Rama me shqiptarët në Milano: Ofensivë e bufit, bretkosave dhe mushkonjave për të shkrirë SPAK-un

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot gjatë takimit me shqiptarë në Milano se vota e 11 majit nuk ka të bëjë me pushtetin në vetvete.
“Këtu nuk bëhet fjalë për të marrë një votë më shumë sesa këneta, se kjo është më e thjeshta që ne mund të bëjmë. Këtu bëhet fjalë për t’i dhënë Shqipërisë të gjithë së bashku mundësinë që të vrapojë drejt objektivit që të mos ndalet në asnjë minutë në kryerjen e negociatave që të firmosim marrëveshjen në 2027-ën dhe që Shqipëria 2030 pasi të ketë marrë miratimin e 27 parlamenteve të vendeve anëtare të ulet në tryezën e BE-së dhe ta garantojë përfundimisht, ta garantojë pa asnjë mundësi prapakthimi, ta garantojë si një të drejtë të lindur të çdo vajze dhe djali shqiptar, pavarësisht statusit të familjes, pavarësisht nëse familja është e pasur apo e varfër, pavarësisht nëse familja është e njohur apo e panjohur, barazinë përpara ligjit”, u shpreh Rama.
“Dhe deri në atë moment vetëm ne, PS, populli socialist dhe progresist, unë ju të gjithë bashkë, mund ta mbrojmë drejtësinë nga ofensiva e bufit, bretkosave dhe mushkonjave që siç e keni parë më 12 maj do të shkrijnë SPAK-un, e vërteta është që në 12 maj ata thjesht dhe vetëm do të prezantohen me Noc Rrokun”, tha Rama. /j.p/