Nju Jork, Meta vijon takimet me ministrat e Jashtëm
Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork në kuadrin e pjesëmarrjes në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, zhvilloi një sërë takimesh të veçanta me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, si dhe me ministrin e Jashtëm të Malajzisë, Datuk Anifah Aman. Gjatë takimit me kolegun sllovak, krahas marrjes së konfirmimit të mbështetjes për Shqipërinë gjatë procesit të integrimit europian dhe liberalizimit sa më të shpejtë të vizave, z. Meta mirëpriti vendimin e qeverisë sllovake për hapjen së shpejti të Ambasadës Sllovake në Tiranë dhe e ftoi ministrin Lajcak që të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë me rastin e çeljes së Ambasadës. Me ministrin e Jashtëm të Malajzisë, z. Meta u ndal në ndihmën që ky vend mund të japë në lobimin me vendet e rajonit për njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës. Më tej Meta shprehu dëshirën për një prezencë sa më të madhe me investime të biznesit malajzian në Shqipëri.
Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, mori pjesë gjithashtu në veprimtari të karakterit shumëpalësh, si takimi i ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, BEDZ, dhe takimi vjetor i ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike.
28 Shtator 2009