas hyrjes në NATO.

Duke qenë një familje e përkushtuar për interesat e demokracisë, unë ju siguroj ju se presione të tilla si ato të gazetave dhe televizioneve që përgojojnë kontributin tim për demokraci, nuk më ndalin në rrugën time. Edhe pse unë jam i sigurt se do të jem kandidat për deputet në Tiranë, në zonën ku kam kontribuar më shumë, fakti që shumicën e familjes i kam lënë votuese në Kukës, tregon se unë vetë nuk kam nevojë për votën e tyre dhe të askujt tjetër. Mua më voton populli shqiptar, nëse ai burri më vendos në listë.

Dua po ashtu të siguroj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë në këtë fushatë, zotërinjtë Genc Ruli, Genc Pollo, Ferdinand Xhaferri, Aldo Bumçi dhe gjithë ata që dikur mendohej se ia kanë pas me hile atij burrit, të mos bien pre e provokimeve që duan t’i armiqësojnë me mua dhe institucionin tim. Ata kanë mbështetjen time deri në fund, në realizimin e misionit tonë për ta çuar Shqipërinë një hap para, tani që ajo gjendet në buzë të humnerës që ofron opozita socialiste e Edi Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›