Kriza ekonomike, Greqia në moment kritik: Mijëra qytetarë rrethojnë Parlamentin

Papandreu: Kërkoj mirëkuptim për kapërcimin e këtij momenti kaotik
“Greqia ndodhet në një moment kritik historik. Unë kërkoj mirëkuptimin e liderëve të partive të tjera politike”. Ky ka qenë apeli kryeministri grek Jorgo Papandreu pas një takimi me dyer të mbyllura me presidentit grek Karolos Papulias. “Secili duhet të marrë përgjegjësitë e tij. Personalisht jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë që unë duhet të marr ndaj vendit” – tha Papandreu, ndërsa theksoi se Greqia duhet të ecë përpara në mënyrë që të kapërcejë krizën ekonomike që ka përfshirë mbarë vendin.
Sakaq mijëra njerëz janë mbledhur përpara Parlamentit grek që në orët e para të mëngjesit.
Demonstrata është shoqëruar me skena konfliktuale mes policisë dhe manifestuesve grekë. Organizatorët e grevës së përgjithshme të së mërkurës kishin planifikuar ndalonin hyrjen e deputetëve në mënyrë që të pengohej debati për masat e forta të kursimit qeveritare.
Rreth 1500 forca policie janë mobilizuar për këtë protestë, ndërsa nuk kane nguruar të hedhin gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e zemëruar që tentoi të hynte në parlamentin grek.