Njohja me veprat e Saraçit
Heshtjen e gjatë për Çatinin në Shqipëri e "theu" një kartolinë e dërguar prej albanologut anglez, Liam Mcdowall, më1991-shin. Kartolina e botuar nga "The Pride Galery", Londër, paraqiste një tablo të Çatin Saraçit. Deri në atë vit, në Shqipëri nuk njihej piktor tjetër në Britani përveç Vera Blloshmit, e larguar që më 1945-ën. Por, me gjithë interesimet e shumta, të bëra edhe me nxitjen e kartolinës, atë vit nuk u gjend asnjë e dhënë tjetër më tepër për Çatinin në Shqipëri.
Pas një viti, gjatë një udhëtimi të shkurtër studimi në Britani (më1992), u krijua mundësia të njihem me jetën dhe veprën e Saraçit. Të dhënat e para u mblodhën nga dy bashkëkohësit e Çatinit, Dervish Duma dhe Dr. Ihsan Toptani, shqiptarë me banim të hershëm në Angli.
Duma kishte punuar disa vjet bashkë me Saraçin në Legatën e Mbretërisë Shqiptare në Londër. Na tha se Çatini më parë kishte qenë në Ambasadën Shqiptare në Paris (1929-1932) dhe më vonë në Londër (1933-1939). Ndërsa Dr. Toptani ruante më shumë mbresat si artist. "Piktor me shumë talent - ishin fjalët e para që më tha për Çatinin. - Krijoi miqësi me sferat më të larta në Londër... Fliste shumë për Shqipërinë. Fliste si artist. S'ka vënd më të bukur se Shqipëria - u thoshte të gjithë anglezëve dhe gjithë të huajve që takonte. Edhe pikturat e tij ishin shumë të bukura. I kam parë në disa ekspozita. Edhe në studio i shkoja shpesh. Tani kanë kaluar shumë vite dhe nuk di se ç'bëhet me veprat e tij. Mund të lidheni me të shoqen, por edhe ajo është larguar nga Londra. Nuk dihet në se i ruan akoma veprat, mbasi tani është e martuar me një anglez. Jeton në Uells, në Nju Port. Quhet Elizabeth Milburn".
Nëpërmjet Dumës dhe Toptanit, u morën disa të dhëna orientuese, por ende nuk po kontaktohej me veprat e artit. Takimi me Elizabetën do të ishte pikëzgjidhja e enigmës Saraçi. Dhe pas gjithë hamendjeve dhe dyshimeve, telefonata me zonjën Melburn, ishte si një dritare që u hap para një lëndine të gjelbër. Nga fjalët e para kuptua se ajo kishte vite që e priste atë telefonatë. Dy ishin arsyet që shpjegonin ankthin e saj: E para, çuditej se si nga Shqipëria nuk interesohej asnjeri për krijimtarinë e Saraçit, që në Londër vlerësohej aq shumë, (krijimtari që ajo e ruante prej shumë vitesh pas vdekjes së piktorit) dhe, e dyta, në kujtim të Çatinit ajo dëshironte të vizitonte Shqipërinë, por nuk donte të vinte thjesht si turiste angleze. Dhe e meritonte që në Tiranë të pritej si gruaja e një piktori të shquar shqiptar.
Kështu, pas telefonatës, takimi në Nju Port, pranë veprave të Saraçit, u bë i shumëpritur nga të dy anët. Të nesërmen e bisedës telefonike u nisa drejt Nju Portit.
Shtëpia ku banonte E. Milburn ndodhej në një kodrinë të butë në krahinën verilindore të Nju Portit, në Chepstow. Ishte një vilë e madhe dhe e lartë, në tre kate. Që nga jashtë të jepte përshtypjen e një galerie arti. Rreth e qark me kopshte të gjelbëruar, me pemë dekorative dhe midis tyre gjendeshin skulptura në mermer. Brenda në një dhomë të madhe ruheshin të ekspozuara gjithë punimet e ekspozitës së fundit të Saraçit, që u hap në vitin 1988, 14 vjet pas vdekjes së autorit. Në ambiente të tjera gjendeshin të ekspozuara punime në ngjyra vaji, pastel dhe akuarel, të realizuara në kohë të ndryshme, ndërsa në një dhomë të veçantë ruhej gjithë fondi tjetër i krijimtarisë së Saraçit, i përbërë nga rreth 100 vepra, kryesisht në ngjyra vaji.