Përfundon në Ohër samiti i presidentëve
Kosova u diskutua gjatë dy ditëve, ku temat e parapara ishin integrimet dhe sfidat energjetike të rajonit.
"Edhe pse ka pikëpamje të ndryshme për pavarësinë e Kosovës, stabiliteti rajonal është i rëndësishëm dhe prandaj duhet të ketë përpjekje të vazhdueshme për këtë", thuhet ndër të tjera në përfundimet e samitit të Ohrit.
Përfaqësues të Kosovës nuk ishin të pranishëm në këtë samit dhe nuk do të jenë as në të rradhës që do të organizohet në Serbi.
Shkak për këtë, është qëndrimi i paunifikuar për pavarësinë e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse në këtë forum politik.
Presidenti serb, Boris Tadiç në konferencën përmbyllëse për shtyp tha se "Kosova asnjëherë nuk do të jetë pjesë e takimeve rajonale".
Në pikët e tjera të përfundimit të samitit, thuhet se për integrimet euro-atlantike nuk ka alternativë tjetër për vendet aspirante dhe se zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë një nga prioritetet.
Ky ishte samiti 15-të i presidentëve të 19 vendeve të Evropës Qendrore.
Ky takim është një Forum këshillëdhënës dhe përfundimet e tij nuk janë të detyrueshme.