E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Papunësisë dhe Mosintegrimit të shqiptarëve

Nga Sadedin Çeliku

Pas ndryshimit të sistemit, nevoja për një jetë më të mirë dhe tranzicioni i gjatë që prodhon mjaft plagë sociale, detyruan mbi një milion shqiptarë të marrin rrugën e kurbetit. Kjo hemorragji nuk ka prekur vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe ata të Kosovës e Maqedonisë. Kombi shqiptar nuk është i vogël. Ai ka rreth 10 milionë shqiptarë; rreth një milion në Maqedoni (40% e popullsisë atje), 2.2 milionë në Kosovë, 4.3 milionë në Shqipëri dhe rreth 2 milionë në Turqi, tërësisht të asimiluar.

Mungesa e politikave të qarta të qeverive pas viteve 1990 ka shkaktuar një hemorragji që vështirë se do të kurohet. Ka një mungesë të theksuar vullneti nga prindërit emigrantë për t’u mësuar fëmijëve të tyre të flasin e të shkruajnë shqip. Shteti ynë nuk do t’ia dijë dhe e ka lënë këtë politikë ta bëjë një emision (“Zemër e Hapur”), që për hir të së vërtetës duhet përshëndetur për punën mirë që bën.

Qeveria serbe ka një ministër vetëm për 100 mijë serbë në Mitrovicë. Po ne?

Çdo forcë politike që merr pushtetin, Ministrinë e Punës e konsideron si ministri të dorës së dytë dhe u besohet gjithmonë forcave të vogla politike që janë në koalicion me Partinë Demokratike apo Partinë Socialiste. Sikur të mos mjaftojë kjo, dikush e quan këtë institucion Ministria Punës dhe e Çështjeve Sociale, dikush e Shanseve të Barabarta. Që nga emërtimi kuptohet se ç’vend dhe rëndësi gjejnë problemet e emigracionit dhe pse jo të migrimit që po prodhojnë mijëra analfabetë.

Kemi një Ministri Integrimi që nuk ka gjasa të integrojë as veten e saj. Me problemet e integrimit në strukturat euroatlantike dhe Bashkimin Evropian po merret Ministria e Punëve të Jashtme dhe kryetarja e parlamentit, e cila është shfaqur mjaft aktive. Po kjo ministri çfarë bën?

Nuk mendoj se është tërësisht faji i zonjës Bregu, por i strukturave të qeverisë dhe e shkallës së rëndësisë që i jep qeveria këtij fenomeni. Nuk ka asnjë institucion shqiptar apo mbarëshqiptar që të ketë të memorizuar të gjithë shqiptarët kudo ku janë, mandej t’i mbrojë ata, sa herë që ata kanë nevojë. Brezin nga brezi e ndajnë 2-3 dekada dhe në bazë të llogarive i bie që në harkun e një gjysmëshekulli shqiptarët kudo ku janë të asimilohen komplet. Fëmijët tanë, nipërit e mbesat tona që lindin e rriten në vendet e huaja, sidomos Greqi, Itali, Angli, ShBA, Kanada e gjetkë nuk dinë shqip dhe nuk bëhet fjalë të shkruajnë. Vihet re mungesë interesi për të ditur gjithçka për atdheun e tyre, edhe për shkak të politikave që zbatojnë subjektet shqiptare. Segmente të caktuara komunitare shqiptarësh kanë prodhuar iniciativa personale në dobi të kombit. Kështu, në Wester (Boston), të SHBA është hapur një televizion shqiptar që jep 2 orë në ditë program shqiptar. Në Greqi janë hapur dy shkolla fillore shqipe, ndërsa gazeta shqiptare në Itali etj. Këto iniciativa janë pozitive, por nuk do të kenë jetëgjatësi, për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti amë dhe për mungesë financimi. Pra, janë iniciativa të shkëputura dhe të paorganizuara mirë. Duke i qëndruar besnik çështjeve të integrimit dhe shkallës së rëndësisë po sjell një shembull. Frankofonët deri në vitin 1970 zinin vendin kryesor, jo vetëm në diplomaci, ku përdorej vetëm gjuha frënge, por dhe në sektorë të tjerë në shumë vende. Mirëpo Amerika dhe Anglia investuan goxha pothuajse në të gjithë botën dhe për rrjedhojë nuk mungoi rezultati. Në të gjithë botën tashmë flitet anglisht falë politikave dhe financimit. Po ne çfarë bëjmë?

Hidhini një vështrim administratës publike dhe do të gjeni me qindra nëpunës me diploma false, madje nuk mungojnë dhe mastera e doktoratura. Paaftësia është dominante kudo për shkak të mungesës së integrimit të qindra e mijëra shqiptarëve që studiojnë për mastera e doktoratura në vendet e zhvilluara dhe nuk kujtohet njeri t’i evidentojë dhe t’i integrojë në administratën publike në dobi të zhvillimit të vendit. Në këtë mënyrë ato preferojnë të punojnë në vendet ku studiojnë, sepse nuk shikojnë asnjë dritë jeshile nga qeveritë shqiptare për t’i integruar në vendin e tyre. Edhe ata të rinj që kanë mbetur në Shqipëri dhe bëjnë rolin e të mençurit, e shikojnë integrimin në politikë, sepse kanë kuptuar se përfitimet nga ai sektor janë të mëdha.

Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta, emigracionin e shikon si një marrëdhënie bashkëpunimi me IOM për të realizuar punësimin sezonal të disa njerëzve në Itali. Në mënyrë absolute kjo ministri është jashtë loje. Po cila do të ishte zgjidhja?

Ministria e Integrimit duhet forcuar në organigramë dhe mbështetur financiarisht që ajo të kryejë misionin e saj në përputhje me objektivat dhe programet qeverisëse që duhet të jenë konstante, permanente, pavarësisht se cila forcë politike qeveris.

Në objektin e saj kjo ministri nuk duhet të ketë vetëm shtetasit e Shqipërisë, por edhe ato të shqiptarëve që janë në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Greqi, ShBA, Kanada, Angli e gjetkë.

Puna nuk më duket kaq e vështirë, po të kemi parasysh zhvillimin dhe përparimin që ka marrë sot teknologjia e informacionit.

Kjo ministri patjetër që duhet të ketë objektivin kryesor emigrantët dhe integrimin e tyre, por duhet të bëjë kujdes edhe për migrimin, i cili po krijon një armatë analfabetesh, të cilët nga papunësia dhe mungesa e shkollimit do të kthehen në një kontingjent shumë të rrezikshëm krimi. Natyrisht, për realizimin me sukses të kësaj detyre, që s’është aspak e lehtë, duhet të bëhen politika e programe të qarta. Ambasadat tona jashtë, nga ku ne kemi numrin më të madh të emigrantëve, duhet të kenë punonjës (diplomatë), të posaçëm për këtë punë, e cila nuk besoj se e bën fukara këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›