Njollosen zgjedhjet, por nuk dinë ku ta vënë gishtin ndër vjedhësit imagjinarë!
Tani që përfundimi zgjedhor i 8 majit në KQZ u zvarrit hap pas hapi dhe pritet të rifutet në lojë Kolegji Zgjedhor, po zien kazani i përnjollosjes së këtyre zgjedhjeve, të cilat i ka vënë në lëvizje një pjesë të madhe propagandistësh në funksion të përsëritjes së tyre, si të manipuluara.
Ajo që njëri krah nuk e ka respektuar kurrë, është paragjykimi dhe mosnjohja e institucioneve. Kohët e fundit janë hardallosur dhe kanë dalë hapur edhe kundër institucioneve ndërkombëtare, gati sa do të donin që edhe këto organizma dashamirëse ndaj vendit tonë, të shprehen me fjalorin e falsifikimit dhe të manipulimit të zgjedhjeve! Dikujt i vret veshin cilësimi i disa të huajve për zgjedhjet tona, si transparente dhe „konkurruese“. Madje kjo fjala e fundit preferohet të zëvendësohet me „kompetitive“, sikur nuk shpreh secila prej tyre domethënien e të njëjtit kuptim, paçka se të dyja fjalët janë të huaja. Sikur të ishte një purist në kuptim të standardit do të mund të përmendej fjala „ndeshje“, por kjo përdoret zakonisht në pamjen sportive. Këtu nuk po flasim vetëm për disa të paneleve, që nuk gjejnë dot argumentet dhe ballafaqimet dhe humbasin nëpër hartime dhe në retorikë që përmban vetëm sharje dhe mllef.
Flasim për shkrimet e gazetave, në të cilat një gazetar përdor fjalën “revolucion” në vend të fjalës “revoltë”, duke mos mundur të bëjë, nga inatçillëku, ndryshesën midis tyre. Mjafton një shembull: Në fjalorët përdoret: “flet me revoltë”. Ndërsa s’do të kishte kuptim “flet me revolucion”!
Mbase duhet edhe të citojmë diçka: “Përpara një pushteti që të rreh e të vret dhe që nuk të jep mundësinë ta largosh me votë, ia vlen të bësh një revolucion, por kjo opozitë nuk ka autoritet moral e këllqe politike për të bërë gjëra të tilla. Ne opozitarët e dimë që është kështu” (...). Nuk ka nevojë për koment. Gjene mirë që e quan veten opozitar, që të marrë kuptim edhe ajo keqardhja për mungesë këllqesh! Në vijim ajo fraza tjetër kërkon domosdoshmërisht një koment të shkurtër. Që të mos zgjatemi, pasi flet që në fillim të herës për farsë që do të kthehet në dramë, duket se revolucionari (bolshevik, po t’i kujtohet ’97-a, se atë fashist nuk e kemi provuar dhe mos e provofshim), kujtohet se “vendimi i Kolegjit duhet njohur se s’bën ... se ndryshe futemi në një qorrsokak, ku mbrojtja e institucioneve bëhet duke mos njohur institucionet gjë që nuk do të kuptohej jo vetëm nga Jozef Dolli e nga Doris Paku e mascot-a të tjera të Berishës...”.
Ajo fjala mascot-a, - për mungesë të fjalëve në gjuhen shqipe! - bëhet për t’u dhënë rëndësi këtyre mendimeve “të rralla”!
Shiheni fundin: në një frazë kontradiktore. Sepse, duke i lënë jashtë interpretimit këto krahasime të këtyre personaliteteve dashamirë të vendit tonë, me termin mascot-a” ,që këtu duket i pakuptimtë, bëhet e dyshimtë edhe ajo “njohja e Kolegjit” që tingëllon ironike, për derisa shkrimi, në tërësinë e tij, është një tallje me institucionet.
Mjafton të vëmë ré se, kur flitet për “lojën demokratike”, shtohet edhe një frazë që duhet të bjerë medoemos në sy: “lojë në të cilën përfshihen dhe institucionet e deristanizuara”!
Neologjizëm tëpër i goditur, të mbash barkun me dorë!
Ristanin nuk e duron dot. Kësisoj Ristani fajësohet që në fillim të shtyllës së parë, se “kolaudon në mënyrë milimetrike avantazhin e vjedhur”. Nuk do të ishte i vjedhur vetëm ai dhjetëvotëshi, i shpallur vetë, në shpërfillje të institucioneve, që kanë tagrin e shpalljes së fituesit? U dashkan bërë def votat që kanë ndërruar kutitë!
Po nuk është institucion ai i KQZ-së? Dikush tjetër loz rolin e të habiturit që është në raportin 4:3. Sigurisht që ai tjetri (gazetari tjetër) fërkonte barkun kur raporti ishte 5:2, madje edhe 6:1, në kohën kur hante qeni petulla, pra në kohën e tetëvjeçarit socialist 1997- 2005, të mallkuar nga vetë Rama, sa për të marrë pushtetin në dorë! Në atë kohë të qenit që hante petulla, merreshin edhe fletidentitetet me lopata nga zyrat e gjendjes civile për t’u paraqitur në dhomat e votimit. Ndërsa shpallej me emfazë se tani, pas asaj kohe të mbrapshtë, falsifikoheshin 70 mijë karta biometrike! I besojnë këta për të cilët po flasim këto shpifje?
Flasin për falsifikatorë, por nuk i gjejnë dot falsifikatorët. Dhe s’kanë sesi, sepse ruajnë njëri-tjetrin! Në depot e Lundrës, në transmetimet e kutive të votimit, në hapjet e mbylljet e tyre.