E Diel, 1 Nëntor 2026

Nju Jork, nis punimet asambleja e 66-të e Kombeve të Bashkuara. Berisha: Shqipëria do vazhdojë kursin e reformave, opozita po bëhet bllokuese e proceseve të integrimit

22-09-2011 / Gazeta 55

Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare në OKB


Në vijim të axhendës në Nju Jork, kryeministri Sali Berisha mori pjesë në nisjen e debatit të përgjithshëm të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sesioni 66-të u hap nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm më pas në drekën e shtruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara, për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në punimet e Asamblesë. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe drekës për nder të delegacioneve të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, Kryeministri Berisha pati takime me kryetarë të delegacioneve, kryeministra dhe ministra të Jashtëm të vendeve të ndryshme, më të cilët shkëmbeu mendime mbi çështje me interes dypalësh dhe të përgjithshëm. Në përfundim të tyre, kryeministri Berisha, në një prononcim për mediat, u shpreh mbi këtë event dhe takimet e zhvilluara.


Sot ka nisur Asambleja e 66-të e Kombeve të Bashkuara. Ju keni patur dhe një sërë takimesh, çfarë keni biseduar me ta?  


Sot ishte dita e parë, në të cilën Presidenti Obama mbajti edhe fjalimin kryesor të vitit, ku parashtroi qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për problemet më kryesore aktuale të botës. Ishte një diskurs shumë i kthjellët, elokuent, përfshirës. Gjatë drekës që Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun shtroi për kryetarët e delegacioneve të pranishëm në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shfrytëzova rastin dhe u takova me një sërë kryetarësh të delegacioneve dhe shkëmbeva me ta biseda dhe mendime për probleme me interes bilateral dhe të përgjithshëm, bisedova me Presidentin e Çekisë, Austrisë, Kryeministrin e Suedisë, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, të Italisë, të Belgjikës, të Australisë dhe një sërë kryeministra nga vende të ndryshme, kryetarë delegacionesh dhe ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera, të pranishëm në këtë drekë. I njoha ata me të gjitha zhvillimet në Shqipëri, zhvillimet rajonale dhe i ftova miqtë të vizitojnë Shqipërinë dhe më premtuan për këtë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë premtoi së ka programuar për vitin e ardhshëm vizitën në Shqipëri. Po kështu, edhe bashkëbisedues të tjerë.  


Zoti Kryeministër, si e patë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit, në sytë e zyrtarëve të lartë të BE-së që takuat?  


Shqipëria ka suksese të padiskutueshme në fushat ekonomike, sociale e të tjera, si dhe rezultate të lakmueshme të reformave. Natyrisht, Shqipëria ka një problem, tani që është bërë botërisht e njohur, që qëndron në faktin se opozita nuk do të votojë, por do ta përdorë dhe e ka përdorur pushtetin e vet për të bllokuar. Tani opozita ka shpallur se do të angazhohet në reforma zgjedhore, gjë të cilën ne e mirëpresim, por ka shpallur se nuk do të votojë ligjet me 3/5 dhe ka vendosur një seri kushtesh e ultimatumesh, për të cilat, natyrisht, mendoj se janë qëndrime që kanë qëllim të justifikojnë qëndrimin e saj të mëtejshëm bllokues.  


Zoti Kryeministër, Kosova duket se është pjesë e rëndësishme e axhendës suaj. Në një seri takimesh që keni pasur me vendet që nuk e kanë njohur atë, si e shikoni ecurinë e Kosovës dhe a prisni njohje të tjera?  


Në të gjitha takimet që kam me vendet që nuk e kanë njohur dhe janë qëllim i veçantë, sigurisht çështja kryesore është ajo e Kosovës. Konstatoj se ka një mirëkuptim në rritje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sikundër nuk mund të mohohet se tensionet e krijuara në veri dhe raporti i Dick Martit që ka transkriptuar në 80 përqind të tij, siç thotë vetë Prokurori i Përgjithshëm i Serbisë, raportin e Vukçeviçit, ka krijuar edhe ai një lloj shtjellimi që do të kthjellohet tërësisht pas hetimeve serioze që do të ndërmarrë EULEX, hetime që ne i kemi mirëpritur plotësisht.


Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare në OKB


Kryeministri Sali Berisha është duke lobuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për njohjen e Kosovës, e cila do t’i mundësonte anëtarësimin në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Në një intervistë për agjensinë e lajmeve INA, kryeministri Berisha theksoi se në Organizatën e Kombeve të Bashkuara së shpejti do të ketë dy shtete shqiptare pas anëtarësimit të Kosovës. “Sot Kosova është një vend që ëndrrën e saj e ka bërë realitet dhe kjo është një nga ëndrrat e gjithë kombit shqiptarë që sot e shohim Kosovën të lirë dhe të pavarur. Dhe duhet vlerësuar fakti që vizioni i Kosovës për të ardhmen është një mundësi shumë e madhe”- deklaroi Berisha. Ai gjithashtu ka theksuar se delegacioni shqiptar ka shfrytëzuar takimet e tij për të lobuar për Kosovën në mënyrë që ajo të njihet edhe nga shtetet që hetitojnë ta njohin atë. Kryeministri Berisha ka folur edhe për takimin e përzemërt me presidentin Obama, me ish-presidentin Bill Klinton, si dhe takimet me përfaqësues të diasporës shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›