E Diel, 1 Nëntor 2026

Njohja dhe certifikimi i produkteve shqiptare me standardet ndërkombëtare

Autoritetet nxisin procesin e njohjes dhe të certifikimit të produkteve shqiptare me standardet ndërkombëtare, veçanërisht për ato, që janë të destinuara për eksport në vendet e rajonit, të BE-së, apo dhe më tej. Për adoptimin e standardeve sipas Organizatës Ndërkombëtare të Standardeve, ISO, të Komitetit Evropian për Standardizimet, CEN, apo organizmave të tjerë të njohur në këtë fushë, Shqipëria ka një bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera të rajonit, apo me vende të tjera evropiane.

Sa herë që flitet për produktet shqiptare, që kërkojnë të jenë pjesë e tregjeve jashtë vendit argumenti, që përsëritet nga ekspertët, është plotësimi i standardeve. Por ky koncept nuk përfshin më vetëm produktet për eksport, por dhe atë, që destinohet për tregun vendas. Globalizmi i ekonomisë siguron një fluks të jashtëzakonshëm mallrash dhe shërbimesh, që e bëjnë konkurrencën dhe ndarjen e tregut gjithnjë e më dinamik. Për biznesmenët shqiptarë është rritur interesimi që aktiviteti dhe malli, që ofrojnë, të jetë i standardizuar. Kjo sipas Bashkim Muçës, që është në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimeve të Shqipërisë, nuk është një proces i lehtë, që e kryen në një kohë të shkurtër. Muça thotë për DW se kërkesa e tregut vendas për standarde është në rritje.

“Ne kemi deri tani të adaptuara rreth 95 për qind të standardeve evropiane dhe në këtë pikëpamje jemi më të avancuara se vendet e tjera të rajonit. Por kemi nevojë për çështje, që kanë të bëjnë me ngritjen e kapacitete administrative, pjesëmarrje në procesin e punës pranë organizatave ndërkombëtare, ku vendet e rajonit janë edhe më të përparuara”.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimeve të Shqipërisë është anëtare korrespondente e ISO-s (Organizata Ndërkombëtare e Standardizimeve) dhe ka ambicie për të qenë me të drejta të plota në CEN (Komiteti Evropian i Standardizimeve) dhe në CENELEC (Komiteti Evropian për Standardizimin në Elektronikë).

Sipas Bashkim Muçës shitja e standardizimeve në tregun vendas ka rritje në afër 25 për qind, krahasua me një vit më parë. Sektorët më të interesuar sipas tij janë ndërtimi dhe infrastruktura si dhe fasonët. Ndërkohë që për tregun jashtë vendit shitjet më të mëdha të standardeve bëhen në Kosovë, thotë Muça për DW.

“Kosova është në ngritjen e trupës së standardizimit. Siç dihet edhe ajo është në një proces të integrimit evropian dhe Shqipëria po e mbështet fuqishëm atë në këtë aspekt. Kemi dhe marrëveshje dypalëshe dhe me Maqedoninë, ndërkohë që jemi në negociata që marrëveshje të tilla t'i kemi dhe me Malin e Zi e me Serbinë.”

Bardhi Sejdarasi, drejtor ekzekutiv në Dhomën kombëtare të punonjësve të prodhuesve të veshjeve dhe këpucëve, shprehet se tashmë nuk është vetëm nevojë, por domosdoshmëri që produktet shqiptare të përqafojnë standardet evropiane. Kjo sipas tij vjen dhe nga trendi i një tregu të hapur dhe global, kur Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjet e tregtisë së lirë, ose marrëveshjet CEFTA-s, ku përfshihen vendet e rajonit, por dhe nga detyrimet, që lindin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Kjo e rrit konkurueshmërinë për prodhimet dhe shërbimet, kjo rrit kërkesën për të rritur standardet, thotë Sejdarasi për DW.

“Mënyra e standardizimit të tyre është modifikimi i produkteve dhe shërbimeve sipas standardeve evropiane. Sepse produktet, psh duhet të dalin nga qarku i mbyllur, që të mos jenë të destinuara vetëm për Shqipërinë, por në bazë të lehtësive, që krijojnë marrëveshjet e tregtisë së lirë të dalin dhe në tregjet rajonale me një popullatë afër 60 milion janë vendet afër Shqipërisë, por dhe në tregjet e tjera evropiane e deri përtej Atlantikut”.

Për sektorin e regjimit të përpunimit aktiv, ose siç njihet ndryshme sektori i fasonëve, ku punohet me material porositësi, ka nisur në shkallë të gjerë vitet e fundit të bëhet standardizimi i produkteve të tyre. Sipas standardit ISO 9001, apo dhe me standarde të tjera të njohura ndërkombëtare në varësi të destinacionit  dhe kërkesa, që ka konsumatori. Bardhi Sejdarasi i referohet një studimi të kohëve të fundit të një studioje private gjermane për nivelin, që ofrohet nga firmat dhe kompanitë shqiptare të sektorit të fasonëve.

“Rreth një e treta e kompanive të vëzhguara janë të gatshme të hyjnë që sot në tregun europian, sepse i plotësojnë kushtet. Një e treta e këtyre kompanive janë të gatshme që me përmirësime operacionale dhe disa investime të vogla teknologjike mund të jenë shumë shpejt pjesë e tregut evropian dhe më gjerë. Dhe vetëm një e treta prej tyre kanë probleme, që lidhen me investimet, apo me diversikimin e proceseve e produkteve që realizojnë.

Sipas ekspertëve ky është një sinjal pozitiv, që tregon se kompanitë shqiptare kanë shfrytëzuar lehtësitë në treg, që ua jep pozicioni gjeografik. Por dhe për të amortizuar goditjet e krizës globale, që nisi nga fundi i vitit 2008. “Produktet e Fasonëve tani nuk janë të orientuara në dy fqinjët më të afërt, që janë anëtare të BE-së, Itali e Greqi, por dhe më tej akoma në Gjermani, Zvicër, Holandë etj. Ky zgjerim i hartës së tregut të eksporteve nuk mund ta zgjerohet dhe diversifikohet pa garantuar standardin.”, thotë për DW-në Bardhi Sejdarasi, drejtor ekzekutiv në Dhomën kombëtare të punonjësve të prodhuesve të veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›