ISKSH, shtrirja e reformës konsiston në disa drejtime
Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja po punon në tre drejtime kryesore për të rritur në tërësi cilësinë e shërbimit shëndetësor në kujdesin shëndetësor parësor. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se të gjitha qendrat shëndetësore në vend do të pajisen me një paketë pajisjesh standarde mjekësore, ku pritet që procesi të përfundojë në fund të këtij viti. Deklaratat janë bërë gjatë një takimi, ku ISKSH-ja, në bashkëpunim me projektin “Pro Shëndetit”, financuar nga USAID–i, organizuan takimin me temë: “Reforma financiare në shërbimin shëndetësor parësor, arritjet dhe sfidat”. ISKSH-ja ka përcaktuar disa prioritete kryesore për thellimin e reformës në të gjitha qendrat shëndetësore. Kështu, disa prej tyre janë: Informatizimi i qendrave në të gjitha rajonet, instalimi i një sistemi të unifikuar informacioni për regjistrimin, raportimin dhe vlerësimin financiar të aktivitetit të QSH-ve, i cili është një proces që ka nisur. Në këtë mënyrë, synohet përmirësimi i metodës së financimit me qëllim rritjen e përdorimit të këtyre qendrave dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, përfundimi i regjistrimit të popullatës respektivisht sipas çdo qendre shëndetësore, me qëllim aplikimin e pagesave efektive sipas numrit real të banorëve që mbulohen për mjek.
ISKSH-ja kërkon krijimin e mundësive për rritjen e numrit të siguruarve dhe shtrirjen e skemës nëpërmjet rishikimit të gjithë bazës së nevojshme ligjore që ka të bëjë me identifikimin dhe statusin e të siguruarit si dhe sistemin e referimit, si dhe rezultatet pozitive të kësaj reforme do të shërbejnë me tej si një eksperiencë pozitive për të vendosur piketa të sigurta në shtrirjen e skemës në shërbimin spitalor.
21 Shkurt 2009