E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provokim enciklopedik në vijimësi



Enciklopedia e përgjithshme dhe e Maqedonisë në katër vëllime botuar nga “Mianova”, botuar në prill të vitit 2008, ndër 22.000 zëra, ka vetëm rreth 30 zëra të shtrembëruar për shqiptarët. “Enciklopedia e Maqedonisë”, e botuar më prill të vitit 2008, e financuar po ashtu nga qeveria, respektivisht nga Ministria e Kulturës, ishte test për enciklopedinë maqedonase, që e nxori në sipërfaqe ASHAM.

Kështu atëherë e vlerësoi brendinë e enciklopedisë së botuar nga shtëpia botuese “Mianova”, përgatitur nga një grup autorësh maqedonas, të cilët edhe ato pak zëra për shqiptarët janë shtrembëruar jo rastësisht, - pohoi dr. Nebi Dervishi. Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu) nuk është vllahe, siç pretendon kjo kuazi-enciklopedi, e Jovan Pavllockit. Që në nismë, akademik Luan Starova është distancuar nga brendia e zërave të asaj enciklopedie të Jovan Pavllovskit.

Nuk është origjina e fisit ilir, dardan, diskutabile dhe enkelejtë janë po ashtu fis ilir, e jo siç pretendojnë autorët e enciklopedisë së përgjithshme dhe të Maqedonisë, redaktori Jovan Pavllovski me bashkëpunëtorët e vet, që e hartuan këtë kuazi-enciklopedi. Janë këto fakte të pakontestueshme dhe të pamohueshme për gjithë botën shkencore, pos autorëve të kësaj enciklopedie. “Përgatitja, përpilimi i zërave (artikujve), formulimi dhe publikimi i tyre në një libër që duhet të jetë reprezent i të gjitha publikimeve, duhet mbështetur në rend të parë në njohës të mirë të fushave, të mos them eruditëve në kuptimin e plotë të fjalës. Historia nuk guxon të shtrembërohet, pavarësisht nga fobia që ndokush ndien ndaj diçkaje”, - deklaroi asokohe prof. dr. Nebi Dervishi, në prononcimin e tij lidhur me brendinë përmbajtjesore të kësaj enciklopedie.

Enciklopedia e përgatitur nga një grup autorësh, nën drejtimin e Jovan Pavllovskit, botuar nga shtëpia botuese “Mianova”, me financimin e qeverisë së Maqedonisë, respektivisht nga Ministria e Kulturës, ka katër vëllime, me 2.006 faqe (që simbolizon edhe vitin e përgatitjes dhe botimit), 22.000 zëra (artikuj) nga të gjitha fushat.

Duhet theksuar se nga 22.000 zëra, mbi 8.000 prej tyre, kanë të bëjnë me kufijtë etnik, gjeografik, gjuhën dhe historinë e Maqedonisë. Nga këta mbi 8.000 zëra, që kanë të bëjnë me Maqedoninë, vetëm rreth 30 prej tyre kanë të bëjnë me historinë e popullit shqiptar, ku në mënyrën më të paskrupullt përdhoset historia e shqiptarëve. Përdhosja fillon që nga historia e Ilirëve (në faqen 572), ku ata përmenden si grup fisesh që jetojnë në brigjet e Adriatikut, të kufizuar në jug me epirotët, në veri me lumin Neretva, në juglindje me enkelejtë, të cilët sipas autorëve, nuk janë fise ilire dhe në verilindje me dardanët, që kanë origjinë të diskutueshme!!!

“Më vjen keq, por, ku e gjetën faktin, dëshminë, burimin këta kuazi-enciklopedistë, kur nobelisten dhe humanisten botërore Nënë Terezën, nobelisten shqiptare, të mirënjohur botërisht, ata e “konvertuan” dhe e bënë vllahe!? Tërë bota e njeh atë si shqiptare, vetëm autorët e kësaj enciklopedie e paskan ditur se ajo është me kombësi vllahe”, - shtoi dr. Nebi Dervishi. Duke komentuar disa zëra të tjerë të kësaj enciklopedie, mes tjerash ai theksoi se janë bërë edhe shtrembërime të tjera të mëdha, siç janë rastet për kryengritjen e shtatorit 1913, ku tekstualisht thuhet se kjo kryengritje ka qenë shqiptaro-maqedonase, që nuk është e vërtetë. Pastaj, se gjoja pas vdekjes së Skënderbeut, në drejtim të Italisë janë shpërngulur shqiptarë e maqedonas; se në rajonin e Pollogut, deri në vitin 1568, duke iu referuar “defterëve turq”, nuk ka pasur myslimanë, por ata kanë ardhur nga rrethi i Matit, kah viti 1690; kur shqiptarët kanë hyrë në Shkup më 1912, gjoja ata paskan plaçkitur gjithçka dhe e kanë rrënuar qytetin.

“Sa i përket gjuhës shqipe, autorët e kësaj enciklopedie pohojnë se gjuha shqipe ka përvetësuar dhe ka marrë shumë elemente nga gjuha maqedonase”, - shprehet dr. Nebi Dervishi. Vlen të theksohet fakti se nga ASHAM, sipas njohurive, nuk kanë marrë mbështetje, por ka njoftime edhe për distancim individual nga vetë akademikët, siç është rasti me akademik Luan Starovën, i cili personalisht është distancuar nga ajo enciklopedi, në të cilën përmenden shumë emra të politikanëve, disa shkrimtarëve e disa shkencëtarëve shqiptarë, por më shumë ka zëra për pjesëtarë të komuniteteve të tjera sesa për shqiptarët. Të theksojmë se pos kryeredaktorit dhe redaktorit përgjegjës, Jovan Pavllovski, si koautor ose bashkëpunëtor paraqiten emrat: Ivan Toshevski, Mishel Pavllovski, Ana Pavllova-Doneva, dr. Darko Donev, dr. Olivera J. Pavllovska, dr. Olivera M. Pavllovska, dr. Vele Smilevski, Rade Silan dhe Nikolla Paligora, që flet se nuk ka asnjë shqiptar në këtë këshill të enciklopedisë, me përjashtim të disa prej rreth 30 zërave për shqiptarët, në këto 4 vëllime, me mbi 22.000 zëra, të shtrirë në 2006 faqe.

Kjo enciklopedi, që u quajt “Enciklopedia e Maqedonisë”, e botuar më prill të vitit 2008, e financuar po ashtu nga qeveria, respektivisht nga Ministria e Kulturës, ishte test për enciklopedinë maqedonase, që e nxori në sipërfaqe ASHAM. Pra, enciklopedia maqedonase e ASHAM-it, nuk është rastësi, por një provokim i planifikuar dhe mirë i koordinuar në të gjitha nivelet e strukturave zyrtare, intelektuale akademike dhe qeveritare maqedonase, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›