E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njolla të zeza në petkun historik



Në ç'masë lejohen në Kinë kujtimet dhe diskutimet për historinë? Lista e njollave të errëta të tabuizuara është e gjatë... A po hapet në Kinë rruga për reforma dhe a po hapet opinioni publik për zbardhjen e së kaluarës? 60 vjet Republikë Popullore e Kinës – me rastin e përvjetorit më 1 tetor kjo temë mbisundon mediat kineze. Historia rrëfehet vetëm nga një aspekt: si histori 60-vjeçare suksesi. Katastrofat përmenden po aq pak sa edhe fushatat e shumta politike. Njëra prej tyre “Hapi i madh përpara” nga viti 1959 deri 1961 u kushtoi jetën afërsisht 30 milionë kinezëve. Zija më e madhe e bukës e shkaktuar nga njerëzit në historinë e njerëzimit. Si i trajtojnë historianët dhe intelektualët fazat e tabuizuara të historisë? Shkrimtari kritik dhe botuesi Zhou Qing e përshkruan kështu situatën: Për ndryshime mund të flitet vetëm në sferën private.

“Ndërkohë, situata është e tillë në Kinë: Në sferën publike mbisundon kontroll i rreptë, ndërsa nga ana private, ti gëzon liri të mëdha. Në mesin e viteve 1990, për shembull, unë drejtoja një gazetë me emrin “Rrëfime historike”. Ajo kontrollohej me sy prej Argusi nga zyra e shtetit për shtypin dhe për botimet. Meqenëse gjashtëdhjetëvjetori do të festohet në mënyrë pompoze që prej vitit të kaluar është e ndaluar që të shkruhet për fushatat e mëparshme politike. Nuk lejohet as publikimi i librave, prej të cilëve pritet një efekt negativ. Ndryshe është në sferën private. Ka kohë që nuk është ashtu, që ti nuk lejohesh të flasësh për të kaluarën as vetëm brenda katër mureve të shtëpisë tënde".

Sfera "private", për të cilën flet Zhou Qing, po bëhet gjithnjë e më e madhe - falë internetit. Prej kohësh kinezët në qytete me gjithë censurën, diskutojnë lidhur me fushatat si ajo kundër "devijuesve nga ligji" e vitit 1957. Atëherë afro 500 000 vetë u dërguan në burgje apo në kampe pune. Prej kohësh përvojat negative nga Revolucioni Kulturor shërbejnë në shumë forume diskutimesh si shembuj frikësues, për atë që nuk duhet provuar të bëhet më kurrë. Një revolucion i masës, nga rrodhi diktatura e masës. Diskutime të tilla bile mbështeten në qendrat si Pekini dhe Shangai. Por ka ende kufij të qartë. Gazetarja kritike Dai Qing: “Qëndrimi i autoriteteve është fare i qartë. Të gjithë udhëheqësit e mëdhenj janë të paprekshëm. Fushatat katastrofale si Revolucioni Kulturor duhet të shuhen gradualisht nga kujtesa e njerëzve. Portreti i Maos qëndron i varur në portën e Tiananmenit. Mao mbetet udhëheqësi i madh i popullit kinez. Ky është limiti i asaj, që pranohet”. Poshtë këtij "limiti" që prej mesit të viteve 1990 formohet një lëvizje e re intelektuale, me qëllim që të kapërcejë tabutë e diktuara nga politika, Lëvizja e Oral History, e frymëzuar nga gazetarët dhe autorët kritikë Dai Qing na Pekini, apo Yang Xianhui nga Tianjini. Po në shumicën e rasteve në kushte të vështira. Edhe autori kritik Zhou Qing nga Xi'an ka përvojat e tij me mbledhjen e rrëfimeve.

Njerëzinë vazhdojnë të kenë frikë të flasin për të kaluarën. “Oral History, kjo është një dritare. Përvoja ime është: Njerëzve u ka hyrë frika në palcë, nga ajo që është përjetuar në 60 vjet. Prej gjysmës së dytë të vitit 2004 unë kam bërë intervista lidhur me “Hapin e madh përpara” fushatë prej vitit 1959 deri 1961. Konkretisht ishte fjala për raste anormale vdekjeje, si nga uria. Në çdo provincë kam intervistuar nga pesë vetë. Në të gjitha ato vende, ku katastrofa e urisë ka qenë veçanërisht e rëndë, edhe sot nuk guxojnë të flasin lirshëm për të. Për shembull, gjeta një sekretar partie nga Henani. Atje janë shuar fshatra të tërë nga zija e bukës. 15 herë kam pasur në telefon pjesëtarë të ndryshëm të familjes. Askush nuk guxonte të fliste për të”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›