Hetimi i pronësisë, ngihet Komisioni Qeveritar i Tokës
Komision Qeveritar i Tokës për hetimin e pronësisë. Këshilli i Ministrive miratoi dje me anë të një akti normativ ngritjen e Komisionit Qeveritar të Tokës (KQT), që do të jetë një strukturë e veçantë, me qëllim kryesor hetimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Komisioni do të veprojë në bazë të ligjit që është miratuar një vit më parë në Kuvend. Ndërkaq, komisionet zonale kanë nisur nga puna për verifikimin e titujve të pronësisë, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare. Ligji parashikon rishqyrtimin nga e para të të gjithë titujve të pronësisë të dhënë që nga viti 1991 edhe sipas ligjit 7501. Ai përfshin të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore e që më pas janë ndarë nga Ministria së Bujqësisë në fshatra deri në datën 30.4.1998. Në bazë të tij, titujt e lëshuar që nga data 1.8.1991, por që nuk figurojnë në Hipotekë si tokë bujqësore, do të anulohen, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj. Sipas të dhënave, është vërejtur se me ligjin 7501 janë dhënë në mënyrë abuzive 26 mijë hektarë tokë, ndërsa me ligjin për ndarjen e tokave bujqësore dhe kooperative janë ndarë 12 mijë hektarë tokë.