E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i përgjakshëm

Nga Enver Robelli

20 vjet pas shkatërrimit të Jugosllavisë: një kronikë e shkurtër për një shtet që u bë gërmadhë së pari nga nacionalizmi serbomadh

Prolog me qull politik

Ky qershor është muaj i shumë përvjetorëve. Kaluan 12 vjet që nga çlirimi i Kosovës, 12 vjet të gjata për jetën e një njeriu. Para se të bëhet vonë Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, i tregoi qartë opinionit se babai i pavarësisë së Kosovës qenkësh vetëm Adem Jashari. Ibrahim Rugovën e injoroi. Këtu ka vetëm një problem: në strategjinë e Ministrisë së Jashtme të shkruar (edhe) nga Petrit Selimi, zëvendësministër i punëve botërore, Rugova lavdërohet me fjalë të zgjedhura, Adem Jashari nuk përmendet fare! Çfarë na tregon kjo? Na tregon se personalitetet historike të Kosovës përdoren e keqpërdoren për interesa të politikës ditore. Kur hyjnë në punë për poenë politikë, përmenden, kur shyjnë, përbalten, harrohen. Pak para zgjedhjeve parlamentare aeroporti i Prishtinës me pompozitet mori emrin Adem Jashari, autostrada u pagëzua Ibrahim Rugova. A nuk do të ishte e kundërta më mirë? Aeroporti është porta e Kosovës ndaj botës dhe, këtë smund ta mohojë askush, Rugova është më i njohur jashtë vendit se Adem Jashari, përndryshe edhe ky i fundit, dikur, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës sikur Hashim Thaçi, i cili, para disa muajsh, partinë e tij të parë e krahasonte me Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë dhe thoshte: LDK-ja nuk ka zbritur prej pushtetit që nga koha e AVNOJ-it, pra nga Lufta e Dytë Botërore. Pyetja që mbetet pezull është: si ndodhi që Thaçi të anëtarësohej në LDK, në partinë, ah, komuniste, projugosllave, moniste etj. Kështu flitet për historinë sot në Kosovë me banalitete dhe humor të qullët, me lajka patriotike dhe interpretime të gënjeshtërta. Mbi këtë kohë ka rënë një barrë / është mallkimi i mediokritetit të marrë. / A thua zorrët të ngatërrohen bosh? / Të vërtetën smund ta durosh? / Domethënë ti je vetëm një grykës i qullit të lirë -? / Atëherë… / Po, atëherë nuk e meriton më mirë ndoshta kështu, me këto vargje të shkruara nga poeti gjerman Kurt Tucholsky, mund të përshkruhet ligjërimi për kujtesën historike në Kosovën e pasluftës, ku shpesh përmendoret ndërtohen jo për të nderuar veprën e dikurshme të dikujt, por për të manifestuar dominimin pervers sot. – U shënua, këto ditë, edhe 133-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, një përpjekje dëshpëruese dhe fisnike e bajraktarëve të atëhershëm shqiptarë për të ruajtur tërësinë territoriale të viseve të banuara me shqiptarë. Si milet patetik dhe në faza të caktuara tepër dembel shqiptarëve nuk u pëlqen ta thonë – e lëre më ta dëgjojnë! – të vërtetën e plotë. Një ndër këto të vërteta është se Lidhja e Prizrenit në mungesë të vizionit shtetndërtues nuk e kontestoi përkatësinë e trojeve shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, prandaj kërkoi vetëm autonomi nën babën Sulltan. Këto fakte nuk janë shpikje e dashakeqësve, por gjenden në çdo libër të historianëve seriozë të Ballkanit, sidomos atyre nga hapësira mendore gjermane. Më 25 qershor do të shënohet një përvjetor tjetër: 20-vjetori i shkatërrimit të Jugosllavisë. Më 25 qershor 1991, dy republikat më të pasura jugosllave, Kroacia dhe Sllovenia, shpallën pavarësinë në përpjekje për ti ikur dominimit serbomadh. Kështu nisi faza finale e shpërbërjes së Jugosllavisë, një proces i përgjakshëm që u përmbyll me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt 2008.

4 maj 1980

Kur filloi shkatërrimi i Jugosllavisë? Shumë data mund të përmenden, por 4 maji i vitit 1980 mund të jetë dëshmia e kryehershme, kur vendi shumëkombësh mori tatëpjetën. Atë ditë u ndërpre ndeshja e futbollit mes Hajdukut dhe Cërvena Zvezdës dhe folësi i stadiumit në Split bëri të ditur se në Lubjanë kishte vdekur shoku Tito. Mediat filluan menjëherë të emetojnë dhe botojnë hagiografi për birin më të shtrenjtë të kombeve dhe kombësive tona, në Prishtinë e gjetiu në Jugosllavi poetë provincialë rrokën penën dhe shkruan ca vargje patetike. Thuhet se një vjershëtar kosovar kishte shkruar se për vdekjen e Titos kishin vajtuar edhe makinat e shtypshkronjës së Rilindjes. Në stacionin e trenit në Zagreb si kurrë më parë dolën mijëra njerëz për ti dhënë lamtumirën Titos, kufoma e të cilit vazhdonte rrugëtimin me Trenin e Kaltër drejt Beogradit. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë 209 delegacione nga 128 kombe, mes tyre katër mbretër dhe gjashtë princër, 31 presidentë, 22 kryeministra shtetesh dhe 47 ministra të jashtëm. Një prani kaq masive nuk ishte vetëm dëshmi se çfarë reputacioni gëzonte shteti shumëkombësh në botë; kjo prani e dinjitarëve politikë nga gjithë bota ishte edhe njëlloj përkrahjeje për ekzistimin e mëtutjeshëm të Jugosllavisë. Që atëherë ekzistonte frika se ky shtet i madh që shtrihej nga Austria në Greqi mund të rrëshqiste në konflikte të përgjakshme. Indikacionet e katastrofës ishin të dukshme. Ekonomia ishte para kolapsit, nomenklatura komuniste ishte treguar tërësisht e paaftë për menaxhim të suksesshëm. Kriza e përhershme maskohej me kredi, por agonia nuk mund të luftohej kështu, me para të huazuara. Vetëm mes viteve 1976-1981, Jugosllavia kishte grumbulluar 85 për qind të të gjitha borxheve prej 21 miliardë dollarësh (më gjerësisht për këtë temë ka shkruar Harold Lydall, në librin e tij mbi teorinë dhe praktikën e socializmit jugosllav). Teknologjia e fabrikave jugosllave (me përjashtim të Sllovenisë) nuk mund të matej me standardet e prodhimtarisë perëndimore. Shembull i dështimit kolosal ishte përpjekja e fabrikës Zastava të Kragujevcit për të eksportuar veturën Yugo-A në Amerikë. Sa raporti televiziv është bërë për këtë temë në vitet 80, sa faqe gazetash janë mbushur. Gati krejt Jugosllavia jetonte me ëndrrën se Yugo-A ishte shpëtimi. Amerikanët nuk ishin aq të entuziazmuar me cilësinë e këtyre veturave, kështu që në vitin 1989 Zastava shiti vetëm 18 vetura përtej Oqeanit Atlantik. Në vitin 1984 numri i të papunësuarve kaloi kufirin prej një milion, hendeku mes republikave të pasura në veri dhe viseve të varfra në jug vazhdonte të thellohej, kështu sllovenët ishin nëntë herë më të pasur se shqiptarët. Politikani kroat Jure Biliq atëbotë kishte thënë se projekti jugosllav ishte ndërtuar mbi iluzione dhe nganjëherë madje mbi fantazi. Nuk ishte vetëm dëshirë e shumë qytetarëve të Jugosllavisë që Tito të jetonte më gjatë, por edhe e Enver Hoxhës. Në një intervistë për revistën Der Spiegel, Nexhmije Hoxha në vitin 2004 ka deklaruar: Kur Tito u sëmur për vdekje, Enveri më befasoi me një thënie: Dëshiroj që ai të jetojë edhe disa vjet. Nuk mund ta marrësh me mend se çdo të ndodhë tash në Jugosllavi.

Ringjallja nacionale dhe nacionaliste

Vdekja e Titos, keqësimi i gjendjes ekonomike, humbja e legjitimitetit e Lidhjes së Komunistëve për shkak të paaftësisë së shumë funksionarëve dhe menaxhimi i dobët i ndërmarrjeve shtetërore ndikuan që në sipërfaqe të shfaqen intelektualë dhe politikanë që përfaqësonin në radhë të parë interesa nacionale, shpesh nacionaliste. Në Serbi ceremonia e varrimit të ish-ministrit të Brendshëm, famëkeqit Aleksandër Rankoviq, në vitin 1983 u shndërrua në një demonstrim të heshtur nacionalist me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, përfshirë qarqet akademike. Ishin këto qarqe që më vonë do ta përshëndesnin ardhjen e Slobodan Milosheviqit në krye të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Juristi Vojislav Sheshel kishte kërkuar shndërrimin e Jugosllavisë në një shtet me katër republika (Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia) dhe ishte dënuar nga një gjykatë në Sarajevë. Në vitin 1981 në Zagreb ishte dënuar Franjo Tugjmani për shkak se ankohej

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›