E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jetosh me frikën e shembjes

VARFËRIA/ Familje të ndryshme në Elbasan jetojnë mes kushteve shumë të këqija për shkak të varfërisë së skajshme

Megjithëse ka dijeni për atë çka po ndodh, autoritetet bashkiake mohojnë përgjigjësitë për gjithçka

ELBASAN- Një prej rreziqeve më të mëdha që i kanoset dhjetëra familjeve në Elbasan, janë shtëpitë e vjetra në shkatërrim, të pabanueshme. Shtëpitë e pronarëve të vjetër të shtetëzuara në kohën e komunizmit, kanë shërbyer si strehë për dhjetëra familje, të cilat nga varfëria apo edhe kushte të tjera sociale kanë hyrë me qira apo edhe kanë zaptuar pjesë të këtyre shtëpive. Gjendja e tyre është për t’u alarmuar, por banorët nuk largohen, pasi nuk kanë strehë tjetër ku të fusin kokën. Shtëpi të tilla në rrezik shembjeje janë disa në Elbasan, si ajo e Nosëve ku banojnë 8 familje, shtëpia e Bahollëve ku banojnë 4 familje të tjera, si dhe disa të tjera. Vetë pronarët e vjetër thonë se nuk kanë asnjë mundësi t’i largojnë këto familje, pasi policia bashkiake nuk i ndihmon, dhe as shteti. Disa prej tyre nuk kanë mbaruar procedurat e kthimit të pronës dhe pak iu intereson se çfarë bëjnë këto familje. Tërmetet, lagështira dhe mungesa e ndërhyrjes në këto banesa rrezikojnë nga dita në ditë shembjen e tyre, duke përsëritur tragjedi si ajo e Gjirokastrës.

Shtëpia e Nosëve, drejt rrëzimit

Në shtëpinë e Nosëve të Elbasanit, e ndërtuar që në vitin 1914, pa asnjë rikonstruksion prej shumë vitesh jetojnë 8 familje. Një prej tyre e ka blerë një dhomë nga dikush, një tjetër familje ka statusin e të pastrehit, ndërsa disa të tjera e kanë zaptuar dhomën duke e përshtatur në njëfarë mënyre për të jetuar. Shtëpia fut ujë nga të gjitha anët, dyshemeja është prej dërrase, banjoja është e përbashkët dhe po kështu uji i pijshëm. Gjendja e tyre është skandaloze, aq sa të turpëruar ata evitojnë të japin emrat, pasi nuk kanë besim se do të sistemohen ndonjëherë. Gjithsecili ka një histori se si ka ardhur në këtë shtëpi dhe dëshiron të largohet një orë e më parë nga aty. Disa herë kanë kërkuar nga bashkia strehë, por deri tani emrat e tyre janë lënë në fund. Kanë mbetur keq, pasi disa kanë shitur shtëpitë duke futur paratë në firmat piramidale dhe disa të tjerë kanë ardhur nga fshatrat apo nga kushte më të këqija, siç janë familjet rome. Në të njëjtën gjendje janë disa shtëpi të vjetra të familjeve të mëdha elbasanase, pasardhësit e të cilëve deri tani nuk kanë pasur mundësi të ndërhyjnë dhe të gëzojnë pronën e tyre. Disa prej ish-pronarëve kanë zgjedhur marrjen e qirasë.

Bashkia mohon përgjegjësitë

Bashkia Elbasan deklaron se nuk ka asnjë përgjegjësi për këta banorë, që jetojnë në shtëpitë e vjetra. Në shumicën e tyre, ata janë zaptues dhe nuk kanë marrë asnjë leje për të banuar aty. “Disa prej këtyre shtëpive janë shpallur të pabanueshme” shprehet kryebashkiaku Sejdini. Por, për mungesën e një sistemimi tjetër dhe për gjendjen e tyre ekonomike, këto familje vazhdojnë të banojnë aty deri në ndërtimin e banesave sociale me qira. Brenda vitit të ardhshëm pritet të ndërtohen 101 apartamente me kosto të ulët, që do të administrohen nga bashkia për familjet në nevojë. Këto familje do të duhet të paguajnë qira të ulët dhe do të qëndrojnë në këto shtëpi deri në një rritje ekonomike të tyre. Shuma që do të duhet të paguajnë është nga 60-70 mijë lekë të vjetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›