E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja e diplomës shqiptare në Itali

Ja cilat janë dokumentet që duhen për legalizimin e titujve të studimit të kryer brenda territorit shqiptar në shtetin fqinj


Pak ditë më pare, Ministria e Arsimit publikoi ekuivalentimin e diplomave të rreth 300 studentëve shqiptarë e të huaj që kishin studiuar jashtë Shqipërisë, por që punën e kanë këtu.


Ndërkohë, nuk janë të paktë as ata shqiptarë të cilat kanë kryer studimet brenda vendit, por që duan të punojnë dhe të jetojnë jashtë kufijve, duke vënë në shërbim njohuritë e fituara në shkollat vendase.


Kështu, mësohet se për të njohur diplomën apo dëftesën e shkollës shqiptare në vendin fqinj, Itali, të interesuarit duhet të paraqesin këto dokumente


Arsimi i lartë


Pranë Ambasadës Italiane paraqitet: diploma e shkollës së lartë ose certifikata apo dëshmi specializimi pasuniversitare. Këto dokumente duhet të jenë në origjinal dhe bashkangjitur duhet të kenë edhe listën e notave në origjinal. Gjithashtu të interesuarit duhet të paraqesin një fotokopje të noterizuar të origjinalit; fotokopje të diplomës dhe e listës së notave (këto të përkthyera, noterizuara dhe legalizuara pranë Ministrisë së Jashtme Shqiptare).


Vetëm për ata të cilët kanë mbaruar pranë Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik të Tiranës ose Akademisë se Arteve Tiranë kërkohet edhe një mandat arkëtimi, taksa në emër të Rektoratit, e cila pritet pranë Zyrës Juridike të Rektoratit, ose pranë ndonjë banke të autorizuar nga kjo strukturë, për llogari të Rektoratit (ky mandat nuk ka nevojë të jetë i përkthyer dhe as i noterizuar apo legalizuar, si pjesa tjetër e dokumenteve).


Arsimi parauniversitar


Kandidatët duhet të paraqesin dëftesë pjekurie apo dëftesë lirimi të shkollës e 8 ose 9-vjçare. Dëftesa e pjekurisë ose dëftesa e lirimit duhet në origjinal; fotokopje të noterizuar të vulosur e firmosur në Drejtorinë Arsimore të Rrethit dhe më pas edhe në Ministrinë e Arsimit Shqiptar.


Kurset


Për ata që kanë kryer kurse profesionale duhet dëshmia e kualifikimit konkretisht në: infermieri, laborant dentar apo kurse të tjera, në nivel parauniversitar të kryera menjëherë pas 8-vjçares apo pas së mesmes. Origjinali i kësaj dëshmie si dhe i listës së notave (në rast se kursi parashikon edhe listë notash). Y.Lezo


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›