E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, nis seanca plenare. PS bllokadë ligjeve të integrimit

22-09-2011 / Gazeta 55

UPDATE- Partia Socialiste ka kërkuar heqjen nga seanca e sotme plenare e ligjeve që kërkojnë 84 vota ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të votojë 6 kodet që janë vendosur sot në rendin e ditës së Kuvendit. Në mbjedhjen e konferencës së kryetarëve, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ka kërkuar që në rendin e ditës të shqyrtohet paketa e propozuar nga PS-ja për rregulloren e Kuvendit. Ndërkohë në seancën e sotme plenare janë përfshirë për votim një pjesë e madhe e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Bëhet fjalë për katër nisma legjislative që synojnë të ndryshojnë disa kode të rëndësishme si kodin penal, detar, rrugor, hekurudhor, civil si dhe atë ajror. Ndërkohë në këtë listë mungon ligji për gjykatën Administrative, i cili me konsensusin e të dyja palëve u shty seancën e kaluar.
Gjithashtu në seancën e sotme janë thirrur për interpelancë edhe dy ministrat Petrit Vasili dhe Genc Pollo. Interpelanca me ministrin e shëndetësisë Petrit Vasili është kërkuar nga deputeti i PS-së Eltar Deda ku ministri pritet të japë sot shpjegimet e tij në lidhje me shkeljet në tenderin për blerjen e pajisjeve spitalore. Ndërsa interpelanca me Ministrin për Inovacionin dhe Teknollogjinë e Informacionit dhe të Komunikimit është kërkuar nga kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule ku ministri pritet të sqarojë procesin e regjistrimit të popullsisë që nis më datën 1 tetor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›