E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojet, Berisha sulmon përfaqësuesit e ish-pronarëve

Mbërrin në qeveri projektligji për privatizimin e trojeve shtetërore, mbi të cilat janë ndërtuar fshatrat turistikë


Berisha: Ata që kundërshtojnë nismat e qeverisë përfaqësojnë grabitqarët e pronave, jo ish-pronarët

TIRANË- Argumenti i mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave ka qënë për fshatrat turistike të ndërtuar mbi prona shtetërore, ku kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër përfaqësuesit e pronarëve duke i cilësuar ata grabitqarë trojesh.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha tha se pronarët e fshatrave turistikë do ta paguajnë truallin me çmimin e tregut, ndërsa të gjithë fondet që do të përfitohen nga ky proces do të përdoren për kompensimin e pronarëve të vërtetë dhe jo të atyre që nuk përfaqësojnë gjë tjetër veç se grabitqarët e pronave familjare. "Paratë e mbledhura do t'i kalojnë fondit të kompensimit të pronarëve. Këtu është fjala për pronarët e vërtetë e jo për ata që u kanë marrë edhe vëllezërve të tyre, me dokumente të falsifikuara, edhe pjesën e fundit që u takonte.

Ata nuk janë pronarë, por janë një grup i përçudnuar, të cilët do të kundërshtojnë çdo nismë që merret dhe çdo përpjekje të kësaj qeverie për t'iu afruar zgjidhjes së problemit të madh dhe e bëjnë këtë vetëm për t'i shpëtuar sherrit familjar dhe për t'u thënë se fajin e ka qeveria dhe jo ata që kanë grabitur tokën", - tha Berisha. Më tej ai ka vazhduar duke thënë se nismat e qeverisë për të kompensuar pronarët duhen përshëndetur, ndërsa janë një numër i kufizuar personash që bëjnë gjoja sikur përfaqësojnë këtë shtresë, por që përfaqësojnë grabitësit e pronave. "Si ka mundësi që çdo hap që bën në vend që të përshëndetet, dalin më ekstremistë se të gjithë të tjerët 5 apo 6 persona, të stisur dhe të nxitur sikur gjoja përfaqësojnë pronarët, por ata përfaqësojnë grabitqarët e trojeve familjare dhe këta nuk do t'i dëgjojmë ndonjëherë",- ka vazhduar ai.

Trojet
Sipas projektligjit të shqyrtuar dje, të gjithë pronarët e fshatrave turistikë duhet ta paguajnë truallin me çmimin e tregut, ndërsa të ardhurat e përfituara do të përdoren për kompensimin e pronarëve. Në të gjithë territorin e vendit janë mëse 30 resorte pushimi ose të quajtura fshatra turistike të cilët janë ndërtuar mbi troje shtetërore përgjatë vijës bregdetare. Ndërtimet në këtë brez janë të përjashtuara nga efekti i ligjit të legalizimit, për shkak të vendosjes së tyre në zona turistike.

Një javë më parë, Berisha i cilësoi pronarët e fshatrave turistike si borgjezë të rinj dhe se duhet ta blejnë tokën në mënyrë përfundimtare me çmimin e tregut, ndërsa të ardhurat e mbledhura do të kalojnë në fondin për kompensimin e ish-pronarëve. "Statusi i fshatrave turistike është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t'i japin përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve. Statusi i këtyre pronave nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezia e re",- do të shprehej Berisha një javë më parë.

Sipas tij, e gjithë veprimtaria që ndërtuesit e fshatrave turistike dhe shfrytëzuesit e tyre kanë zhvilluar gjatë këtyre 17 viteve është në thyerje të plotë të ligjit dhe kontratës që kanë me shtetin, ndërsa ka theksuar edhe njëherë se këto resorte nuk kanë qenë dhe nuk janë në pronësi të atyre që i shfytëzojnë, por të shtetit. "Ndërtuesit dhe zhvilluesit e këtyre trojeve kanë krijuar marrëdhënie kontratuale dhe i kanë shitur ato me shuma, që variojnë në shifra të ndryshme, ndërsa sot nuk i shesin nën 1 mijë euro",- tha ai.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›