Nju Jork, një festival folklorik për pavarësinë e Kosovës
Festivali Folklorik Shqiptar është kthyer në një traditë për shqiptarët e Amerikës. Ai ka mbërritur në edicionin e 18-të të tij. Të dielën e 9 nëntorit, salla e madhe mbi tremijë vendëshe në "Lehman Center for the Performing Arts", në Bronx të Nju Jork-ut, u kthye në një qendër të kulturës shqiptare. Ndryshe nga vitet e shkuara, festivali i sivjetshëm, organizuar nga qendra kulturore "Nënë Tereza", festonte edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky festival i kushtohej asaj. "Gëzuar pavarësinë e Kosovës", ka qenë motoja e festivalit të sivjetshëm në atë që është quajtur "pranvera shqiptare" në Nju Jork. Janë ngjitur në skenë këngëtarë e valltarë, të cilët i kanë dhënë jetë një atmosfere të gëzueshme në "Lehman Center for the Performing Arts", në Nju Jork. Nën tingujt e valles së njohur "Festë të madhe ka sot Shqipëria", valltarët "pushtuan" skenën shoqëruar me duartrokitjet e publikut. Këtë vit festivali folklorik në Nju Jork u prezantua nga artistët Elsa Zagreda dhe Luan Bexheti. "A-B-C" titullohej kënga e parë që hapi festivalin, teksti i shkruar nga Gjovalin Lula dhe muzika nga Agim Kola, kënduar nga kompleksi i fëmijëve, nën drejtimin e Agim Kolës. Përsëri një grup tjetër fëmijësh u ngjit në skenë; ishin valltarët e vegjël të grupit "Rozafati", "Festojmë së bashku", me koreografi të Angjelina Nikës. Janë ata, fëmijët shqiptarë, që edhe pse të lindur e të rritur në ShBA, trashëgojnë gjuhën e bukur shqipe, kulturën shqiptare dhe vlerat e saj. Me emocione dhe duartrokitje u mirëprit edhe këngëtarja Aurela Gaçe. Në fund, juria e festivalit, me në krye kantautoren Eli Rizo Gjezo, vendosi të vlerësojë me çmimin "Vokali më i mirë", këngëtarin John Krasniqi. Grupi i valleve "Gjergj Kastrioti" u vlerësua si më i miri, ndërsa për kostumet më të mira u vlerësua grupi "Bashkimi". Angjelina Nika është vlerësuar për koreografinë më të mirë.