Njohja e pensioneve me Italinë, Rama: U firmos edhe dokumenti i fundit

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se pasporta europiane siguron njohjen e çdo dite pune për shqiptarët kudo ku punojnë e jetojnë në Europë.
Gjatë një takimi në Milano, me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, Rama dekaroi se me hyrjen e vendit në BE, shqiptarët në Greqi, që ende vuajnë për dokumente, do të bëhen menjëherë qytetarë të barabartë të Greqisë.
“Ne bëmë një përpjekje shumë të gjatë që më në fund qeveria italiane të njihte pensionet tuaja. Dhe ju pritët. Pasi u morëm vesh me motrën time në Romë, vetëm para 3 ditësh është firmosur edhe dokumenti i fundit. Por nëse do të kishit pasaportën e BE-së, shqiptarët nuk do të kishin nevojë për asnjë lloj njohjeje nga qeveria italiane. Me pasaportën e BE vëllezërit e motrat në Greqi, që ende vuajnë për dokumente, do të bëhen menjëherë, automatikisht qytetarë të barabartë të Greqisë“, deklaroi Rama.
Sipas tij, ajo pasaportë është njohje automatike e pensioneve, e çdo dite pune, njohje automatike e çdo të drejte që kanë italianët, gjermanët, francezët dhe gjithë qytetarët e tjerë të BE-së. /j.p/