NATO për shqiptarët apo amnisti politike!
A e meriton realisht Shqipëria dhe shqiptarët të jenë anëtarë të NATO-s?
Përtej retorikës së përditshme të politikanëve në media, shumë pak shqiptarë mendojnë dhe besojnë se Shqipëria reale, Shqipëria e përditshme atje poshtë, duhet të jetë pjesë e strukturës ushtarake.
Shumë pak shqiptarë mendojnë dhe besojnë realisht se Shqipëria ka me të vërtet një ushtri të denjë për në NATO. A nuk janë këta shumicë shqiptarësh, të cilët nuk i dërgojnë fëmijët ushtarë vetëm për shkak të kushteve të këqija në repartet shqiptare?
A nuk janë këta shumicë shqiptarë të thjeshtë, fëmijët e të cilëve i kapin dhe i dërgojnë forcërisht për të kryer ushtrinë?
A nuk janë këta shumicë shqiptarësh të cilët mendojnë dhe besojnë realisht se edhe ata ushtarë që përgatiten në repartet tona, nuk janë aq të aftë sa ushtarët e vendeve të tjera të NATO-s?
A nuk janë këta shumicë shqiptarësh, të cilët mendojnë dhe besojnë realisht dhe në të përditshmen e tyre se jemi shumë vite mbrapa në krahasim me shtetet e tjera të NATO-s, si nga ana ekonomike por edhe mentaliteti e ndërgjegjja?
Atëherë kur shumica e shqiptarëve e dinë realisht gjendjen e tyre dhe të vendit të tyre, përse jemi vend anëtarë i NATO-s?
Atëherë përse gjithë ky nxitim i politikës shqiptare, për të përfituar kush e kush më shumë nga hyrja në NATO, thuajse sikur nuk e njohin atë gjendjen reale të vendit të tyre, ashtu si e njohin shumica e shqiptarëve?
Janë kaq shumë pyetje, të cilat nuk mbarojnë kurrë po të vazhdohet gjatë, por që kanë vetëm një përgjigje, atë që ne shqiptarët dhe Shqipëria jonë, nuk i plotësojmë aq kritere sa për të qenë vend anëtarë i NATO-s.
Por ndërsa këtu poshtë shqiptarët e thjeshtë dhe me halle plot, e konsiderojnë një “dhuratë” të të huajve anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për interesa të tyre rajonale afatgjata e strategjike, atje lart politika shqiptare është në delir për këtë “dhuratë”.
Në delir, jo sepse vendit që ata drejtojnë iu bë një “dhuratë” e çmuar për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre, por sepse e konsiderojnë një “dhuratë” që ju bëhet thjesht dhe vetëm atyre.
Anëtarësimi në NATO i Shqipërisë së thjeshtë është gati si një “amnisti politike”për klasën politike shqiptare, e cila është në një faj të madh prej 20 vitesh me shqiptarët e thjeshtë, për varfërinë dhe mungesën e shpresës në të cilën i kanë zhytur.
Është kështu ndaj nuk ka si shpjegohet ndryshe nxitimi i politikanëve për të përfituar nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nxitimi për t’iu treguar shqiptarëve të thjeshtë se pa këtë klasë politike, kjo nuk do të ishte arritur.
Me anëtarësimin në NATO, klasa politike shqiptare ka tashmë “të drejtën” t’ju tregojë shqiptarëve se është e aftë të vazhdojë të qeveris vendin, se nuk ka asnjë faj për varfërinë në të cilën është zhytur vendi, se me pak fjalë i ka “larë të gjitha gjynahet e veta”në këto 20 vite.
Me anëtarësimin në NATO klasa politike shqiptare është e gatshme t’ju tregojë shqiptarëve se këtë klasë politike e pranon edhe Bota e qytetëruar, përderisa Shqipëria u pranua vend anëtarë i NATO-s.
Ndaj edhe klasa politike shqiptare, fajtore për të gjithë këtë situatë kaotike në të cilën jetojnë shqiptarët, nxiton tua lexojë shqiptarëve pranimin në NATO, si një amnisti apo falje që Bota i ka bërë kësaj politike, falje të cilën duhet ta bëjnë shqiptarët.
Pas kësaj “amnistie politike”, klasa politike shqiptare do të vazhdojë të drejtojë vendin sikur të mos ketë ndodhur asgjë, sikur nuk ka qenë ajo fajtore për zhgënjimin e madh të shqiptarëve, sikur nuk ka qenë ajo gjithë këtë kohë në drejtim dhe të tjera justifikime.
Ndaj edhe pranimi në NATO, duket se po kënaq më shumë klasën politike, e cila e ka “lexuar”atë si një “amnisti politike” për të gjitha prapësitë e saj 20 vjeçare dhe po ndihet fare pak në popull, të cilit duket se e keqja më e madhe që do t’i sjellë pranimi në NATO, do të jetë se do të drejtohet edhe për 20 vjet të tjera nga kjo klasë politike.