Shfaqen gjurmët e kompanisë që ndërtoi fabrikën e Gërdecit, Berisha hesht!
Kryeministri, Sali Berisha, iu shmang dje në konferencën për shtyp pyetjes se kush e ka ndërtuar fabrikën e Gërdecit dhe shmangu më tej komentet rreth kompanisë së përbashkët Balliu-Delijorgji. I pyetur në konferencë për shtyp, dje në mbrëmje, për dijeninë e tij rreth kompanisë që ndërtoi fabrikën e Gërdecit, Berisha, jo pa emocion, heshti për një moment dhe kërkoi të dinte cila ishte pyetja e dytë.
Gazeta “TemA”, e cila ndjek prej kohësh lidhjet e autorëve të Gërdecit me politikën, ka siguruar dokumente autentike që dëshmojnë për kompaninë që ka ndërtuar Fabrikën e Vdekjes. Dokumentet janë tronditëse për implikimin politik të Sali Berishës në këtë histori dhe lidhjen e tij me grupin kriminal të Delijorgjit, i cili, në kohën që ka marrë këto privilegje, ka qenë ende një person i dënuar për evazion fiskal.
Dokumentet që ka siguruar gazeta “TemA” provojnë se firma, e cila ka kryer punimet për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit, është shumë e njohur tanimë për opinionin publik shqiptar dhe lidhjet e saj të çojnë te kupola e pushtetit. Dokumenti A (fq. 1; 2), që gjendet në dosjen e Gjykatës së Lartë, dhe Dokumenti B (fq. 1; 6; 23), tregojnë mbi informacionin shqetësues të Policisë Ushtarake në lidhje me punimet e kryera në repartin e Gërdecit nga një firme private. (FAKSIMILE 1)
Ky informacion i është bërë i ditur, si ministrit të Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, dhe shefit të Shtabit, z. Hoxha, dhe rezulton se të dy ata kanë qenë në dijeni dhe kanë miratuar në heshtje vazhdimin e punës. Dokumenti C (fq. 1;2;3 & shkresa nr. 1217), tregojnë procesverbalin e marrjes së dokumenteve nga Prokuroria e Përgjithshme, si dhe shkresa nr. 1217 tregon mbi një informacion që Brigada Ajrore i kërkon Komandës së Forcës së Bashkuar mbi punimet e firmës private.
(FAKSIMILE 2)
...........
Pra, këto dokumente të vërteta tregojnë se cila është kompania që ka kryer punime në Gërdec për ndërtimin e fabrikës së demontimit. Më pas në fundin e shtatorit 2007, Gërdeci i kaloi si pronë kapitale MEICO-s me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe gjithë këto fakte të pakundërshtueshme Prokuroria e Përgjithshme ka kohë që i ka pasur. I çuditshëm është konfuzioni që ekziston në Prokurorinë e Përgjithshme për faktet që hetojnë dhe fakti që kjo kompani nuk është vënë nën sekuestro deri më sot. Një tjetër fakt i rëndë kundër prokurorisë është se ajo nuk ka thirrur për të pyetur asnjë nga aksionerët e kësaj kompanie dhe nuk i ka dhënë rëndësinë e duhur këtij fakti, i cili në të vërtetë dëshmon gjithë mekanizmin politik që ka prodhuar Gërdecin. Po ta lidhësh këtë fakt dhe me disa udhëtime misterioze të disa aksionerëve të kësaj kompanie në Bosnjë dhe lidhjet me një tjetër trafikant armësh, që u fut si sekser në kontratën e Rinasit, dalin dhe lidhjet e mëtejshme politiko-kriminale të trafikut të armëve në Shqipëri.
Gazeta “TemA” do të publikojë nesër dokumente të hollësishme rreth këtij skandali dhe do të tregojë atë që kryeministri Berisha hezitoi ta bënte dje publike në konferencën për shtyp.