E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muskuj prej silikoni

Nga Kim Mehmeti

Fuqia politike është e ngjashme me paratë: mençurinë e ndihmon të bëjë vepra të mira për veten e të tjerët, e budallain e bën të marrë në qafë vetveten dhe të tjerët. Nga ky këndvështrim duhet analizuar edhe politika e kryeministrit aktual maqedonas, Nikolla Gruevski, i cili e ka shndërruar Maqedoninë thuajse në pronë të partisë së tij, VMRO-DPMNE. Pas zgjedhjeve presidenciale dhe vendore të para disa ditëve, përpos shumicës absolute parlamentare që kishte deri tani, Gruevski do ketë edhe presidentin e shtetit si kukull të tij, edhe kryebashkiakun e Shkupit si kipcin e vet, si edhe 35 figura prej dylli si prefektë komunash. Kështu që me të drejtë tani ka filluar debati: cila do jetë pozita e mëtejme e BDI shqiptare në koalicionin qeveritar me një VMRO-DPMNE kaq të fortë. Pra, cila do jetë pozita e subjekteve politike shqiptare, kur, shikuar nga aspekti kushtetues e juridik, Gruevski mund të mos i përfillë fare ato. Apo do të veprojë ashtu siç vepron edhe tani: partitë shqiptare t’i konsiderojë aq të rëndësishme, sa edhe sekretareshën e kabinetit të tij.

Nuk ka dyshim se në shikim të parë, muskujt politikë të Gruevskit duken si të ndonjë pehlivani që të trishton. Por, nëse ato muskuj i analizon vëmendshëm, do vëresh se janë të mbushur me silikon; me një silikon të llojit të ri, që përbëhet nga mospasja potencë dhe pjekuri e partive politike të këtushme shqiptare. Kështu që forca e muskujve të tij politikë është proporcionale me inferioritetin e partive të shqiptarëve të Maqedonisë.

Por të shkojmë radhazi. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, Gruevski mori në qeveri PDSH që nuk kishte fituar shumicën e votave shqiptare. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2008, Gruevski e korrigjoi këtë gabim dhe mori në qeveri BDI e Ali Ahmetit, e cila për herë të dytë i fitoi këto zgjedhje. Dhe nëse në 2006, PDSH i dëshmoi Gruevskit se është gatshme të shkelë edhe mbi kufoma shqiptarësh për të ardhur në qeveri, në vitin 2008, Ali Ahmeti i dëshmoi Gruevskit se partitë shqiptare bëjnë koalicion edhe me djallin, vetëm të jenë sa më pranë sofrës ku ai me të vetët do bëjë gosti, e ata do i mbledhin mbeturinat. Me çka Gruevski e lexoi drejt, se partitë shqiptare nuk kanë as koncept, as platformë politike dhe se beteja e tyre për “interesat kombëtare” fillon e përfundon te kolltuku i butë i ndonjë ministrie të dorës së tretë.

Duke e lexuar drejt se partitë shqiptare janë përplot shqiptarizëm, derisa janë në opozitë, e si tullumbace të shfryra, kur i merr në qeveri, Gruevski edhe BDI ia caktoi rolin e duhur gjatë zgjedhjeve presidenciale të para disa ditëve. Pra, ia caktoi rolin që gjithmonë kanë pas partitë shqiptare gjatë zgjedhjeve presidenciale: t’i sjellin në kutitë e votimit të gjitha votat e shqiptarëve të këtushëm. Dhe kështu u arrit marrëveshja Ahmeti-Gruevski për përkrahje të ndërsjellë të kandidatëve të partive të tyre në disa komuna dhe votimin e kandidatit presidencial të VMRO-DPMNE, antishqiptarin e “doktoruar”, Gjeorgji Ivanovin.

BDI, si parti që e “mban fjalën” (ky ishte slogani parazgjedhor i kësaj partie), bëri çmos të arrihet censusi i nevojshëm prej 40 për qind votuesish që të zgjidhej Gjeorgji Ivanovi për president. Por BDI nuk ia doli të fshehë se shqiptarët masovikisht i bojkotuan këto zgjedhjet presidenciale, me çka dëshmuan se nuk janë ata të dikurshmit, të paketuar sipas dëshirës së lidershipëve partiakë. Kështu që Gjeorgji Ivanovi mori nga shqiptarët më pak vota sesa është numri i familjarëve të anëtarëve të kryesisë së BDI. Me çka, në mënyrë indirekte, votuesit shqiptarë ia forcuan Ali Ahmetit pozitat në qeverinë e Gruevskit. Por, ia forcuan për aq sa Ahmeti do dijë e do ketë guxim të shkojë te Gruevski e t’i thotë: Zotëri, maqedonasit zgjodhën president, por Maqedonia mbeti pa president legjitim. T’i thotë se Gjeorgji Ivanovi mund të flasë kudo në emër të maqedonasve, por jo edhe në emër të Maqedonisë.

Por, që ta thuash këtë, duhet të dish ta lexosh drejt porosinë që të dërgon populli. E shqiptarët e Maqedonisë u përcollën porosi të qartë liderëve të tyre partiakë. Ata u thanë prijësve partiakë se në shtet me parti etnike, në shtet me demokraci “badinteriane”, nuk është e mundur vetëm presidenti të zgjidhet “multietnikisht”. Shqiptarët e këtushëm u thanë partive të veta se ata nuk duan një Maqedoni ku të gjitha postet më të rëndësishme do i takojnë vetëm një etniteti, por duan ndryshime kushtetuese që do garantojnë ndarje të drejtë të çdo gjëje në këtë shtet. Shqiptarët e Maqedonisë pra e kanë kuptuar atë që assesi nuk ia dolën ta kuptonin partitë e tyre; se prona e përbashkët duhet menaxhuar bashkërisht, e jo sipas parimit të pronarit dhe vasalit..

Por Gruevski, përpos që e lexoi mirë inferioritetin e partive të këtushme shqiptare, ai e zbërtheu drejt edhe “mirësjelljen, paqedashjen dhe orientimin e paluhatshëm properëndimor” të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Në vitin 2006, kur formoi qeveri pa legjitimitetin e shqiptarëve të këtushëm, legjitimitetin e munguar e siguroi duke u takuar dhe përqafuar me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Andaj, autori i këtij teksti, publikisht pohon se e dinë veprimin e ardhshëm të Gjergji Ivanovit: do bëjë çmos që të takohet sa më shpejt me Bamir Topin dhe Fatmir Sejdiun. Me çka edhe njëherë do dëshmohet se nuk është vetëm Shkupi zyrtar ai që nuk respekton vullnetin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe Prishtina dhe Tirana zyrtare dinë të jenë mospërfillëse ndaj këtij vullneti. Andaj ndonjëherë duken qesharake pyetjet pse shqiptarët e Maqedonisë nuk ia dalin dot të faktorizohen, e të marrin atë që u takon. Përgjigjja është e thjeshtë, por me të mund të përballen vetëm ata që nuk bëjnë tregti me popullin e vet. Me këtë përgjigje mund të përballen ata që nuk vuajnë nga inferioriteti që i çon të bëhen të pëlqyeshëm për të tjerët, duke mos mbajtur llogari se çka mendon për ta populli, të cilin e përfaqësojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›