E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja e pronës, afatet për ish-pronarët

 

Ministria e Bujqësisë ka gati listën prej 20 mijë hektarësh tokë bujqësore që do të shërbejë për fondin fizik të kompensimit

TIRANË- Nga data 16 Maj e deri më 31 Dhjetor të vitit 2008, të gjithë subjektet e shpronësuara gëzojnë të drejtën ligjore për të dorëzuar pranë agjencive rajonale të pronave, kërkesën për njohjen e pronësisë. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho deklaroi dje për "Shekullin" se ky është afati i vendosur në ligjin e dekretuar pak ditë më parë nga Presidenti i Republikës, "Për një shtesë dhe disa ndryshime në Ligjin Nr.9235, datë 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar. Menjëherë pas botimit të ligjit në Fletoren Zyrtare, që pritet të ndodhë deri në datën 15 Maj, subjektet e shpronësuara gëzojnë të drejtën e depozitimit të kërkesave për njohje prone. Ndërkohë, Maho ka konfirmuar dje se objektivi kryesor i AKPP-së për vitin 2008, pra krijimi i fondit të kompensimit fizik, është drejt përfundimit. Kështu, Maho konfirmoi se nga ana e Ministrisë së Bujqësisë janë paraqitur rreth 20 mijë hektarë tokë bujqësore, në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për tokë bujqësore, e cila figuron në emër të shtetit dhe që do të shërbejë pikërisht për krijimin e fondit fizik të kompensimit. Por në njëjtën kohë, në krijimin e fondit fizik të kompensimit do të shërbejnë edhe trojet, pyjet, kullota e livadhe të cilat administrohen sot nga Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme dhe e Ekonomisë. Pra bëhet fjalë për gjitha ato pasuri që nuk shfaqin interes publik, apo që nuk i shërben më interesave të këtyre ministrive. Në këto kushte, drejtori i AKKP-së bëri me dije se në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, po shikohet mundësia e hartimit të një projektvendimi, ku subjektet e shpronësuara të kenë mundësinë e kompensimit të pronës së tyre me objektet që janë pjesë e procesit të privatizimit, por që nuk kanë shfaqur interes. Qëllimi, më pas, do të jetë miratimi i këtyre pasurive me Vendim të Këshillit të Ministrave. Pasi shqyrtohen nga Këshilli i Ministrave, pasuritë në fjalë, do të administrohen dhe shpërndahen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës në favor të subjektit të shpronësuar. Krijimi i fondit fizik të kompensimit, në fakt, është cilësuar nga AKKP si burimi më i madh për përmbylljen e procesit të kompensimit. Edhe pse ligji ka përcaktuar një afat të mesëm për përmbylljen e procesit, (fundin e vitit 2014) dihet tashmë që, përpos dëshirës së madhe, fondi monetar për të kompensuar ish-pronarët është tepër i vogël. Fondi në fjalë, që çdo vit ka qenë 5 milionë dollarë, nuk mund të përmbushë interesat e ish-pronarëve, ndaj dhe krijimi i fondit fizik të kompensimit, që sipas objektivave të AKKP-së duhet të përfundojë në fund të këtij viti, do të ishte rruga më e mirë e mundshme për kompensimin e ish-pronarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›