E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri u bën thirrje bashkive të zhbllokojnë situatën e lejeve të ndërtimit

Kryeministri Berisha e cilësoi si të dhimbshëm dhe të papërgjegjshëm qëndrimin e disa bashkive dhe Këshillave Bashkiake të vendit, të cilët nuk mbledhin Këshillat e Rregullimit të Territorit. Gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së Kryeministri tha se është shqetësues fakti që këto bashki nuk aktivizojnë potencialet e tyre për fillimin dhe finalizmin e planeve urbanistike, dhe nuk ushtrojnë detyrimet ligjore për të dhënë leje ndërtimi. Ai theksoi se një përgjigje për këtë situatë do të japë ligji i urbanistikës duke nënvizuar se edhe ky ligj do të ketë parimin e miratimit në heshtje për të gjitha kërkesat që burokracia për shkak të mykut të saj nuk i shqyrton në kohë. "Unë jam shumë i shqetësuar për këtë situatë të krijuar në bashkitë e vendit, dhe në bashkitë kryesore për fat të keq, dhe u bëj thirrje t`i japin fund me shpejtësi kësaj situate përndryshe qeveria do të detyrohet të zhbllokojë këtë situatë. Ne nuk mund të pajtohemi me një situatë të tillë", tha kryeministri Berisha duke shtuar se bashkitë kryesore të vendit janë para një bllokimi të veprimtarisë urbanistike ndërtuese në një seri qytetesh. Ai theksoi se arsyen për krijimin e një situate të tillë e dinë më mirë drejtuesit e këshillave dhe të bashkive të këtyre qyteteve. Kryeministri tha se kjo do jetë së shpejti dhe objekti i një analize.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›